Pabarazia gjuhësore dhe heshtja institucionale në Ulqin

Çështja e barazisë gjuhësore nuk është çështje personale apo partiake, sepse përmes saj dëshmohet barazia qytetare e kombëtare në çdo mjedis, ndërsa pabarazia gjuhësore në komunën e Ulqinit është përgjegjësi e pushtetit lokal, si në të kaluarën edhe tash, që ka ngurruar në zbatimin e ligjshmërisë dhe normave ndërkombëtare si kudo në vendet demokratike

Nail Draga

Në çdo vend demokratik shumëkombësh, barazia e qytetarëve të mjediseve të tilla dëshmohet përmes përdorimit të gjuhës dhe të alfabetit të tyre, duke filluar nga emri personal, mbiemri, mbishkrimet e institucioneve, emërtimet e vendbanimeve, rrugëve, tabelave rrugore etj. Dhe nga një pamje e tillë vizuale, qytetarët mjedisin e tillë e perceptojnë me një realitet dhe spektër pluralist gjuhësor, kulturor e kombëtar.

Indiferentizmi ndaj pabarazisë gjuhësore
Dukuria e pabarazisë gjuhësore në komunën e Ulqinit është dëshmi e mosrespektimit të statutit të Komunës dhe të kushtetutës. Pasi kjo komunë është dygjuhësore, të gjitha subjektet janë të obliguara ta respektojnë këtë normë ligjore, si në nivel lokal apo atë qendror që këtu janë të përfaqësuar. Lidhur me këtë çështje, përgjegjësia bie mbi pushtetin lokal që është i obliguar të jetë në mbrojtje të ligjshmërisë, si kudo në vendet demokratike.
Raste të tilla ka mjaft, por kësaj here si ilustrim po paraqesim tabelat rrugore në afërsi të shkollës fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë dhe në afërsi të vendkalimit kufitar Sukubinë- Muriqan.
Deri më tash nuk kemi pasur rast të dëgjojmë se ndokush ka reaguar nga pushteti lokal i Ulqinit, apo ndonjë parti politike, nga del se janë indiferentë ndaj kësaj dukurie!

Praktika pozitive evropiane
Shqiptarët në Malin e Zi me të drejtë kanë pritur që në pluralizëm çështjet e barazisë gjuhësore të avancohen, duke marrë për model vendet demokratike shumëkombëshe, si Belgjika, Zvicra, Finlanda etj. Por, këtu janë në praktikë disa paradokse, sepse atë që e lejon kushtetuta e ligji nuk zbatohet në praktikë nga institucionet, përkatësisht nga individët në subjektet përkatëse, duke dëshmuar abuzim me të drejtën dhe identitetin kombëtar.
Fjala është për ato mjedise ku shqiptarët janë popullsi autoktone, si popullsi shumicë apo pjesë e konsiderueshme e popullsisë në komunat përkatëse. Pasi barazia gjuhësore përveç ligjeve është e garantuar edhe me statutet komunale, për moszbatimin në praktikë të kësaj të drejte nuk duhet kërkuar fajtorë në adresë tjetër, por në komunën përkatëse.

Refuzimi i shqipes në Plavë
Rasti i komunës së Plavës, ku ende refuzohet që emërtimet e tabelave rrugore të shkruhen edhe në gjuhën shqipe, është dëshmi e mosfunksionimit të shtetit ligjor, në mbrojtje të barazisë qytetare e nacionale të qytetarëve në këtë mjedis.
Ndërsa mosreagimi lidhur me këtë çështje i partive politike të shqiptarëve, të cilat janë pjesë e qeverisë së Malit të Zi, dëshmon mungesë guximi për t’u ballafaquar me realitetin, në mbrojtje të identitetit të shqiptarëve sipas kushtetutës dhe normave ndërkombëtare.

Provokim, jo vetëm për nxënësit
Në këtë aspekt janë të pranishme anomali të theksuara në komunën e Ulqinit, ku shqiptarët janë popullsi shumicë, ku rasti në Anë të Malit është dëshmi transparente në lidhje me këtë çështje.
Nxënësi i cili e ndjek mësimin në gjuhën shqipe në shkollën fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë e ka të vështirë të kuptojë se tabela rrugore te shkolla e tij nuk është e shkruar edhe në shqip, por vetëm në gjuhën malazeze! Kush duhet të japë shpjegim për këtë defekt, jo vetëm teknik, sepse nuk është respektuar kushtetuta dhe statuti i Komunës së Ulqinit?!
Tabelat rrugore vetëm në një gjuhë (malazeze), e jo në gjuhën amtare të nxënësit, thënë më së buti është provokim për nxënësit dhe të gjithë qytetarët e këtij mjedisi. Sepse mosshënimi i tyre në gjuhën shqipe është dëshmi e pabarazisë gjuhësore, që ndikon negativisht në vetëdijen dhe edukimin e tyre.
Ndërsa mosreagimi lidhur me këtë çështje nga stafi drejtues i shkollës nuk mund të arsyetohet, sepse gjendja është irrituese jo vetëm për nxënësit e kësaj shkolle. Kur kështu veprohet në këtë mjedis ku shqiptarët janë shumicë, përkatësisht e vetmja popullsi, atëherë është e tepërt të diskutohet se si veprohet në mjediset tjera ku shqiptarët janë popullsi pakicë.

Duhet reagim qytetar dhe i medieve
Nëse nuk reagohet me kohë ndaj një dukurie të tillë, atëherë çdokush mund të vendosë ndonjë tabelë sipas shijes dhe disponimit personal dhe të mos shqetësohet fare. Diçka e tillë mund të ndodhë vetëm në ato vende ku nuk respektohet ligjshmëria!
Në mungesë të reagimit institucional duhet reagim qytetar, duke pasur qëndrim kritik dhe të argumentuar ndaj një padrejtësie që reflekton negativisht te qytetarët, të cilët gjuhën e kanë vlerë të identitetit kombëtar shqiptar.
Në këtë drejtim mediet luajnë rol të veçantë, andaj ato nuk duhen të heshtin por e kundërta, duke qenë aktive për të ndikuar në eliminimin e një padrejtësie e cila i irriton qytetarët e çdo mjedisi. Sepse atë që nuk e bën pushteti lokal apo partitë politike, duke pasur qëndrim indiferent, mediet ofrojnë mundësi të mëdha në eliminimin e dukurive të tilla, si kudo në vendet demokratike ku respektohet barazia qytetare e kombëtare.

Përfundim
Në mungesë të mekanizmit mbrojtës të gjuhës shqipe në nivel të komunës, individë të ndryshëm brenda apo jashtë saj, me apo pa qëllim nuk e respektojnë ligjshmërinë dhe statutin e Komunës kur është në pyetje barazia gjuhësore në këtë mjedis dygjuhësor.
Pasi deri më tash asnjë sekretariat në kuadër të Komunës nuk është angazhuar për t’i eliminuar këto anomali, atëherë i mbetet kryetarit të Komunës së Ulqinit të angazhohet personalisht në lidhje me këtë çështje për të eliminuar pabarazinë praktike të gjuhës shqipe në mbishkrime, jo vetëm në tabelat rrugore. Vetëm në këtë formë do të eliminohej pabarazia gjuhësore e cila është irrituese për shqiptarët në këtë mjedis. Ndërsa heshtja ndaj një dukurie të tillë shkon në favor të qasjes diabolike të individëve apo subjekteve të cilave iu pengon barazia gjuhësore, çështje e cila mbetet e hapur dhe meriton përgjigje institucionale, si në nivel lokal ashtu edhe atë shtetëror.

Të fundit

më të lexuarat