Mezzo-sopranoja e njohur nga Kosova, Flaka Goranci, e cila veprimtarinë e saj artistike e zhvillon në Vjenë të Austrisë, ka performuar të dielën mbrëma në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin, duke dëshmuar aftësitë e saj vokale dhe komunikimin e afërt me publikun, por edhe dëshirën për të përcjellë përvojën e saj te brezat e rinj.
Programi i koncertit me këngë dhe arie nga operat ka përfshirë këngë nga kompozitorë të njohur botërorë dhe shqiptarë, si A. Dvorak, F. Poulenc, S. Saëns, G. Verdi, H. Arlen, G. Bizet dhe L. Gjoka.
E shoqëruar në piano nga Fatime Katana – Buzuku, koncerti ka ardhur si një bashkëpunim me Shkollën e Muzikës në Ulqin, duke bërë pjesë të koncertit edhe nxënësit e degës së solo këndimit të kësaj shkolle. Nxënësit e klasës së parë të solo këndimit Anida Zaga dhe Denis Lamoja kanë treguar talentin e tyre duke kënduar nga një këngë, ndërsa për ta përmbyllur programin Goranci ka zgjedhur këngën “Vajta kalova”, të cilën e ka kënduar së bashku me nxënësit e degës së solo këndimit të Shkollës së Muzikës në Ulqin.
Në fund të koncertit, mezzo-sopranoja e ka cilësuar atë si një mbrëmje të paharruar, duke shprehur vlerësime dhe konsiderata për nxënësit e solo këndimit, për të cilët ajo ka thënë se janë pasuria e qytetit të Ulqinit.
Flaka Goranci është një mezzo-soprano e njohur shqiptare me famë ndërkombëtare. Kritikët e huaj e përshkruajnë atë si një artiste të jashtëzakonshme, duke e quajtur zërin e saj të pasur dhe të larmishëm, që përfshin lirikë, bel canto, koloratura dhe një repertor të gjerë italian, francez, gjerman dhe sllav.
i. k.
