Në Qendrën për Kulturë në Rozhajë, të shtunën (9 maj 2026) është mbajtur edicioni XVI i Manifestimit kulturor tradicional “Ora e Maleve“.
Në fjalën e hapjes së manifestimit u tha se sot shënojmë 27-vjetorin e vrasjes së refugjatëve kosovarë në komunën e Rozhajës, një nga plagët më të rënda dhe më të dhimbshme të kujtesës sonë kolektive.
“Me respekt dhe dhimbje përkujtojmë jetët e pafajshme që u shuan padrejtësisht, njerëz që kërkonin vetëm siguri, strehim dhe shpëtim nga lufta. Edhe pas 27 vitesh, familjet e viktimave vazhdojnë të presin të vërtetën e plotë dhe drejtësinë e merituar. Krimet kundër civilëve të pafajshëm nuk vjetrohen dhe nuk duhet të harrohen. Heshtja nuk sjell pajtim, ndërsa drejtësia është kusht për paqe dhe dinjitet njerëzor. Sot, më shumë se kurrë, kërkojmë që institucionet përgjegjëse të zbardhin plotësisht këtë krim, të vënë para përgjegjësisë autorët dhe të nderojnë kujtimin e viktimave me të vërtetën që iu takon. Lavdi viktimave të pafajshme! Kujtesa për ta do të jetojë gjithmonë. Drejtësi për refugjatët kosovarë!”
Me një program të pasur kulturor e artistik, fillimisht në galerinë “Hivzija Qatoviq” të kësaj qendre kulturore u hap ekspozita personale e piktorit akademik nga Kosova, Xhevdet Spahija.
Me fjalët e Prof. Kadrush Radogoshi, të cilat i lexuan moderatoret e programit Altiana Zogaj dhe Senada Pepiq, u vlerësua lart vepra artistike e piktorit Spahija, i cili këtë ekspozitë e ka titulluar “Etnoekspozita”, ku spikasin në kolorit veshjet tradicionale shqiptare të mbarë hapësirës shqiptare.
Për punën e tij, autori i ekspozitës u nderua më titullin e lartë të “Orës së Maleve”.
Pas hapjes së ekspozitës, në sallën e madhe të Qendrës së Kulturës në Rozhajë u intonua Himni Kombëtar shqiptar dhe organizatori ndau titujt e lartë të këtij manifestimi për Mehmet Bardhin dhe Pashk Alinë nga Lezha.
Në kuadër të aktivitetit u promovuan dy libra të akademikut Kujtim Shala – përmbledhjet poetike “Idioma” dhe “Fizika naive”, për të cilat foli shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë Ndue Ukaj, i cili vlerësoi lart vargun e akademikut Shala.
Autori falënderoi për ftesën dhe fjalët promovuese e me këtë rast iu nda edhe çmimi i lartë i “Orës së Maleve”, për kontributin e tij të madh në fushën e letërsisë dhe fjalës artistike.
Më pastaj u mbajt ora letrare e “Orës së Maleve”, ku shkrimtarët e shumtë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e mërgata e largët deklamuan krijimet e tyre poetike.
Vlen të theksohet se ky manifestim çdo vit sjell shkrimtarë e publicistë që në ketë manifestim nuk kanë marrë pjesë më parë, pra e drejta e pjesëmarrjes është jo më shumë se një herë.
Pas orës poetike, në skenë u paraqit SHKA “Rapsha” nga Drumja e Hotit, e cila para publikut rozhajas shfaqi një program të pasur me këngë e valle tradicionale të Malësisë së Madhe.
Me këtë rast, udhëheqësja artistike e kësaj shoqërie, Gentiana Junçaj, u dekorua me Çmimin e lartë të manifestimit nga organizatori.
Në mbrëmjen e 9 majit 2026, në sallë erdhën dashamirë të filmit për ta përcjellë premierën e filmit “Plavjanët nuk u dorëzuan”, në regji të gazetarëve Zekë Sinanaj e Islam Haxhiu.
Në mesin e personaliteteve të shumta, e pranishme në manifestimin letrar “Ora e Maleve” ishte ambasadorja e Republikës së Kosovës në Podgoricë, Ariana Zherka – Hoxha.
Ali Daci
