Asnjëherë nuk u jam përshtatë pritjevetë të tjerëve

Koha javore: Donika, si do ta përshkruanit veten për lexuesit që duan t’ju njohin përtej asaj që kanë parë apo lexuar deri tani?
D. Dabishevci:
Hmmm… Unë nuk kisha guxu me ja shtru këtë pyetje askujt, e aq më pak shkrimtarëve, poetëve, atyre që banojnë e lundrojnë lehtësisht n’gjuhë, sepse historikisht, njeriu ka dëshmu talent të jashtëzakonshëm “me qenë objektiv”, sidomos e pikërisht kur flet për veten. Prandaj, janë aq të lezetshme autobiografitë, e përgjithësisht krejt përpjekjet me u vetërrëfy, sepse edhe atëherë kur dikush pretendon me i shpalosë krejt t’vërtetat e tij jetësore, zakonisht zgjedh me shumë finesë fushëpamjen e denjë për të se si me u kallxu e me mbetë para të tjerëve dhe posaçërisht atë se çka konsiderohet “krejt”.
Në vazhdë të kësaj logjike, po t’i rendisja cilësitë e mia, do të dukej sikur po shkruaja arsyetimin për ndonjë çmim që ende s’ma kanë dhënë, e po t’ndalesha te të metat, do t’ju bëja shërbim falas atyre që prej kohësh merren me shkllapuritjen në punën e jetën time me përkushtim e seriozitet pothuajse akademik. Do të ishte padrejtësi me ua zhvlerësu gjithë atë mund. Tekefundit, disa punë duhet me ua lënë profesionistëve.

S’i besoj frymëzimit, së paku jo në kuptimin romantik të fjalës, si një çast i privilegjuem prej të cilit lind poezia. I besoj punës, leximit, dijes, mendimit dhe asaj vëmendjeje të vazhdueshme që e mban mendjen në punë edhe kur s’je duke shkru. Tek unë poezia nis zakonisht prej nji ideje që më ngacmon, nji pyetjeje që sjell pyetje të tjera apo një kundërthënieje që kërkon me u mendu e stërhollu më gjatë

Kështu që ata që duan ta njohin Donikën autore, i kanë librat. Aty e kanë të drejtën edhe me më gjyku ashpër, sepse aty kam pretendu me bë art. Donika tjetër është një grue që jeton, dashuron, gabon, ndryshon, rritet, rrëzohet, zvogëlohet, ringritet, mëson, fal, harron… gjithmonë duke e rishiku veten e gjithmonë duke u ba.

Koha javore: Cila ka qenë pika e kthesës që ju ka bërë të kuptoni se rruga juaj do të lidhej me artin dhe krijimtarinë?
D. Dabishevci:
Kam fillu me shkru qysh në fëmijëri, derisa, në moshën 16-vjeçare, më 1996, ende si nxënëse e shkollës së mesme, kam marrë guximin me botu librin e parë me proza poetike, Krizantema të plasura, kështu që s’kam pasë ndonjë pikë kthese, apo çast vendimtar. Jam rritë me libra. Ndërsa, vetëdija se letërsia do të zinte një vend kaq të madh në jetën time ka ardhë më vonë, bashkë me studimet për letërsi, me leximet që u bënë gjithnjë e më kërkuese, me punën studimore, gazetarinë kulturore dhe, dalëngadalë, me krejt jetën profesionale të ndërtume rreth saj.

Koha javore: Çfarë ju frymëzon më shumë kur krijoni?
D. Dabishevci:
S’i besoj frymëzimit, së paku jo në kuptimin romantik të fjalës, si një çast i privilegjuem prej të cilit lind poezia. I besoj punës, leximit, dijes, mendimit dhe asaj vëmendjeje të vazhdueshme që e mban mendjen në punë edhe kur s’je duke shkru. Tek unë poezia nis zakonisht prej nji ideje që më ngacmon, nji pyetjeje që sjell pyetje të tjera apo një kundërthënieje që kërkon me u mendu e stërhollu më gjatë. Mundet me m’përcjellë me javë a me muaj, me u ushqy prej leximeve, dijes e kujtesës, me u zgjeru e me ndryshu, derisa e gjej mënyrën sesi me i dhënë zë e frymë n’gjuhë. E as atëherë puna s’ka marrë fund… Mundem me iu kthy të njëjtës poezi shumë herë, me e lënë për një kohë e me u marrë prapë me te, derisa vjen një moment kur ma mbush mendjen se është pjekë mjaftueshëm sa me e bë jetën e saj…

Për mua, poezia duhet me ardhë prej një domosdoshmërie të brendshme, prej diçkaje që ka mbërritë në atë pikë sa kërkon zë e formë. Ndoshta për këtë arsye edhe raporti im me botimin ka qenë gjithmonë selektiv, nuk më ka interesu me qenë vazhdimisht e pranishme, por me botu vetëm atëherë kur kam ndie se kam diçka që ia vlen me u thënë

Koha javore: Si ka ndryshuar Donika si poete me kalimin e viteve?
D. Dabishevci:
Ka mbetë i pandryshuem tek unë, para së gjithash serioziteti me të cilin i jam qasë poezisë, qysh prej fillimit. Me përkushtim, ndershmëri ndaj vetes dhe, mbi të gjitha duke synu liri krijuese. Liri me i zgjedhë temat e mia, me i çu deri aty ku kam ndie se duhet me i çu, mos me u përshtatë me pritjet e të tjerëve dhe mos me u kurthu brenda asnjëlloj autocensure.
Ka mbetë e njëjtë edhe nevoja që poezia me pasë një arsye të fortë për me u shkru. Asnjëherë s’e kam pa si ushtrim stilistik të gjuhës apo si prodhim të vazhdueshëm tekstesh. Për mua, poezia duhet me ardhë prej një domosdoshmërie të brendshme, prej diçkaje që ka mbërritë në atë pikë sa kërkon zë e formë. Ndoshta për këtë arsye edhe raporti im me botimin ka qenë gjithmonë selektiv, nuk më ka interesu me qenë vazhdimisht e pranishme, por me botu vetëm atëherë kur kam ndie se kam diçka që ia vlen me u thënë.
Ajo që mbase është transformu lidhet me vetëdijen krijuese. Në moshën 16-vjeçare, fjala vjen, me një spontanitet intuitiv dhe me një besim që ende nuk është vu në sprovë prej leximit, dijes e përvojës. Me vite ndërtohet një vetëdije shumë më kërkuese dhe serioze. Prandaj, nëse do ta përmblidhja këtë rrugëtim, nuk do të thosha se koha ma ka ndryshu thelbin e raportit me poezinë, në fakt ma ka rritë kërkesën ndaj saj. Kriteri m’është ba më i rreptë.

Koha javore: Sapo e keni botuar librin me poezi “Grue prej zjermi”? Çfarë përfaqëson ky libër në raport me librat e mëparshëm?
D. Dabishevci:
Me botimin e Grue prej zjermi, kam ndjesinë se është përmbyllë një rrugëtim poetik që e kam përshku për vite me radhë. Tri vëllimet e fundit nuk i shoh si tre libra të veçantë, por si tri etapa të së njëjtës kërkesë poetike, tri mënyra me iu afru dashnisë dhe, përmes saj, vetë qenies njerëzore. Sepse dashnia, për mua, asnjëherë s’ka qenë vetëm temë e poezisë; ka qenë një prej mënyrave përmes të cilave kam provu me e kuptu njeriun në raport me trupin, tjetrin, jetën, humbjen dhe lirinë.

Me botimin e “Grue prej zjermi”, kam ndjesinë se është përmbyllë një rrugëtim poetik që e kam përshku për vite me radhë. Tri vëllimet e fundit nuk i shoh si tre libra të veçantë, por si tri etapa të së njëjtës kërkesë poetike, tri mënyra me iu afru dashnisë dhe, përmes saj, vetë qenies njerëzore. Sepse dashnia, për mua, asnjëherë s’ka qenë vetëm temë e poezisë; ka qenë një prej mënyrave përmes të cilave kam provu me e kuptu njeriun në raport me trupin, tjetrin, jetën, humbjen dhe lirinë

Kam me ardhë si deka e kërkon dashninë në trajtën e pasionit. Është libri i trupit, i afshit, i vrullit, i gjallërisë, i intensitetit.
Me E gjithkohshmja Andërr, ky horizont u zgjeru rrënjësisht. Dashnia aty del prej marrëdhënies intime dhe bëhet dashni për jetën pikërisht atëherë kur jeta asht e kërcënueme. Në luftë, përballë dhunës, humbjes dhe mizorive të saj, pyetja nuk ishte më vetëm se si dashuron njeriu, por çka mbetet njerëzore tek ai kur gjithçka përreth përpiqet me e zhveshë prej saj.
Ndërsa te Grue prej zjermi dashnia është ajo që e çon njeriun drejt thelbit t’qenies, aty ku trupi, mendimi e shpirti flasin t’njëjtën gjuhë. Aty ku bien maskat, zhdavariten iluzionet dhe shpirti mbetet lakuriq përballë vetes, tjetrit e jetës. Pra, dashnia nuk është më vetëm ndjenjë, pasion apo marrëdhënie me tjetrin, por bëhet një mënyrë e njohjes së vetvetes, duke e ndje kohën më thellë, përkohësinë më rëndë e etjen tonë më t’vjetër: me u pa, me u kuptu, e me u bashku me tjetrin me tan’ fuqinë. Dhe pikërisht në këtë libër dashnia përtej përjetimit bëhet edhe formë e vetëdijes.
Prandaj Grue prej zjermi e ndiej si një pikë mbërritjeje. Jo sepse kam thënë gjithçka për dashninë, ajo është e pashtershme, por sepse më duket se kam çu deri në fund një mënyrë të caktume të kërkimit të saj: prej trupit te jeta, prej jetës te qenia, prej dëshirës për tjetrin te përpjekja me e kuptu njeriun përmes dashnisë.
Secili libër më ka çu natyrshëm te tjetri, ndërsa me Grue prej zjermi e ndiej se ky hark është mbyllë.

Koha javore: A mendoni se arti duhet të jetë gjithmonë i lidhur me realitetin shoqëror dhe kohën në të cilën jetojmë?
D. Dabishevci:
Kam rezervë ndaj kërkesës që artisti me qenë medoemos zë i kohës së tij, sepse shumë lehtë kjo kërkesë mundet me u shndërru në një formë tjetër të normës.

Nganjëherë pjekuria krijuese qëndron edhe në aftësinë me e pranu se fakti që ke diçka për me thënë s’do të thotë që e ke gjetë ende mënyrën me e thënë, apo që duhet me e thënë patjetër

Koha javore: Cilat janë ato tema shoqërore që mendoni se ende nuk po marrin vëmendjen e mjaftueshme në art dhe letërsi?
D. Dabishevci:
Mundem me folë për çështje shoqërore që kërkojnë më shumë vëmendje publike, institucionale, mediale apo akademike, por do të hezitoja me ia bë të njëjtën kërkesë artit. Prandaj do ta ruaja dallimin mes asaj që shoqëria duhet me e diskutu dhe asaj që artisti zgjedh me e kriju, sepse e para lidhet me përgjegjësinë qytetare, ndërsa e dyta me lirinë krijuese. Dhe unë konsideroj që kjo liri fillon pikërisht aty ku përfundon lista e temave që “duhet” me u trajtu.

Koha javore: Sa e vështirë është për një artiste shqiptare të gjejë hapësirën e saj dhe zërin e saj në një mjedis kulturor gjithnjë në ndryshim?
D. Dabishevci:
Mjediset kulturore ndryshojnë, hierarkitë lëvizin, dukshmëria vjen e shkon e ajo që mundet me i rezistu këtyre ndryshimeve është vepra. Për këtë arsye gjithmonë më ka interesu ndërtimi i zërit, identitetit dhe veçantisë time autoriale përmes një procesi të gjatë leximi, kërkimi, dyshimi dhe vetëdijeje estetike, e jo përshtatja, rreshtimi, apo medeomos hapësira. Sepse hapësira që fitohet duke e përshtat zërin për me u pranu, në njëfarë mënyre është e humbur qysh prej fillimi.

Koha javore: A ka ndonjë autor, artist apo figurë kulturore që ka ndikuar veçanërisht në formimin tuaj?
D. Dabishevci:
Gjatë viteve kam lexu autorë që më kanë tronditë, të tjerë që ma kanë ndryshu mënyrën e të mendumit për letërsinë, disa që më kanë mësu çka mundet me bë gjuha, e disa të tjerë që më kanë ndihmu me kuptu çka kërkoj prej shkrimit tim. Prandaj do të flisja më shumë për nji bibliotekë personale sesa për nji figurë përcaktuese.

Koha javore: Cili është ai libër, varg apo krijim që do ta merrnit me vete në një udhëtim të gjatë?
D. Dabishevci:
Varet sa i gjatë është udhëtimi dhe, sidomos, a kam të drejtë kthimi. Për një udhëtim të gjatë s’do t’isha aq mizore sa me ia besu krejt jetën intelektuale nji libri të vetëm. Edhe libri më i dashtun, mbas leximit të njëzetë, mundet me fillu me t’shiku me armiqësi.
Prandaj, në vend të nji libri, do ta merrja një antologji sa më të gjerë të poezisë botërore. Do t’i kisha aty shekujt duke folë me njëri-tjetrin, gjuhët, qytetërimet, dashnitë, zotat, luftërat, vdekjet, trupat, vetmitë…
E nëse udhëtimi zgjat aq shumë sa e mbaroj edhe atë, atëherë problem s’është më libri. Problemi është se ku dreqin jam tu shku.

Koha javore: Si e përjetoni kritikën, si një shtysë për t’u përmirësuar apo ndonjëherë si një barrë?
D. Dabishevci:
Kritikën e marr seriozisht vetëm kur ajo vetë e ka marrë seriozisht veprën. Për mua, kjo është pika e nisjes. Barrë do të bëhej vetëm sikur t’filloja me shkru duke mendu paraprakisht se çka do të thoshte kritika për atë që po shkruaj. Aty do të hynte në procesin krijues nji sy i jashtëm dhe, bashkë me të, autocensura. Gjatë krijimit më duhet liria, mbas botimit, vepra ka jetën e saj dhe secili lexim serioz e ka të drejtën me u përballë me të.

Koha javore: A ka raste kur një krijim ju ka befasuar edhe juve, duke marrë një drejtim krejt tjetër nga ai që kishit menduar fillimisht?
D. Dabishevci:
Po, dhe pikërisht aty procesi krijues bëhet më interesant. Mundem me hy në një poezi me nji mendim relativisht të qartë, por në çastin kur ai hyn në gjuhë, fillon me ndryshu. Një fjalë hap nji asociacion tjetër, një figurë e zhvendos kuptimin, ritmi e kërkon fjalinë ndryshe, ndërsa vetë logjika e tekstit fillon me kriju mundësi që në nisje s’i kam parapa. Në një pikë, poezia fiton ligjësinë e vet të brendshme dhe puna ime është edhe me pasë ndjeshmërinë me e dallu kah po shkon.

Unë do të doja me hy në poezi pa e ditë saktësisht ku kam me dalë, me e leju gjuhën me më çu përtej asaj që tashmë di me thënë, ndoshta edhe me e vu në dyshim zërin që e kam ndërtu gjatë këtyre tri dekadave. Sepse për mua krijimi vazhdon me pasë kuptim vetëm për aq kohë sa brenda tij mbetet diçka e panjohur

Koha javore: A mendoni se brezi i ri po e lexon dhe po e përjeton letërsinë shqiptare sa duhet?
D. Dabishevci:
Do të isha e kujdesshme me e gjyku brezin e ri për marrëdhënien që ka me librin. Ndoshta para se me pyetë pse të rinjtë s’po shkojnë mjaftueshëm kah letërsia, duhet me pyetë edhe sa mirë po dimë ne me e çu letërsinë deri te ta.

Koha javore: Cili ka qenë momenti më i bukur që ju ka dhuruar deri tani rrugëtimi juaj artistik?
D. Dabishevci:
E kam të vështirë me e ngushtu krejt këtë rrugëtim në një moment të vetëm, sepse mbas kaq vitesh bukuria ka marrë forma të ndryshme. Botimet të gëzojnë, përkthimet ta zgjerojnë hapësirën, promovimet e mbushin sallën, krejt këto kanë vlerën e tyre. Por, ndoshta entuziazmohem ende kur lexues t’panjohur gjatë takimeve letrare m’flasin për ndonjë poezi apo ma citojnë ndonjë varg që mundet që edhe e kam harru, duke ma bë me dije që e kanë bartë me vete për vite, dhe që ju ka shërby në ndonjë moment a gjendje t’veçantë jetësore…

Koha javore: Po momenti më i vështirë, ai që ju ka mësuar diçka të rëndësishme?
D. Dabishevci:
S’di a mundem me e veçu një moment dhe me i dhënë peshën e “më të vështirit”, sepse vështirësitë e mia në krijimtari s’kanë ardhë prej nji përplasjeje me publikun apo kritikën. Përkundrazi, kam pasë fatin që krijimtaria ime asht pritë mirë qysh herët, edhe atëherë kur kam shkru për tema që për kohën dhe mjedisin tonë kanë qenë tabu.
Momentet e vështira kanë qenë më intime dhe lidhen me vetë krijimin, mbase në ato periudha kur kërkesa ndaj vetes është rritë aq shumë sa s’kam mbërri me shkru atë që e kam mendu. Pra, ka pasë raste kur kam pasë mendim krejt të qartë, e kam ndie formën diku afër, e prapë gjuha m’ka refuzu për ditë, javë, nganjëherë edhe më gjatë. Për nji autor, kjo përballje me kufijtë e vet mundet me qenë shumë më e rëndë se një kritikë prej jashtë.
Prej kësaj e kam mësu durimin dhe, sidomos, kam mësu me e lënë tekstin, me u kthy, me e rishkru, madje edhe me e braktisë kur duhet. Nganjëherë pjekuria krijuese qëndron edhe në aftësinë me e pranu se fakti që ke diçka për me thënë s’do të thotë që e ke gjetë ende mënyrën me e thënë, apo që duhet me e thënë patjetër.

Koha javore: Çfarë do të dëshironit të mbetet nga puna juaj te lexuesit dhe te brezat që vijnë?
D. Dabishevci:
Autori e ka luksin me shpresu e vendimin, për fat, e merr dikush tjetër. Në përmasën më modeste, do të më mjaftonte me mbetë ndonjë poezi dashnie që dikush ia lexon njeriut që e do edhe mbas shumë vitesh.

Koha javore: Me çfarë projektesh apo sfidash të reja po merret Donika Dabishevci dhe çfarë mund të presim prej jush në të ardhmen?
D. Dabishevci:
Për punët e përditshme, për portalin, shtëpinë botuese dhe projektet e tjera që zhvillojmë vazhdimisht, do të mund të flisja gjatë, por kësaj here po zgjedh me mbetë te Donika poete, sepse sfida që më mundon më së shumti lidhet me vetë aktin e krijimit.
Mendoj se sot kërkoj prej poezisë pikërisht atë që ende s’e di. Për shumë vjet kam hy në të me disa pyetje që m’kanë përcjellë gjatë dhe kam kërku, përmes gjuhës, me iu afru sa ma shumë thelbit të tyre. Tash m’tërheq gjithnjë e më shumë ajo hapësirë ku vetë shkrimi mundet me më çu diku ku s’kam qenë, ku poezia pushon së qeni vetëm mënyrë me i dhënë formë një mendimi dhe bëhet mënyrë me mbërritë te një mendim që ende s’e kam.
Sepse, vjen një çast kur fillon me i njohtë mirë mjetet e tua, ritmin tënd, mënyrën se si e ndërton figurën, raportin që ke me gjuhën, dhe pikërisht atëherë lind nevoja me e trazu këtë siguri. E unë do të doja me hy në poezi pa e ditë saktësisht ku kam me dalë, me e leju gjuhën me më çu përtej asaj që tashmë di me thënë, ndoshta edhe me e vu në dyshim zërin që e kam ndërtu gjatë këtyre tri dekadave. Sepse për mua krijimi vazhdon me pasë kuptim vetëm për aq kohë sa brenda tij mbetet diçka e panjohur.
Nëse Grue prej zjermi ka mbyllë një rreth, atëherë ajo që kërkoj tash prej poezisë është me ma hapë një tjetër. Ende s’e di çfare e kah. Dhe ndoshta pikërisht kjo është pjesa më e bukur.

Bisedoi: Donika Lulgjuraj


Liria, fjala që përmbledh krijimtarinë e Donikës

Koha javore: Nëse do t’ju duhej të zgjidhnit vetëm një fjalë për ta përshkruar krijimtarinë tuaj, cila do të ishte dhe pse?
D. Dabishevci:
Liri. Ndoshta sepse asht fjala që i përmbledh ma së miri edhe temat që kam zgjedhë, edhe mënyrën se si kam zgjedhë me shkru. Liria për mua ka qenë gjithmonë më shumë se temë poetike. Ka qenë parim krijues. Liri me hy në çdo territor që më ka interesu, prej dashnisë, trupit e erotikës deri te lufta, dhuna, kujtesa e vdekja, me e çu mendimin deri aty ku kërkon vetë ai dhe me ia gjetë secilit libër gjuhën e formën që i takon.

Të fundit

më të lexuarat