Fiton titullin Doktor i Shkencave në Histori

Marrja e gradës së doktorit të shkencave në një universitet me traditë akademike në Zagreb shënon një kapitull të ri në karrierën e Genc Prelvukajt dhe një tjetër përfaqësim të studiuesve shqiptarë në hapësirën universitare ndërkombëtare

Intelektuali i gjithanshëm kulturor dhe studiuesi shqiptar me prejardhje nga fshati Martinaj i komunës së Gucisë, Genc Prelvukaj, para pak ditësh ka arritur një sukses të rëndësishëm akademik. Më 5 nëntor 2026, në Universitetin e Zagrebit ka mbrojtur me sukses disertacionin e doktoratës në fushën e historisë, duke fituar titullin Doktor i Shkencave në Histori.
Disertacioni i tij me titull “Komponenti shqiptar në etnohistorinë malazeze në kohët paramoderne XIII-XVIII” trajton një tematikë me rëndësi të veçantë për historiografinë shqiptare dhe atë ballkanike: praninë, rolin dhe dimensionin historik të komponentit shqiptar në zhvillimet etnohistorike të hapësirës malazeze përgjatë shekujve XIII-XVIII.
Mbrojtja e disertacionit u zhvillua në mjediset e Universitetit të Zagrebit, përpara komisionit të përbërë nga: Prof. Dr. Sc. Vllatka Vekelliq, Prof. Dr. Sc. Tomisllav Galloviq dhe Prof. Dr. Sc. Zhelko Hollevac, ndërsa mentor i temës së doktoratës që prek kujtesën historike të Ballkanit ishte akademiku Stjepan Qosiq.
Përtej arritjes personale dhe akademike, rëndësia e këtij punimi qëndron edhe në vetë objektin e studimit. Duke u përqendruar në një periudhë pesëshekullore, nga shekulli XIII deri në shekullin XVIII, Prelvukaj sjell në vëmendje një dimension të historisë rajonale që meriton trajtim të thelluar shkencor – komponentin shqiptar në etnohistorinë malazeze.
Në një hapësirë ballkanike ku historia, identitetet dhe proceset etnokulturore janë të ndërthurura ndër shekuj, studime të tilla marrin rëndësi të veçantë për pasurimin e debatit historiografik dhe për njohjen më të plotë të së kaluarës së përbashkët të popujve të rajonit.
Marrja e gradës së doktorit të shkencave në një universitet me traditë akademike në Zagreb shënon një kapitull të ri në karrierën e Genc Prelvukajt dhe një tjetër përfaqësim të studiuesve shqiptarë në hapësirën universitare ndërkombëtare.
Nga Zagrebi vjen kështu një lajm i rëndësishëm për botën akademike shqiptare: Genc Prelvukaj i shtohet radhës së studiuesve shqiptarë që kontribuojnë në kërkimin shkencor ndërkombëtar.
Andaj unë, me plot gojë dhe me ndjenjë shpirtërore doktorin e ri të shkencave të historisë, Dr. Genc Prelvukajn, e uroj për këtë arritje të rëndësishme, duke i dëshiruar suksese të mëtejme në rrugëtimin e tij.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat