Enes Dushku do të përfaqësojë Malin e Zi

Kualifikimi i tij në këtë ngjarje të rëndësishme sportive vlerësohet si një moment i veçantë për sportin e Ulqinit, pasi ai bëhet sportisti i parë nga ky qytet që kualifikohet për pjesëmarrje në Lojërat Mesdhetare

Në mesin e 55 sportistëve që do të përfaqësojnë Malin e Zi në Lojërat XX Mesdhetare në Taranto të Italisë është edhe sportisti nga Ulqini, Enes Dushku, i cili do të garojë në sportin e taekwondosë, në kategorinë deri në 68 kilogramë.
Nga Klubi i Taekwondosë “Ulqini” e kanë cilësuar kualifikimin e tij në këtë ngjarje të rëndësishme sportive si një moment të veçantë për sportin e Ulqinit, pasi ai bëhet sportisti i parë nga ky qytet që kualifikohet për pjesëmarrje në Lojërat Mesdhetare.
“Ky sukses është rezultat i punës, disiplinës dhe përkushtimit të vazhdueshëm në sportin e taekwondosë. Njëherazi, kualifikimi i tij përbën një motivim të rëndësishëm edhe për sportistët e rinj nga Ulqini, duke dëshmuar se me punë dhe këmbëngulje mund të arrihet deri te garat e mëdha ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për media të këtij klubi.
Ceremonia e përcjelljes së delegacionit të Malit të Zi në Lojërat XX Mesdhetare, që do të zhvillohet nga data 21 gusht deri më 3 shtator 2026, është organizuar nga Komiteti Olimpik i Malit të Zi në Hotelin Hilton në Podgoricë.
Sportistët i kanë përshëndetur kryetari i Komitetit Olimpik të Malit të Zi, Dushan Simonoviq, dhe ministri i Sportit dhe Rinisë, Zoran Jojiq, duke u uruar rezultate të mira dhe përfaqësim dinjitoz të vendit.
Delegacioni i Malit të Zi në Lojërat Mesdhetare përbëhet nga 55 sportistë, të cilët do të garojnë në 13 sporte.
Lojërat Mesdhetare vlerësohen ndër ngjarjet më të rëndësishme shumësportëshe të rajonit të Mesdheut. Ato mbledhin sportistë nga vende të ndryshme të Evropës, Afrikës dhe Azisë, duke qenë jo vetëm një arenë e rëndësishme sportive, por edhe një mundësi për afirmimin e sportistëve në nivel ndërkombëtar.
Për sportin shqiptar në Malin e Zi, por sidomos për Ulqinin, këtë herë vëmendja do të jetë e përqendruar tek Enes Dushku. Dalja e tij në tatami në Taranto do të ketë një domethënie më të madhe se një paraqitje individuale: ai do të përfaqësojë njëkohësisht Malin e Zi dhe qytetin e Ulqinit, duke e vendosur emrin e Ulqinit në skenën e Lojërave Mesdhetare.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat