Urë lidhëse mes së kaluarës dhe së ardhmes

Temë qendrore e Takimeve të 49-ta letrare të Plavës, programin e të cilit e kanë udhëhequr aktorët e mirënjohur malazezë Sllobodan Marunoviq dhe Sllagjana Bubanja, ka qenë prezantimi i poetëve të ftuar nga Mal i Zi, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova. 15 poetët e ftuar janë paraqitur me nga një, dy apo tri poezi të zgjedhura në gjuhët: malazeze, shqipe, boshnjake dhe serbe nga opusi i begatë i krijimtarisë së tyre

Manifestimi i përbashkët tradicional pesëditor (7-11 tetor 2026) i Takimeve të 49-ta letrare të Plavës dhe i Kolonisë së 24-t figurative “Liqeni i Plavës”, i organizuar nën moton “Vjeshta kulturore e Plavës 2026”, filloi në mbrëmjen e ditës së mërkurë (7 tetor 2026) në Galerinë e Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”.
Moderatorja e programit të manifestimit, Aleksandra Llaban, pas fjalës përshëndetëse në emër të nikoqirit, shpalli të hapur ekspozitën individuale me titull “Nëpër Mal të Zi” të piktores së mirënjohur nga Kroacia, Milena -Milla Vlladisavleviq, të përbërë nga 18 punime, të gjitha me motive nga peizazhet e natyrës. Për shkak të gjendjes shëndetësore, vetë piktorja nuk ishte e pranishme, ndërsa për veprimtarinë e saj krijuese foli piktori nga Podgorica, Mirko Dragoviq.
Në vazhdim të programit të ditës së parë të manifestimit, moderatorja Llaban, po në Galerinë e Qendrës për Kulturë prezantoi jetën dhe veprimtarinë krijuese artistike të piktorëve pjesëmarrës në Koloninë figurative të këtij viti: nga Mali i Zi – Angelina Janjusheviq, Mirko Dragoviq, Kaltrina Hoti (Plavë), Arijeta Luceviq (Guci), Zharko Pllavshiq, Senadin Pupoviq, Jana Rahoviq dhe Mille Allbijaniq, nga Serbia – Jasna Pavlloviq dhe nga Kroacia – Milena Milla Vlladisavleviq. Kurse në orët e mbrëmjes në sallën e koncerteve të Qendrës për Kulturë, në praninë e një numri të konsiderueshëm adhuruesisht të muzikës klasike është mbajtur Koncerti akustik – Galija, me moton “Edhe më tutje ëndërroj”, programi i të cilit ka zgjatur rreth dy orë.
Para fillimit të koncertit, manifestimin e ka shpallur të hapur solemnisht kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, i cili në fjalën e rastit ka thënë se “Vjeshta kulturore e Plavës për vite me radhë tubon krijues, nxënës, profesorë, artistë dhe qytetarë, kultivon atë që ne na bën të veçantë: gjuhën, lojën, librin, artin dhe kujtesën”.
Ai më tej ka treguar se ky manifestim përfshin mbrëmje letrare, ekspozita, përurime të librave dhe takime me autorë, të gjitha me qëllim që të ruhet dhe promovohet trashëgimia kulturore-historike e Plavës.
“Për këtë, ky manifestim është urë lidhëse mes së kaluarës dhe së ardhmes, vend ku tradita nuk ruhet në bodrumin e pluhurosur të mbyllur, por jeton në çdo valë, lëvizje dhe buzëqeshje. Botimi i Monografisë ‘Plava qytet në liqe’, pa dyshim është një arritje e madhe për komunën tonë. Është vepër vërtet me peshë dhe vlerë të papërshkruar. Është letërnjoftim dhe pasqyrë gjithëpërfshirëse e Plavës ndër shekuj”, ka thënë kryetari i Komunës së Plavës.
Dita e dytë e manifestimit (e enjte, 8 tetor 2026) i është kushtuar jetës dhe veprimtarisë krijuese letrare të poetit, shkrimtarit dhe përkthyesit nga Plava, Ismet Markoviq – Pllavnik. Në hollin e Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” për jetën dhe veprimtarinë e tij në mënyrë inspirative në praninë e një numri bukur të madh të fjalës së shkruar, folën: Senada Gjesheviq, Aleksandar Llakoviq dhe Faruk Dizdareviq. Programin e drejtoi moderatorja Aleksandra Llaban.
Dita e tretë e manifestimit filloi në orët e paradrekës së ditës së premte (9 tetor 2026), në Galerinë e Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, me takimin e poetëve me nxënës ku ishin tubuar nxënësit e shkollave fillore “Hajro Shahmanoviq” – Plavë dhe “Petar Dedoviq” – Murinë, me të cilët në punëtorinë letrare-artistike kanë biseduar shkrimtarët për fëmijë: Sonja Millovanoviq dhe Sllobodan Zoran Obradoviq. Me shprehjet e veta me fëmijët e pranishëm, shkrimtarët për fëmijë kanë zgjuar tek ata ndjenjën më të pastër të njeriut – imagjinatën. Në mënyrë të ngrohtë dhe me shprehje pedagogjike, Millovanoviq dhe Obradoviq kanë treguar se letërsia mund të jetë rrugëtim i fuqishëm deri te vetvetja. Ata kanë lexuar vargje nga opusi i tyre i begatë dhe me nxënës kanë zhvilluar biseda të ndërsjella mbi krijimtarinë letrare si dhe janë përgjigjur në pyetjet e nxënësve.
Në orët e buzëmbrëmjes, në hollin e Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, në praninë e një numri të konsiderueshëm të publikut është bërë promovimi i përmbledhjes së tregimeve “Autograf” të autorit Afan Llatiq. Librin e ka prezantuar dhe me autorin e tij ka zhvilluar bisedë rreth një orë aktori i mirënjohur Sllobodan Marunoviq.
Ndërkaq, në orët e mbrëmjes së po të njëjtës ditë, në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” është mbajtur mbrëmja poetike e poetëve të vendlindjes, e cila ka qenë e përmbushur me emocione dhe frymëzime të veçanta. Në këtë aktivitet letrar kanë marrë pjesë poetët e shquar nga Plava me rrethinë: Sajma Feratoviq, Senadin Pupoviq, Asja Kolenoviq, Rasim – Ralle Gutiq, Kaltrina Hoti, Afan Llatiq dhe Bajram Nelkoviq, të cilët publikut u janë prezantuar me nga dy poezi në gjuhën malazeze, pos poetes Kaltrina Hoti e cila një poezi e ka lexuar në gjuhën shqipe. Ishte kjo mbrëmje poetike të cilën me plot sukses e kanë drejtuar aktorët Sllagjana Bubanja dhe Sllobodan Marunoviq, të cilët në atmosferë të ngrohtë dhe miqësore kanë lexuar dhe recituar vargjet e kolosëve, frymëzimi krijues i të cilëve në përjetësi ka qenë i pranishëm atë mbrëmje. Vargjet mbresëlënëse ishin të poetëve të mëdhenj nga Plava: Radovan Zogoviq, Ahmet Pupoviq, Jashar Rexhepagiq, Ismet Markoviq – Pllavnik, Esad Mekuli dhe Dushan Kostiq, që kanë ndriçuar hapësirën dhe përmbushur zemrat e të gjithë të pranishmëve.
Dita e katërt e manifestimit (e shtunë, 10 tetor 2026) ka filluar në orët e mbrëmjes me koloritin e ngjyrave. Galeria e Qendrës për Kulturë ka qenë e stërmbushur me adhurues të fjalës së shkruar letrare e të artit të bukur pamor. Në ballinat e mureve të saj kanë qëndruar të varura pëlhurat me piktura, të cilat janë krijuar gjatë ditëve në nënqiellin e hapur mu pranë liqenit të Plavës dhe rrëzë bjeshkës së Visitorit kreshnik nga piktorët pjesëmarrës të Kolonisë së 24-t figurative “Liqeni i Plavës”.
Por pa dyshim, temë qendrore e Takimeve të 49-ta letrare të Plavës, programin e të cilit e kanë udhëhequr aktorët e mirënjohur malazezë Sllobodan Marunoviq dhe Sllagjana Bubanja, ka qenë prezantimi i poetëve të ftuar nga Mal i Zi, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova. 15 poetët e ftuar janë paraqitur me nga një, dy apo tri poezi të zgjedhura në gjuhët: malazeze, shqipe, boshnjake dhe serbe nga opusi i begatë i krijimtarisë së tyre.
Në programin e mbrëmjes qendrore të Takimeve të 49-ta letrare të Plavës morën pjesë: nga Mali i Zi – Violleta Manoviq, Gordan Çampar, Adnan Avdiq, Mark Pashku Lucgjonaj (poeti i vetëm shqiptar nga Mali i Zi, i cili dy poezi i lexoi në gjuhën malazeze dhe njërën prej tyre të përkthyer e lexoi në gjuhën shqipe), Jovan Drashkoviq, Spasoje Bajoviq dhe Senada Gjesheviq; nga Bosnja e Hercegovina – Jasmina Hanjalliq dhe Zehra Maksumiq; nga Kosova – Prof. Dr. Shyqyri Galica dhe Arbnesha Kelmendi – Draga, të cilët nga dy poezi i lexuan në gjuhën shqipe; dhe nga Serbia – Emsura Hamziq, Selvija Ferizoviq dhe Sonja Millovanoviq. Gjatë programit të mbrëmjes qendrore të poezisë, të pranishmit i argëtoi violinistja Eleonora Vujoviq.
Dita e pestë e manifestimit i është kushtuar përcjelljes solemne dhe falënderimit të pjesëmarrësve.
Manifestimi i përbashkët tradicional Takimet e 49-ta letrare të Plavës dhe Kolonia e 24-t figurative “Liqeni i Plavës” u organizua nga Qendra për Kulturë “Husein Bashiq”, nën patronatin e Komunës së Plavës dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Medias.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat