Kritikat nga lexuesit e mirëfilltë, njëudhëzues për mua

Mark Pashku - Lucgjonaj ka lindur në Podgoricë, në vitin 1986. Studimet katërvjeçare për Gjuhë dhe letërsi shqipe i ka përfunduar në Prishtinë, ndërsa studimet master për Etnokulturë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Është autor i vëllimit poetik “Zhurma e mendimeve” dhe i romaneve “Fshati i heshtjes”, “Ligji i maskave”, “Humbja” dhe “Livia”. Ka fituar Çmimin “Rexhai Surroi” për romanin “Humbja” në vitin 2021. Romanet e tij janë përkthyer në gjuhën malazeze, angleze, gjermane dhe franceze

Koha javore: Çfarë ju frymëzoi që të filloni të shkruani?
M. Pashku:
Si fëmijë kam filluar të shkruaj poezi, të cilat kryesisht ia kam dedikuar Kosovës dhe popullit shqiptar atje, i cili po përballej me një gjenocid. Në të njëjtën kohë, në fshatin tim Narhelm (Nënhelm), por edhe në mbarë Malësinë, gjendeshin forcat ushtarake serbe me mjetet më të sofistikuara. Si fëmijë i kam përjetuar rëndë këto momente dhe shkrimi më qetësonte sadopak.
Më pas, me kalimin e viteve, letërsia dhe leximi i saj m’u kthyen në pasion, derisa vendosa të studioj për gjuhë dhe letërsi shqipe. Si student kam shkruar vazhdimisht gjëra të ndryshme, të cilat asnjëherë nuk janë botuar deri më sot, por që kanë qenë, mund të them, provat e mia të para në të shkruar.

Koha javore: Cili ka qenë libri juaj i parë dhe si u prit nga lexuesit?
M. Pashku:
Përmbledhja ime e parë me poezi “Zhurma e mendimeve”, e përkthyer nga Nikollë Berishaj në gjuhën malazeze, është libri im i parë, por që nuk ka arritur në duart e shumë lexuesve, edhe pse ka pasur mjaft reagime pozitive nga ata pak lexues. Për mua mbetet një libër fillestar.
Më pas, romani “Fshati i heshtjes” ishte libri që u prit shumë mirë nga kritika, nëse mund ta quajmë ashtu, dhe në veçanti nga lexuesit e të gjitha moshave. U cilësua si një roman me frymë të re, me stil origjinal në letërsinë shqipe në Mal të Zi, gjë që më dha edhe më shumë besim se duhet të vazhdoja të shkruaja.

Koha javore: Si e përshkruani stilin tuaj letrar?
M. Pashku:
Stilin tim letrar do ta cilësoja si një përpjekje të vazhdueshme për të depërtuar në thellësinë e shpirtit njerëzor. Nuk më mjafton rrëfimi i thjeshtë i ngjarjeve; për mua më e rëndësishme është ajo që ndodh brenda njeriut, mendimet, dilemat dhe konfliktet e tij të brendshme.
Gjuha që përdor është e kujdesshme dhe shpesh figurative, sepse besoj se realiteti nuk mund të shprehet gjithmonë drejtpërdrejt. Përmes metaforave dhe simbolikës mundohem të jap kuptime më të thella, duke i lënë lexuesit hapësirë për interpretim.
Në veprat e mia, si “Humbja”, “Fshati i heshtjes” dhe “Livia” kam synuar të ndërtoj një atmosferë reflektuese, ku ritmi nuk është i shpejtë, por i qetë dhe meditativ. Më intereson më shumë procesi i brendshëm sesa aksioni i jashtëm.
Temat që trajtoj lidhen shpesh me vetminë, humbjen, identitetin dhe marrëdhëniet njerëzore. Përmes tyre përpiqem të kuptoj dhe të shpjegoj raportin e individit me vetveten dhe me shoqërinë.
Në thelb, stili im është një kërkim i vazhdueshëm për kuptim, një dialog i heshtur mes autorit, personazheve dhe lexuesit.

Koha javore: A ka ndonjë autor që ka ndikuar fuqishëm në krijimtarinë tuaj?
M. Pashku:
Besoj se duhet të jenë më shumë se një, pasi letërsia, duke filluar prej asaj antike e deri tek ajo e sotmja, ka ngjashmëritë dhe individualitetet e veta. Unë do të thoja se autori që preferoj më së shumti është Gabriel García Márquez.

Koha javore: Çfarë vlere ka për ju çmimi “Rexhai Surroi”?
M. Pashku:
Natyrisht, me çmimin “Rexhai Surroi” ndihem i vlerësuar, duke ditur se këtë çmim e kanë fituar shkrimtarë si Ismail Kadare, Ridvan Dibra, Agron Tufa, Fatos Kongoli dhe Zija Çela. Të rreshtohesh përkrah këtyre emrave është gjithmonë kënaqësi. Por, më besoni, çmimi më i madh për mua është ai që ta jep lexuesi.

Koha javore: Si duket një ditë tipike e juaja gjatë procesit të shkrimit?
M. Pashku:
Unë shkruaj aty ku ndihem rehat; mund të jem në natyrë, në parkingun e automobilave, në aeroport, në dhomë, në zyrë apo në kafene. Pra, shkruaj aty ku ndihem mirë.
Ndërsa procesi i përpunimit të lëndës së parë, që do ta quaja puna e laboratorit letrar, për mua kërkon një distancim nga bota reale, për çka përditshmëria më vë përballë sfidave të shumta.

Koha javore: Çfarë roli luan leximi në jetën tuaj të përditshme?
M. Pashku:
Leximi është si ushqimi. Nëse lexon mjaftueshëm, truri punon më lehtë, më ëmbël e më bukur. Bota përreth bëhet më fantastike. Nëse lexon pak, atëherë realiteti jetësor bëhet më i egër.

Koha javore: Cila është sfida më e madhe që hasni gjatë shkrimit?
M. Pashku:
Sfida më e madhe, besoj, është të krijoj një botë të thjeshtë dhe njëkohësisht komplekse, aq sa të jetë e kuptueshme.

Koha javore: Si e përballoni kritikën ndaj veprave tuaja?
M. Pashku:
I mirëpres! Kritikat që vijnë nga lexues të mirëfilltë janë një udhëzues për mua si shkrimtar. Kanë më shumë vlerë sesa lëvdatat e lexuesve mesatarë.

Koha javore: Çfarë mesazhi dëshironi të përcillni te lexuesit tuaj?
M. Pashku:
Letërsia nuk përcjell vetëm një mesazh. Njerëzimi ka nevojë për lexim, art dhe shpresë.

Koha javore: A keni ndonjë ritual para se të filloni të shkruani?
M. Pashku:
Ndoshta gjatë shkrimit bëj shumë shkarravina, vizatime dhe, në disa raste, përhumbem në meditim. Nuk do t’i quaja rituale.

Koha javore: Si e shihni zhvillimin e letërsisë shqipe sot?
M. Pashku:
Ka shkrimtarë mjaft të mirë, mirëpo letërsia shqipe duhet të çlirohet nga shumë komplekse, ku njëri prej tyre është krijimi i një bote shqiptare në geto, pra futja e letërsisë shqipe në burgun e një kulture që mezi merr frymë. Besoj se letërsia shqipe ka nevojë për dritë.

Koha javore: Si ndikojnë përvojat personale në shkrimet tuaja?
M. Pashku:
Leximi dhe përvoja, pra përditshmëria, normalisht janë motorët e krijimtarisë sime, të cilët nuk mund t’i mohoj; ndoshta ato janë gjithçka për krijimtarinë time.

Koha javore: Çfarë këshille do t’u jepni shkrimtarëve të rinj?
M. Pashku:
Letërsia është e bukur. Ajo kërkon shpirt të lirë dhe besim se bota bëhet më e mirë përmes shkrimeve. Pra, u them të besojnë.

Koha javore: A jeni duke punuar aktualisht në një projekt të ri?
M. Pashku:
Unë përherë shkruaj dhe krijoj. Viteve të fundit jam marrë me punimin e dokumentarëve, mirëpo letërsia mbetet e preferuara ime.

Bisedoi: Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat