Malësia në një poemë vizuale

Arlinda Dushaj e mbështet krijimtarinë e saj në traditën gojore, mitet dhe kujtesën kolektive. Përmes pikturës ajo eksploron marrëdhënien mes kujtesës dhe harresës, reales dhe imagjinares, si dhe identitetit personal e kolektiv. Veprat e saj ndërthurin figurën, simbolin dhe shtresat e ngjyrës, duke sjellë në sipërfaqe emocione dhe përvoja që shpesh mbeten të padukshme

“Malet e nalta m’shtrënguan fort, m’dhanë frymë e m’dhanë besë” – titullohet ekspozita individuale e piktores së re nga Malësia, Arlinda Dushaj, e cila u hap të hënën mbrëma, më 10 gusht 2026, në ambientet e Kullës së Vuksan Lekës, në fshatin Vuksanlekaj, në prani të një numri të konsiderueshëm të publikut vendas dhe të atyre të ardhur nga diaspora.
Në fillim të këtij aktiviteti artistik u fol për krijimtarinë artistike të piktores, shkollimin dhe pjesëmarrjet në projekte të ndryshme artistike brenda dhe jashtë vendit.
Një vështrim për krijimtarinë artistike të Arlindës e shpalosi përpara të pranishmëve historiania e artit Nella Gligoreviq, e cila theksoi se kur pa për herë të parë veprat e Arlindës, e intrigoi koloriti, siç tha ajo, pothuajse monokromatik, një paletë e përbërë vetëm nga disa ngjyra.
“E kuptova se mungesa e një palete të pasur kromatike nuk ishte thjesht një veçori formale e ciklit, por doja të kuptoja arsyen e kësaj zgjedhjeje. Për të qenë në gjendje të lexoja gjuhën vizuale të pikturave të Arlindës, në të cilën motivet tradicionale luajnë një rol kyç, ishte e nevojshme të njihja kontekstin kulturor dhe historik prej të cilit ajo lind, të drejtën zakonore të Malësisë, Kanunin, mitologjinë vendase, traditat gojore dhe sistemin e vlerave që ka formësuar jetën e komunitetit”, tha ajo.
Gligoreviq shtoi më tej se, si dikush që ka lindur në Podgoricë, është përballur me faktin se sa pak e njohim, në të vërtetë, njëri-tjetrin, pavarësisht se ndajmë të njëjtin vend, të njëjtit lumenj dhe një histori të shtresëzuar.
“Prandaj, kjo ekspozitë për mua u bë shumë më tepër sesa një takim me një poetikë të veçantë artistike. Ajo ishte një mundësi që, përmes pikturave të Arlindës, të njihja Malësinë – historinë e saj, mitologjinë, mënyrën se si komuniteti kultivon respektin e ndërsjellë, përgjegjësinë dhe solidaritetin. Në kohën në të cilën jetojmë, një marrëdhënie e tillë brenda komunitetit duket pothuajse si një utopi”, u shpreh historiania e artit.
Ndërkohë, Arlinda, tha ajo, pikturon një poemë vizuale mbi identitetin kulturor, komunitetin dhe përkatësinë.
“Motivet tradicionale në pikturat e saj janë bartëse arketipike të kuptimit dhe pika kyçe të artikulimit artistik, i cili lind nga nevoja personale për ta kuptuar dhe rilexuar trashëgiminë”, theksoi Gligoreviq.
Historiania e artit shtoi se ajo që e bën këtë cikël veçanërisht të rëndësishëm është mënyra se si artistja e riinterpreton rolin e gruas.
“Edhe pse mali më së shpeshti është simbol dhe shenjë e autoritetit të rendit patriarkal, tek Arlinda ai shndërrohet në një lidhje mes natyrës dhe gruas. Në veprat e saj takojmë nëna, paraardhëse dhe heroinat mitologjike: zanat, orët dhe hënën, figura që nuk qëndrojnë në margjinat e historisë, por janë në qendër të saj”, tha ajo.
Ndërkaq, autorja e kësaj ekspozite, Arlinda Dushaj, u shpreh se veprat e prezantuara para publikut kanë lindur nga një vazhdimësi e një kërkimi dhe dialogu të brendshëm.
“Gjithmonë në përpjekje për të kuptuar dhe shprehur atë që nganjëherë është shumë vështirë të thuhet me fjalë. Shpresoj se secili nga ju të gjejë diçka të veten në to, sepse besoj që arti nuk përfundon në momentin kur vepra krijohet por atëherë kur ajo vazhdon të krijojë dialog dhe të bisedojë me shikuesin”, theksoi ajo.
Arlinda Dushaj është artiste e artit pamor, e specializuar në dizajnin e komunikimit vizual. Ka përfunduar studimet për Pikturë dhe Grafikë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe specializimin në Dizajn të Komunikimit Vizual në Universitetin “Mediteran” në Podgoricë. Në vitin 2022 përfundoi Akademinë “Mollen” në Beograd për dizajn të enterierit.
Ka marrë pjesë në ekspozita dhe projekte artistike në Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, ndërsa ka bashkëpunuar edhe në projekte edukative për të rinjtë përmes artit. Në vitin 2025 u përzgjodh ndër dhjetë artistët shqiptarë për Çmimin “Idromeno” dhe u bë anëtare e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Malit të Zi.
Arlinda Dushaj e mbështet krijimtarinë e saj në traditën gojore, mitet dhe kujtesën kolektive. Përmes pikturës ajo eksploron marrëdhënien mes kujtesës dhe harresës, reales dhe imagjinares, si dhe identitetit personal e kolektiv. Veprat e saj ndërthurin figurën, simbolin dhe shtresat e ngjyrës, duke sjellë në sipërfaqe emocione dhe përvoja që shpesh mbeten të padukshme. Procesi i saj artistik ndërthur intuitën, kontrollin dhe rastësinë, duke e trajtuar mitin si një hapësirë intime dhe bashkëkohore.
Përmes pikturës, Arlinda sjell një mënyrë personale për të parë Malësinë. Ajo përcjell dashurinë për vendin, lidhjen me rrënjët dhe kujtesën që kalon nga një brez te tjetri.

T. Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat