Një nismë për mungesën elibrave parashkollorë në shqip

Libri më i ri “Guaska e artë”, i shtati me radhë i edukatores Lumnije Rexha - Bisha, vjen si rezultat i një përvoje të gjatë në punën e saj me fëmijët e moshës parashkollore, si një iniciativë personale dhe një kontribut i rëndësishëm në mungesë të teksteve zyrtare në shqip për këtë grupmoshë, duke dëshmuar përkushtimin e autores ndaj edukimit të hershëm. I botuar nga “Art Club”-i, ky libër sjell një qasje praktike dhe të domosdoshme për edukimin e hershëm në gjuhën shqipe. Në këtë bisedë, ajo flet për motivimin, rëndësinë e edukimit të hershëm dhe sfidat reale në mungesë të materialeve për këtë grupmoshë

Koha javore: Zonja Bisha, “Guaska e artë” është libri juaj i shtatë. Çfarë e dallon këtë botim nga të mëparshmit?
L. Rexha – Bisha:
Ky libër është ndoshta më i lidhuri drejtpërdrejt me praktikën time të përditshme si edukatore. Ndryshe nga botimet tjera, këtu kam përmbledhur materiale konkrete didaktike që i kam përdorur ndër vite me fëmijët. Është një libër pune, por edhe një udhërrëfyes për zhvillimin e hershëm të tyre.

Koha javore: Çfarë ju shtyu të hartoni një libër të tillë?
L. Rexha – Bisha:
Arsyeja kryesore është mungesa e librave në gjuhën shqipe për fëmijët parashkollorë. Nga Enti (i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore) dhe ministria përkatëse nuk ka materiale të mirëfillta që t’i ndihmojnë këta fëmijë në përgatitjen për klasën e parë. Kjo më shtyu që, si një vetiniciativë, të mbledh dhe sistemoj ushtrime dhe metoda që i kam përdorur në praktikë.

Koha javore: Pra, mund të themi se libri vjen si një përgjigje ndaj një nevoje konkrete?
L. Rexha – Bisha:
Pikërisht. Është një nevojë reale në terren. Fëmijët kanë nevojë për materiale të përshtatura në gjuhën e tyre dhe në nivelin e tyre zhvillimor.

Koha javore: Kujt i dedikohet më shumë ky libër, fëmijëve apo edukatorëve?
L. Rexha – Bisha:
Libri është menduar si një urë mes të dyve. Fëmijët e përdorin përmes aktiviteteve, ndërsa edukatorët dhe prindërit e kanë si një mjet orientues. Qëllimi është që të gjithë të jenë pjesë e procesit të të nxënit.

Koha javore: Sa e rëndësishme është përgatitja parashkollore për fëmijët?
L. Rexha – Bisha:
Është thelbësore. Në këtë periudhë vendosen bazat e të nxënit, jo vetëm njohuritë, por edhe shprehitë, përqendrimi, komunikimi dhe vetëbesimi. Nëse këto zhvillohen si duhet, kalimi në klasën e parë bëhet shumë më i lehtë.

Koha javore: Çfarë përmban konkretisht “Guaska e artë”?
L. Rexha – Bisha:
Libri përmban ushtrime didaktike, aktivitete kreative, lojëra edukative dhe materiale që stimulojnë të menduarit logjik dhe zhvillimin gjuhësor. Kam tentuar që gjithçka të jetë e thjeshtë, e kuptueshme dhe e përshtatshme për moshën.

Koha javore: Si e shihni rolin e librit në një kohë kur fëmijët janë gjithnjë e më të lidhur me teknologjinë?
L. Rexha – Bisha: Libri mbetet i pazëvendësueshëm. Ai krijon një raport të drejtpërdrejtë me fëmijën, nxit imagjinatën dhe përqendrimin. Teknologjia mund të jetë ndihmëse, por libri është baza.

Koha javore: A keni plane për botime të tjera në të ardhmen?
L. Rexha – Bisha: Po, sigurisht. Kam ide dhe materiale të tjera që dua t’i zhvilloj më tej, gjithmonë në funksion të edukimit dhe zhvillimit të fëmijëve.

Koha javore: Një mesazh për institucionet dhe prindërit?
L. Rexha – Bisha: Institucionet duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje këtij niveli edukimi dhe të sigurojnë materiale në gjuhën shqipe. Ndërsa prindërit dhe edukatorët të punojnë sa më shumë me fëmijët, sepse kjo është baza e së ardhmes së tyre.

Bisedoi: D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat