Sindromi i disa ish-presidentëve shqiptarë

Në parim, presidenti përfaqëson unitetin kombëtar dhe duhet të jetë figurë përbashkuese. Ky është një privilegj që vetëm disa persona të zgjedhur e gëzojnë gjatë jetës së tyre. Të qenit president konsiderohet kulmi i një karriere të suksesshme politike, prandaj çdo post tjetër i një niveli më të ulët pas atij të presidentit mund të konsiderohet si degradim politik, bile edhe nënçmim. Është krejt e natyrshme që një profesor universiteti, akademik etj. pas përfundimit të mandatit presidencial t’i kthehet profesionit të tij të mëparshëm. Por a duhet të vlejë kjo edhe për politikanët?!

Ismet Kallaba

Pluralizmi politik ndër shqiptarë ka nxjerrë në pah mjaft dukuri negative dhe shqetësuese për demokracinë, duke bërë që qytetarët të zhgënjehen nga sistemi i ri politik. Tranzicioni i gjatë politik është shndërruar në pengesë për proceset demokratike në vendet e rajonit ku jetojnë shqiptarët. Shumë prej këtyre dukurive negative mund të vërehen edhe në vendet tjera të Ballkanit, që do të thotë se popujt ballkanikë vuajnë nga “sëmundja” e njëjtë. Por ka edhe të atilla që mund të konsiderohen sui generis për shqiptarët apo thënë ndryshe allashqiptare.
Një prej tyre është edhe sindromi i disa presidentëve shqiptarë pas përfundimit të mandatit presidencial. Fjala është për rikthimin e tyre në politikë, në forma të ndryshme, qoftë duke krijuar parti të re politike (rasti i ish-Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, i cili me ithtarët e tij themeloi Frymën e Re Demokratike, duke u ndarë nga Partia Demokratike e cila e kishte kandiduar dhe mbështetur për president), qoftë duke u rikthyer në partinë e mëparshme (rasti i ish-Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili pas përfundimit të mandatit presidencial u rikthye në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që tani quhet Partia e Lirisë) apo qoftë duke u rikthyer në ish-partinë e dikurshme (rasti i ish-Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, e cila pas përfundimit të mandatit presidencial u rikthye tek ish-partia e dikurshme, Lidhja Demokratike e Kosovës, nga e cila ishte larguar me disa ithtarë të saj të cilët themeluan partinë Guxo).
Pavarësisht faktit se të tre ishin presidentë politikë, pra të zgjedhur nga politika, kjo nuk i arsyeton zgjedhjet dhe veprimet e tyre pas përfundimit të mandatit presidencial. Për më tepër, përvoja ka treguar se të gjithë kanë dështuar.
Në parim, presidenti përfaqëson unitetin kombëtar dhe duhet të jetë figurë përbashkuese. Ky është një privilegj që vetëm disa persona të zgjedhur e gëzojnë gjatë jetës së tyre. Të qenit president konsiderohet kulmi i një karriere të suksesshme politike, prandaj çdo post tjetër i një niveli më të ulët pas atij të presidentit mund të konsiderohet si degradim politik, bile edhe nënçmim. Është krejt e natyrshme që një profesor universiteti, akademik etj. pas përfundimit të mandatit presidencial t’i kthehet profesionit të tij të mëparshëm. Por a duhet të vlejë kjo edhe për politikanët?!
Edhe në Mal të Zi, gjatë sundimit politik të Partisë Demokratike të Socialistëve të ish-Presidentit Millo Gjukanoviq është krijuar një përvojë e keqe e rokadës së posteve shtetërore më të rëndësishme, përfshirë atë të presidentit.
Në anën tjetër, përvoja e politikës evropiane dhe botërore, vendeve me demokraci të konsoliduara, ofron shembuj pozitivë të angazhimit politik të ish-presidentëve apo liderëve politikë, kryesisht përmes organizmave ndërkombëtare. Përvoja udhëheqëse dhe autoriteti i krijuar ndër vite përbën shpesh faktor kyç për arritjen e suksesit në misionin e tyre. Ta zëmë, ish-presidenti dhe diplomati i njohur finlandez, Martti Ahtisaari, fitues i Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2008, u bë i njohur si negociator në bisedimet e paqes ndërmjet palëve në konflikte të ndryshme, përfshirë edhe atë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që çoi në finalizimin e statusit të Kosovës (i njohur si Plani Ahtisari).
Për ata që mund të thonë se nuk mund të krahasohet një president shqiptar me ata të vendeve evropiane, një shembull që duhet ndjekur përbën ish-presidenti slloven, Millan Kuçan, i cili e udhëhoqi vendin e tij drejt pavarësisë. Pas tërheqjes nga posti i presidentit në vitin 2002, Kuçan vazhdoi të jetë aktiv në jetën publike si anëtar i Club de Madrid, një organizatë ndërkombëtare e pavarur, e cila përbëhet nga ish-presidentë dhe ish-kryeministra demokratikë nga e gjithë bota, si dhe i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian.
Përkundrejt shembujve pozitivë të ish-presidentëve të vendeve evropiane, përvoja e disa ish-presidentëve shqiptarë, por edhe e shumë të tjerëve në vende të ndryshme, tregon se ambiciet joreale i kanë çuar drejt theqafjes politike. Ata nuk e kanë kuptuar që autoritetin gjatë kohës sa ishin presidentë e kanë pasur falë postit që kanë gëzuar, pra jo falë dijeve dhe vlerave personale. Tekefundit, le të jetë ky një mësim për presidentët e ardhshëm shqiptarë që të mos i përsërisin gabimet e disa paraardhësve të tyre.

Të fundit

më të lexuarat