
Kolonitë shqiptare në vende të ndryshme të botës kanë luajtur rol të rëndësishëm, bile mund të thuhet shpesh vendimtar në proceset më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, si në të kaluarën ashtu edhe sot.
Në këtë drejtim, disa prej qendrave më të njohura evropiane të kohës, si Padova, Venecia, Firenca, Trieste, Zara, Raguza etj., ku u vendosën të shpërngulurit nga tokat arbërore pas pushtimit të tyre, zënë vend të posaçëm. Për disa prej tyre, ato jo vetëm që u bënë atdheu i tyre i dytë, por ishin qendra të formimit dhe zhvillimit të veprimtarisë së tyre intelektuale.
Në fokus të studimit të Albert Bikajt është një periudhë e rëndësishme e historisë së njerëzimit – mesjeta e vonshme dhe periudha e hershme moderne (shekujt XIV-XVI), kur lindi dhe u zhvillua humanizmi dhe renesanca, e njohur si një lëvizje evropiane e reformimit intelektual, kulturor dhe arsimor. Më saktë, ai përqendrohet në ligjërimin (diskursin) kombëtar të humanistëve arbërorë (shqiptarë) dhe ndikimin e tyre në formësimin e mendimit kombëtar. Ai ka përzgjedhur të analizojë veprat e tre prej humanistëve arbërorë më të shquar të kohës: Dhimitër Frangut, Marin Barletit dhe Marin Beçikemit (Po përmendi me këtë rast edhe humanistët e shquar arbërorë si Gjon Gazulli, Aleksi Andrea (Durrsaku), të cilët nuk janë pjesë e këtij studimi!)
Përkundër faktit se ishin të detyruar të largohen për shkak të pushtimeve të vazhdueshme të trevave arbërore, ata nuk i kanë shkëputur asnjëherë lidhjet me atdheun e tyre, duke bërë një jetë të dyzuar midis atdheut të vërtetë dhe atdheut të tyre të dytë. Kjo më së qarti vërehet në veprat e tyre që i shërbejnë kujtesës sonë historike.
Duke jetuar në qendrat evropiane të zhvillimit të humanizmit, ata patën mundësinë të njihen me zhvillimet arsimore, kulturore, politike etj., të përvetësojnë idetë përparimtare të kohës dhe të bëhen vetë bartës të këtyre ideve iluministe. Kësisoj ata do të bëhen urë lidhëse të atdheut të tyre dhe vendeve evropiane, duke transmetuar te shqiptarët traditën më të mirë të mendimit evropian.
Siç konstaton recensenti i librit, historiani i njohur i periudhës së mesjetës, Prof. dr. Jahja Drançolli: “Në një kohë kur Arbënia gjendej përballë rreziqeve të mëdha politike dhe kulturore, këta burra të dijes u formuan në universitetet më të njohura të Evropës dhe sollën më vete një frymë të re mendimi – atë të identitetit, të kujtesës historike dhe të përkatësisë kombëtare”.
Për të kuptuar veprën dhe veprimtarinë e tyre duhet pasur parasysh kontekstin kohor dhe shoqëror në të cilin kanë jetuar dhe vepruar humanistët arbërorë. Për këtë qëllim, autori na ofron në mënyrë sintetizuese një panoramë të zhvillimit të humanizmit si lëvizje reformuese dhe një qasje teorike mbi kohën kur zë fill ideja për kombin dhe ligjërimi për të (ligjërimi/diskursi kombëtar). Në këtë kontekst trajtohet dhe analizohet jeta dhe vepra e tre humanistëve arbërorë.
Autori mbështetet në teorinë e historianit zvicerian Caspar Hirschi, sipas të cilit nacionalizmi nuk është një zhvillim i vonshëm i shekullit XVIII, siç pretendojnë modernistët, por “u zhvillua gradualisht që nga Roma e lashtë deri te humanistët e shekullit XV”.
Për të argumentuar tezën e vet kërkimore, autori bazohet në metodën e imazhologjisë, domethënë perceptimit të tjetrit, përfshirë edhe vetëperceptimin (imazhin për vetveten), si një metodë e re në studimet krahasuese. Konkretisht, ai analizon ndërtimin e imazhit të kombit në veprat e humanistëve arbërorë.
Topologjia e ligjërimit kombëtar analizohet përmes katër toposeve kryesore ose të përbashkëta në veprën e tre humanistëve arbërorë: 1. Miti mbi origjinën kombëtare; 2. Shtrirja gjeografike kombëtare; 3. Karakterologjia kombëtare; dhe 4. Heronjtë kombëtarë; duke arritur në përfundimin se “edhe ndër humanistët arbënorë, ashtu si te humanistët e tjerë në Evropë, është zhvilluar diskurs i ngjashëm kombëtar, madje me topose tipike…” dhe se krahas diskursit kombëtar, i pranishëm dhe dominues ka qenë edhe diskursi fetar. Në njëfarë mënyre, kjo është edhe e vetëkuptueshme, aq më tepër kur kemi parasysh faktin se tre humanistët arbërorë nuk kishin të përbashkët vetëm prejardhjen e tyre (kujtoj se dy prej tyre – Marin Barleti dhe Marin Beçikemi kanë lindur në Shkodër, kurse Dhimitër Frangu në Drisht), por dy prej tyre ishin klerikë katolikë (Dhimitër Frangu dhe Marin Barleti). Ashtu siç janë krejtësisht të kuptueshme për kohën përpjekjet joshkencore të humanistëve arbërorë për të gjetur dhe krijuar medoemos lidhje të arbërorëve me truallin e dikurshëm romak apo Republikën e Venedikut (Shën Markut).
Ndërkohë që mitizimi i figurës së Skënderbeut nga humanistët arbërorë përdoret në funksion të ndërtimit të imazhit pozitiv të vetvetes, domethënë të arbënve (popullit arbëror – shqiptar). Në këtë prizëm, duke krijuar një paralelizëm me kulturat e tjera evropiane dhe ligjërimin e tyre kombëtar, në kohën kur italianët kishin si hero të tyre humanistin e parë Françesko Petrarkën, gjermanët kishin shpikësin e shtypshkronjës Johanes Gutenbergun, shqiptarët kishin Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, i cili, sipas humanistëve arbërorë, jo vetëm që mbrojti vendin e vet – Arbëninë, por edhe Evropën dhe krishterimin nga depërtimi osman.
Në vazhdim po jap edhe disa vlerësime për autorin, librin dhe humanistët arbërorë.
Humanizmi dhe humanistët arbërorë, gjë që del edhe nga ky libër, paraqesin një periudhë të ndritur për kombin tonë. Përmes ligjërimit kombëtar të tyre ndikuan në vetëdijesimin mbi rëndësinë e identitetit kombëtar arbëror (shqiptar). Tre autorët arbërorë frymëzuan dhe i hapën udhë formësimit të mendimit kombëtar, sepse mbi bazën e ideve, veprave e mësimeve të tyre do të mbështeten dhe vazhdojnë traditën rilindasit shqiptarë. Duke qenë dëshmitarë të kohës, veprat e tyre, në mënyrë të veçantë ato për Skënderbeun dhe rrethimin e Shkodrës, shërbejnë si pikë reference për studimet historiografike.
Përzgjedhja e temës nga autori ka rëndësi për studimet shqiptare dhe më gjerë. Me këtë autori tregon preokupimin e tij për çështje e tema që lidhen me kombin dhe identitetin kombëtar.
Libri “Zanafilla e mendimit kombëtar: diskursi i humanistëve arbënorë përgjatë renesancës” (titulli në origjinal në gjuhën kroate “Nacionalni diskurs albanskih humanista krajem 15. i početkom 16. stoljeća”) është një studim krahasues. Veprën dhe veprimtarinë e humanistëve arbërorë, autori e trajton në një kontekst më të gjerë, duke e përqasur me veprën e humanistëve dalmatë apo vëllazërive të tjera që në atë kohë vepronin në Republikën e Venedikut.
Përtej një punimi shkencor, ky libër ka edhe karakter edukativ për lexuesin e përgjithshëm, për të cilin ofron të dhëna të përgjithshme mbi humanizmin dhe humanistët arbërorë, përfshirë edhe dinastinë Engjëllore.
Me këtë libër, të shkruar me akribi shkencore, autori dëshmon se e ka kompetencën e duhur për të trajtuar objektin e studimit. Në favor të këtij konstatimi flet ekonomizimi shkencor. Na qëllon jo rrallë të ndeshemi me libra, jo vetëm në rrafshin lokal por ndonjëherë edhe më gjerë, ku autori përkundër dëshirës dhe qëllimit të mirë, humb në sasinë e të dhënave dhe dokumenteve duke i ofruar lexuesit, pa ndonjë kriter përzgjedhës, gjithë lëndën e parë bruto për një temë të caktuar, pa ndonjë strukturë logjike të ndërtimit të librit etj. Me këtë tregon se është një studiues amator, i cili nuk i njeh as parimet themelore të metodologjisë shkencore.
Ashtu si në gazetari, ku gazetari i mirë di të përzgjedhë çfarë është më e rëndësishme e çfarë jo, edhe në shkencë studiuesi i mirë di të përzgjedhë faktet dhe dokumentet më relevante për temën që shtjellon nga moria e të dhënave të grumbulluara. Prandaj Bikaj ndjek me rigorizitet parimin e ekonomizimit shkencor, ashtu siç bën një gjuhëtar apo gazetar i mirë falë ekonomisë gjuhësore.
Duke e përvijuar më tej këtë argument, një vepër e mirë nuk vlerësohet nga sasia por nga cilësia, nuk vlerësohet nga numri i faqeve por nga përmbajtja e saj. Dhe ky libër që po prezantojmë sonte është dëshmia më e mirë e një pohimi të tillë.
Pavarësisht një lloj pëlqimi që autori ka ndaj tre humanistëve, për shkak të rolit të tyre për kulturën arbërore-shqiptare, ai nuk ngurron të pohojë, nënkupto të kritikojë, disa teza të tyre joobjektive dhe joshkencore.
Së fundi, ky studim i Albert Bikajt përbën një ndihmesë për historiografinë shqiptare në veçanti dhe për historiografinë në përgjithësi, sidomos për periudhën e humanizmit si një periudhë të rëndësishme të njerëzimit.
(Vështrimi është lexuar në përurimin e librit në Tuz, më 1 mars 2026)
