Kryetari i nderit i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Mehmet Bardhi, dhe kryetari i kësaj partie, Saubih Mehmeti, kërkojnë nga udhëheqësit shtetërorë mënjanimin e kishës metalike të vendosur nga Kisha Ortodokse Serbe në majën e Rumisë.
Në të njëjtën kohë, ata kërkojnë nga drejtuesit e Komunës së Tivarit që të mos e përfshijnë në Planin Hapësinor Urbanistik të kësaj komune këtë vend për objekte fetare.
Peticionin me rreth një mijë nënshkrime, ata ua kanë dorëzuar kryetarit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kryeministrit Millojko Spajiq, kryetarit të Kuvendit Andrija Mandiq, nënkryetarit të Kuvendit, Nikollë Camaj, si dhe kryetarëve të Komunës dhe Kuvendit të Komunës së Tivarit, Dushan Raiçeviq dhe Branisllav Neneziq.
“Po ju drejtohemi me këtë kërkesë në formë të shkruar – peticionit, me nënshkrimet e afër një mijë qytetarëve, si dhe tonat dhe në emër të partisë sonë politike LD në MZ, duke kërkuar që objekti në formën e kishës, një kishe metalike, dimensionet e bazës të së cilës janë 3.5 metra me 2.6 metra, pjesa e altarit është 60 me 120 cm, lartësia e kupolës është 3.5 metra, ndërsa kambana me një kryq është 5 metra e lartë, dhe pesha totale është 3.5 tonelata, të hiqet nga maja e malit të Rumisë dhe që vendi të kthehet në gjendjen e tij të mëparshme, të çlirohet nga pushtimi ushtarak – kishtar – serb i helikopterëve. Maja e Rumisë duhet të jetë e lirë, jo vetëm për banorët e Krajës, fshatrave dhe vendbanimeve përreth Tivarit, Ulqinit dhe Shkodrës, por për të gjithë njerëzit vullnetmirë dhe qëllimmirë, për të gjitha konfesionet dhe të gjitha kombësitë dhe për të gjithë mysafirët, vizitorët e këtyre zonave të bukura historike, rajoneve dhe majave malore, të cilat përfaqësojnë trashëgiminë kulturore, shpirtërore dhe materiale të Krajës dhe të gjithë rajonit të Nënrumisë”, thuhet ndër të tjera në peticion.
Kisha metalike në majën e Rumisë është vendosur me ndihmën e helikopterëve ushtarakë të ish-Ushtrisë Jugosllave, më 18 qershor 2005.
Ajo është bërë mollë sherri dhe i debateve të shumta për shkak të uzurpimit nga Kisha Ortodokse Serbe e majës së shenjtë të Rumisë, që në të kaluarën është përdorur nga pjesëtarët e të gjitha konfesioneve.
(Kohapress)
