Letërsia shqipe është gjithnjë e më “evropiane”

Rexhep Qosja u lind më 25 qershor 1936. Pasi u diplomua në Fakultetin e Filozofisë në Prishtinë, punoi si kryeredaktor i revistës “Jeta e Re” dhe nisi veprimtarinë studimore e pedagogjike. Për shumë vite ishte drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Si një nga personalitetet më të shquara të kulturës dhe shkencës shqiptare është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në krijimtarinë letrare të tij shquhet romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, i cili është përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe për të cilin autori është cilësuar nga kritika e huaj si Kafka i Lindjes. Fusha kryesore e studimeve të tij është historia e letërsisë shqiptare, së cilës i ka kushtuar një varg veprash përgjithësuese. Është autor i shumë shkrimeve kritike dhe publicistike, disa dramave dhe eseve

Koha javore: Meqë, mbi të gjitha, jeni studiues i letërsisë dhe autor i shumë librave, e pastaj edhe politikan, bisedën do ta përqendroj kryesisht në fushën e letërsisë. Fillimisht, ju përgëzoj për veprën tuaj më të re, romanin voluminoz “Një dashuri dhe shtatë faje”, nga i cili mësova shumë – madje më tepër sesa duke lexuar historinë e Kosovës në këto njëzet vitet e fundit. Si u prit ky libër nga lexuesit dhe sa mendoni se e keni arritur qëllimin në shtjellimin e ngjarjeve, personazheve dhe datave historike?
R. Qosja: Ka vetëm disa ditë që libri është shpërndarë nëpër librari, prandaj besoj se pakkush ka arritur ta lexojë në tërësi. Duke qenë një roman voluminoz – dhe duke ditur se një pjesë e lexuesve ngurron t’i marrë në dorë veprat e tilla – si dhe një roman që del nga skemat e romanit tradicional, nuk jam shumë i sigurt se do të ketë një numër të madh lexuesish. Megjithatë, do të doja të gabohesha!
Ndoshta rinia e sotme e kërkon të renë dhe të panjohurën edhe në letërsi, e jo vetëm, të themi, në muzikë.

Koha javore: Çka është sot e re në fushën e prozës dhe të poezisë në Kosovë dhe çfarë mendoni për letërsinë shqiptare që po krijohet atje?
R. Qosja:
Në poezinë dhe në prozën shqipe që është krijuar dhe vazhdon të krijohet në Kosovë vërehet një përvojë krijuese pak a shumë e përputhshme me përvojën bashkëkohore evropiane. Kjo do të thotë se poetët dhe prozatorët, në një pjesë të madhe të rasteve, synojnë të krijojnë poezi dhe prozë të ashtuquajtur moderne dhe postmoderne.
Fatkeqësisht, kjo përpjekje nuk është gjithnjë e suksesshme. Është humbur kohë me shkrime të pakuptueshme për lexuesin. Megjithatë, janë krijuar edhe vepra, sidomos në poezi, që pritet t’i qëndrojnë kohës.

Koha javore: Me çfarë problemesh po përballet aktualisht letërsia në Kosovë? Cilat premisa duhet të plotësohen që ajo të bëhet gjithnjë e më interesante për lexuesin shqiptar?
R. Qosja:
Letërsia shqipe, në përgjithësi (nuk më pëlqen të flas për të me kritere ndarjesh hapësinore) sot përballet me konkurrencën e përkthimeve nga letërsitë e popujve të tjerë. Fatmirësisht, ka gjithnjë e më shumë përkthime, sidomos nga proza evropiane, amerikane dhe, në veçanti, latino-amerikane.
Nga librarët dëgjoj se përkthimet po shiten shumë më tepër sesa veprat e autorëve vendas. Kjo, megjithatë, mund të ketë një ndikim pozitiv në krijimtarinë tonë letrare dhe në përkushtimin krijues në tërësi.
Që letërsia jonë të bëhet gjithnjë e më interesante për lexuesin, ajo duhet të jetë gjithnjë e më artistike.

Koha javore: Cila është pozita e intelektualit në përgjithësi dhe e shkrimtarit në veçanti në kushtet aktuale në Kosovë?
R. Qosja:
Kemi hyrë në epokën e biznesit dhe duket se kemi dalë nga epoka e ideve. Sot çmohen më shumë biznesmenët sesa intelektualët. Për pasojë, inteligjencia shpesh shpërfillet, sepse nuk vlerësohen sa duhet vlerat shpirtërore.
Intelektualët më të shquar janë katandisur të marrin paga prej 180 deri në 260 euro në muaj. Klasa politike sot, jo më pak se ajo e djeshmja, ka drojë nga intelektualët, sepse ka drojë nga mendimi i tyre kritik dhe nga vështrimi i tyre i pavarur.
Shumë shkrimtarë nuk paguhen më për veprat që botojnë; përkundrazi, shpesh detyrohen ta financojnë vetë botimin e tyre. Kjo shpërfillje e krijuesve të vlerave shpirtërore do të lërë pasoja të mëdha në kulturën tonë, pasoja që do të bëhen të dukshme me kalimin e kohës.

Koha javore: Nëse keni informata, cila është përshtypja juaj për vlerat e letërisë shqiptare në përgjithësi dhe, respektivisht, sa mund të përfshihen ato në botën e letërsisë evriopiane?
R. Qosja:
Letërsia shqipe, në përgjithësi, po bëhet gjithnjë e më “evropiane” për nga procedimet krijuese dhe risitë e përvetësuara. Për një kohë të gjatë, ajo është zhvilluar me vonesë në krahasim me letërsitë e popujve të mëdhenj evropianë dhe, sot, po bëhen përpjekje serioze për ta tejkaluar këtë prapambetje.
Për letërsinë tonë duhet të gjykojmë me kritere të përgjithshme, si të thuash, evropiane, sepse vepra letrare ose është artistike, ose nuk është pavarësisht se ku shkruhet dhe ku lexohet. Megjithatë, nuk është reale të mendojmë se kemi arritur tashmë nivele botërore. Duke i mbiçmuar arritjet tona, nuk i shërbejmë ngritjes së nivelit estetik të letërsisë sonë.
Në fjalët tona për veten duhet të dallojmë se çfarë është entuziazëm e romantizëm, ndërsa në fjalët e të huajve për ne duhet të dallojmë se çfarë është thjesht kurtuazi.

Koha javore: Cili është komenti juaj lidhur me standardin e gjuhës shqipe, duke qenë se kohët e fundit janë hedhur mendime që të rikthehet më shumë tek origjina e saj, pra gegërishtja?
R. Qosja:
Pavarësisht se dokumentet e para të shkruara të shqipes në gegërisht janë pak më të hershme se ato në toskërisht, nuk mund të thuhet se gegërishtja është origjina e gjuhës shqipe; po ashtu, nuk mund të thuhet se toskërishtja është origjina e saj. Gegërishtja dhe toskërishtja janë dialekte të gjuhës shqipe, të njëkohshme dhe të barasvlershme.
Personalisht, Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të mbajtur në Tiranë në vitin 1972, në të cilin u arrit marrëveshja gjithëkombëtare për krijimin e gjuhës standarde, e konsideroj si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kulturës shqiptare.
Shqiptarët, kudo që janë, mund të flasin në cilin dialekt të duan; shkrimtarët mund t’i shkruajnë dhe t’i botojnë veprat e tyre sipas zgjedhjes së tyre. Ndërsa administrata, institucionet politike e shtetërore, diplomacia dhe të tjera duhen të përdorin gjuhën standarde.
Kush dëshiron që vepra e vet të mbetet e kufizuar gjuhësisht, le ta shkruajë në dialekt. Kush vuan nga i ashtuquajturi “atdhetarizëm i mëhallës”, siç thoshte Konica, le ta flasë dhe le ta shkruajë në media gjuhën dialektore. Por, nëse duam të kemi një popull shqiptar të unifikuar, duhet të kemi një gjuhë standarde. Në të kundërtën, do të jetojmë në shekullin XXI, por me vetëdije dhe nivel të shekullit XVIII.

Koha javore: Viteve të fundit, në mediat shqipe, por edhe në leksikun e politikanëve shqiptarë në Shqipëri dhe më gjerë, përdoren shumë fjalë të huaja, shpesh të panevojshme. Sipas jush, këto prurje ia rrisin apo ia cenojnë vlerën gjuhës shqipe?
R. Qosja:
Nuk ka gjuhë në këtë botë në të cilën nuk përdoren edhe fjalë të huaja, të ashtuquajturat ndërkombëtarizma. Por, sot në gjuhën shqipe, fatkeqësisht, po futen edhe shumë fjalë të huaja të panevojshme, për të cilat shqipja i ka fjalët e veta. Kjo ndodh shpesh për një lloj “intelektualizmi” të rremë, për shkak të modës, apo edhe nga mosdija.
Këto prurje të panevojshme e dëmtojnë dhe e cenojnë gjuhën shqipe. Te disa popuj, si, fjala vjen, te francezët, një fjalë e huaj nuk mund të hyjë në përdorim në gjuhën standarde pa miratimin e institucionit të krijuar posaçërisht për çështjet e gjuhës kombëtare. Nëse kjo rregull shkelet, parashikohen edhe masa ndëshkuese: vendosen gjoba dhe fjala e huaj e panevojshme nxirret nga përdorimi.

Koha javore: Ju i njihni mjaft mirë njerëzit e kulturës shqiptare në Mal të Zi. Çfarë mendimi keni për shkrimtarët dhe intelektualët e kësaj ane, dhe për krijimtarinë e tyre?
R. Qosja:
Kudo që ndodhen intelektualët shqiptarë nga Mali i Zi – në Kosovë, në Shqipëri apo në vetë Malin e Zi, ata kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol të çmuar në jetën kulturore, arsimore dhe shkencore. Puna dhe veprat e tyre në letërsi, muzikë, pikturë, skulpturë, arkitekturë dhe shkencë janë të një vlere të veçantë.
Të lindur dhe të rritur në Malësi, ku traditat gojore janë shumë të zhvilluara, ku ka ekzistuar edhe e ashtuquajtura “gjuha e fshehur”, e cila i përshtatet aq mirë shprehjes letrare, ku terri është i dendur dhe drita tepër e kthjellët, ata janë bërë krijues me një imagjinatë veçanërisht të fuqishme.
Intelektualët nga Malësia janë, në thelb, krijues të lindur.

Koha javore: Besoj se jeni në dijeni për nismën e hapjes së Fakultetit të Mësuesisë në gjuhën shqipe në Tuz ose në Ulqin, e cila nuk u realizua, pasi subjektet politike shqiptare dhe OJQ-ja “Illyricum” nga Malësia u shprehën kundër fillimit të punës së këtij fakulteti pranë Universitetit në Nikshiq. Cila do të ishte këshilla juaj në këtë rast?
R. Qosja:
Mendoj se subjektet politike shqiptare dhe OJQ “Illyricum” e dinë çfarë bëjnë.

Koha javore: Po e mbyll këtë intervistë me një pyetje nga politika. Si e parashihni të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve të tjerë në trojet e tyre etnike jashtë shtetit amë?
R. Qosja: Shekulli XXI ka filluar si një shekull i ngritjes, i rritjes historike dhe i ecjes përpara të popullit shqiptar. Kanë kaluar kohët kur të tjerët na kanë veçuar, na kanë rrudhur, na kanë cenuar dhe na kanë dëmtuar historikisht.
Dua të shpresoj se populli shqiptar do të dijë ta shfrytëzojë këtë mundësi që po ia ofron historia. Kosova bëhet e pavarur. Shqiptarët, në përgjithësi, kudo që ndodhen në Ballkan, do ta marrin fatin e tyre në duart e veta.
Intervistoi: Gjekë Gjonaj
(Intervista është botuar në gazetën “Koha javore”, më 25 dhjetor 2003)

Të fundit

më të lexuarat