Në garë 22subjekte politike dhe tri koalicione

Ndër ndryshimet kryesore është se ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani - Sadriu do të garojë me listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke qenë bartëse e listës së këtij subjekti politik, kurse Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, e cila në zgjedhjet e fundit mori vetëm 15189 vota, apo 1.59 për qind, larg pragut prej 5 për qind për të hyrë në Kuvend, nuk është regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, që do të mbahen më 7 qershor 2026, do të garojnë 22 subjekte politike dhe tri koalicione.
Për dallim nga zgjedhjet e kaluara parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, do të ketë disa ndryshime.
Ndër ndryshimet kryesore është se ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu do të garojë me listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke qenë bartëse e listës së këtij subjekti politik, kurse Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, e cila në zgjedhjet e fundit mori vetëm 15189 vota, apo 1.59 për qind, larg pragut prej 5 për qind për të hyrë në Kuvend, nuk është regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje.
Ashtu si edhe në zgjedhjet e kaluara, Lëvizja Vetëvendosje si partia kryesore dhe më e madhe, do të marrë pjesë në koalicion me Guxo, Alternativa dhe Partinë Shqiptare Demokristiane.
Të martën në mesnatë (12 maj 2026) ka qenë afati që subjektet politike dhe koalicionet t’i dorëzojnë online listat me emrat e kandidatëve për deputetë për certifikim të pjesëmarrjes në këto zgjedhje.
Kosova shkoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasi që dështoi të zgjedhë presidentin në afatin kushtetues.
Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajsh, pas atyre në shkurt dhe dhjetor 2025.

(Kohapress/REL)

Të fundit

më të lexuarat