11 medalje në Kampionatin Ballkanik dhe Kupën Ballkanike

Më 25-28 qershor 2026, në qytetin e Zrenjaninit (Serbi) u zhvillua Kampionati Ballkanik dhe Kupa Ballkanike në Taekwondo, një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive në rajon, ku morën pjesë mbi 1000 sportistë nga vendet e Ballkanit.
Klubi i Taekwondosë “Ulqini” u përfaqësua në këtë garë me 18 sportistë, të cilët garuan në kategoritë e pionierëve, kadetëve, juniorëve dhe seniorëve.
Në deklaratën për media të këtij klubi thuhet se garuesit e tij realizuan një paraqitje të shkëlqyer, duke fituar gjithsej 11 medalje (dy medalje të arta, tri medalje të argjendta dhe gjashtë medalje të bronzta). Rezultatin më të spikatur e arriti Amella Nuti, e cila u shpall kampione e Ballkanit në kategorinë e junioreve. Ajo zhvilloi katër ndeshje të nivelit të lartë, duke mposhtur kundërshtaret nga Greqia, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe, në finale, atë nga Rumania, për të merituar medaljen e artë.
Po ashtu, titullin kampion i Ballkanit e fitoi edhe pionieri Haris Tivari, i cili triumfoi në tri ndeshje radhazi kundër garuesve nga Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, duke u ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit.
“Përveç medaljeve të fituara, sportistët e KT ‘Ulqini’ regjistruan një paraqitje shumë të suksesshme gjatë gjithë kampionatit, duke arritur gjithsej 21 ndeshje të fituara”, thuhet më tej në deklaratën për media.
Në kategorinë e pionierëve, medalje të artë fitoi Haris Dervishi, medalje të argjendta Nejra Dervisheviq dhe Rea Nelaj, kurse medalje të bronzta Armend Lula dhe Jamin Dervishi.
Në kategorinë e kadetëve, medaljen e vetme (të bronztë) e fitoi Denis Çoboviq.
Krahas Amella Nutit, e cila ka fituar medalje të artë, në kategorinë e juniorëve me medalje të argjendtë u kurorëzua Rijad Dervishi.
Ndërkaq, në kategorinë e senioreve, tri garuese të KT “Ulqini” – Amra Dushku, Arta Ismailaga dhe Sara Kraja fituan medalje të bronzta.
Në deklaratën për media theksohet se pjesëmarrja dhe rezultatet e arritura në Kampionatin Ballkanik përfaqësojnë një sukses të rëndësishëm për KT “Uqini”, për Malin e Zi dhe qytetin e Ulqinit.
KT “Ulqini” shpreh mirënjohje për të gjithë sportistët, trajnerët, prindërit dhe mbështetësit e klubit, të cilët kanë kontribuuar në arritjen e këtij suksesi, duke dëshmuar se puna sistematike dhe përkushtimi sjellin rezultate në arenën ndërkombëtare.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat