Harta e ndarjes së kufijve ngjall kundërshtime

“Unë nuk e kam bërë protestën kundër askujt, as për të akuzuar pushtetin lokal dhe as për të bërë përçarje, por e kemi bërë me një grup organizatorësh që i kanë ndenjur besnik daljes Zot të Malësisë”, u shpreh Prelë Ujkaj

Një protestë paqësore me pjesëmarrjen e disa dhjetëra qytetarëve është mbajtur të premten, më 3 korrik 2026, përpara godinës së Komunës së Tuzit, për çështjen e ndarjes territoriale-administrative ndërmjet Tuzit dhe Podgoricës.
Njëri ndër organizatorët e kësaj proteste, Prelë Ujkaj, u shpreh se arsyeja e tubimit është, sipas tij, një padrejtësi që po i bëhet territorit të Malësisë, duke shtuar se nuk janë dakord me propozimet e dy komisioneve të arbitrazhit, atij të Tuzit dhe atij të Podgoricës, për ndarjen e kufijve.
“Ne nga këtu dëshirojmë të porosisim se me territor të Malësisë nuk ka hile. Me territor të Malësisë nuk ka lojë”, u shpreh Ujkaj.
Ai më tej theksoi se, duke qenë pjesë e vendbanimit Rakiq, sipas hartës së prezantuar, mbi 1.8 milion metra katrore tokë që i përkasin familjes së tij do të kalonin në territorin e Podgoricës.
“Ne kurrë nuk do ta pranojmë atë ndarje. Ne në bazë të Ligjit përkatës dhe atij që është në fuqi sot, i takojmë Tuzit. Të gjitha të drejtat tona i ushtrojmë në Komunë të Tuzit. Rakiqi është Malësi. Tuzi nuk shitet, nuk zvogëlohet”, tha mes tjerash ai.
Rakiqi, tha ai, është pjesë e cila ka dhënë edhe për kombin shqiptar.
“Objekti më i vjetër që ka lidhje direkte me Malësinë është po në tokën tonë, të të parëve tanë, është objekti i të mëdhenjve Martin dhe Mirash Ivanaj. Është historikisht e vërtetuar edhe në bazë të këtij objekti se ne jemi autoktonë aty”, theksoi njëri ndër organizatorët e protestës, Prelë Ujkaj.
Ai nga kjo protestë tha se nuk do të pranojnë që dikush t’u thotë se “nuk jemi Malësi, qoftë ai i huaji apo i veti”, duke shtuar se komisioni duhet t’i shërbejë popullit, të përfaqësojë kërkesat e tyre dhe t’i dalë zot territorit.
“Ky komision ishte në Podgoricë prej tetë vitesh dhe asnjë deklaratë të vetme nuk ka dhënë për ndarjen e kufirit”, tha mes tjerash Prelë Ujkaj, duke kërkuar dorëheqjen e përfaqësuesve të Komunës së Tuzit në komisionin e arbitrazhit.
Sipas Ujkajt, harta e prezantuar e Malësisë nga ky komision është, siç pretendon ai, është një hartë ku mungon një e katërta e territorit të Malësisë.
“Ne, me këtë tentativë të largimit tonë, i humbim të drejtat tona nga Komuna e Tuzit, të drejtat tona shqiptare si popull pakicë në komunën ku populli ynë përbën shumicën. Ne kemi luftuar për komunë të plotë”, theksoi Ujkaj.
Ai më tej tha se kjo protestë nuk është një protestë politike, por qytetare.
“Unë nuk e kam bërë protestën kundër askujt, as për të akuzuar pushtetin lokal dhe as për të bërë përçarje, por e kemi bërë me një grup organizatorësh që i kanë ndenjur besnik daljes Zot të Malësisë”, u shpreh Prelë Ujkaj.
Ai falënderoi pjesëmarrësit në tubim që, siç tha ai, protestojnë për të mbështetur Rakiqin, pjesën juglindore të malit të Kakarriqit, “sepse aty janë popullsi 100 për qind shqiptare, që mbështesin pjesën e Luharit, Njegotinit, Lloparit dhe Rabrajve, që mbështesin majën e Kazhenikut legjendar në Triesh, Koshticën dhe pjesën e Rikavecit që janë bjeshkët e malësorëve”.
Ai, në fund të fjalës së tij, u zotua se, nëse do të jetë e nevojshme, këtë proces do ta adresojnë deri në Gjykatën e Strasburgut.
Protestuesit në këtë protestë valëvitnin flamuj kuqezi, ndërsa mbanin në duar pankarta me mbishkrime si: “Transparencë e munguar – kufij të cunguar”, “Malësia nuk zvogëlohet kurrë” etj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat