“Malësia – studime e hulumtime” titullohet monografia shkencore e autorit Anton Lulgjuraj, e promovuar të mërkurën mbrëma, më 26 gusht 2026, në sallën e Qendrës Kulturore-Informative “Malësia”, përpara një numri të madh të adhuruesve të fjalës së shkruar nga vendi dhe diaspora.
Fillimisht, në emër të Institutit Shqiptaro-Amerikan, si organizator i aktivitetit, përshëndeti koordinatori Kolë Ivanaj, i cili bëri të ditur se qëllimi i këtij Instituti është që ta ofrojë sa më tepër diasporën me Malësinë.
“Dhe kryesisht aktivitetin e tij ta përqendrojë në takime si ky. Në seminare, në aktivitete shkencore e që dokumentet e dala nga ky Institut të shkojnë në tavolinat e Uashingtonit dhe të Brukselit, ku të shpalosim problemet e shqiptarëve dhe të veprojmë në mënyrë institucionale për arritjen e qëllimeve tona”, theksoi ai.
Në mungesë të tij, recensionin për librin dërguar nga Prof. Dr. Ksenofon Krisafi nga Tirana, e lexoi Prof. Dr. Palokë Camaj, panelist i kësaj ngjarjeje kulturore.
Në të, ndër të tjera, thuhet se libri hapet me të dhëna për shtrirjen gjeografike të Malësisë, brenda territorit të Malit të Zi.
“Autori paraqet një pasuri interesante burimore me rëndësi historike e etnografike përmes së cilës evidentohen vlerat e veçanta kulturore, etnike, zakonore dhe letrare si dhe kontributin e madh që Malësia ka dhënë në luftën shekullore për liri e pavarësi”, theksohet në recension.
Më tej u tha se ky studim mbështetet mbi një material të bollshëm bibliografik e arkivor të mbledhur nga burime vendëse e të huaja.
“Vlera e punimit shtohet edhe nga intervistat e zhvilluara me banorë të fshatrave e lagjeve të ndryshme, çka i ka mundësuar autorit të identifikojë gjendjen reale të vendbanimeve shqiptare sot. Përshkrimi i objekteve arkeologjike, i Muzeut të Atë Vinçens Malajt dhe Muzeut Etnografik, e bëjnë këtë punim një dokument me rëndësi jo vetëm për të njohur të kaluarën dhe të tashmen por edhe për të orientuar zhvillimin e së ardhmes”, thuhet në recension.
Ndërkohë, për këtë vepër monografike foli Dr. Nail Draga, i cili ndër të tjera vlerësoi angazhimin e autorit Lulgjuraj, duke thënë se, në saje të punës serioze disavjeçare, opinionit në përgjithësi e atij shkencor e kulturor në veçanti, i ka dhuruar monografinë “Malësia – studime e hulumtime”, me një qasje shumëdimensionale, për këtë pjesë të hapësirës etnogjeografike shqiptare.
“Vlera e një libri nuk varet nga tema dhe përmbajtja të cilën e shtjellon, por nga dilemat dhe debati që krijon te lexuesi. Pikërisht kemi të bëjmë me çështjet e heshtura shoqërore që në kohën e monizmit ishin të ndaluara, por ka ardhur koha që ato kërkojnë përgjigje për kohën se ishin me pasoja për shqiptarët në Malësi, në të kaluarën e deri në ditët tona”, tha Draga.
Sipas tij, vetëm me një vullnet e pa paragjykime e qasje emocionale, por me mbështetje të argumentuar do të zbardhej e vërteta e heshtur, por jo e harruar, e krimeve të pushtetit të kohës kundër shqiptarëve në Malësi.
“Andaj, ndonëse të vonuar ka ardhur koha të demaskohet politika antishqiptare e pushtetit ish-jugosllav, si para Luftës së Dyte Botërore dhe pas saj. Sepse kemi të bëjmë me vrasjen e dhjetëra shqiptarëve në Malësi, pa vendime gjyqësore, vetëm se ishin shqiptarë apo si të papërshtatshëm për pushtetin. Ndërsa emrat e individëve të tillë, të cilët na i prezanton autori i kësaj monografie, e dëshmojnë në mënyrë transparente një konstatim të tillë”, u shpreh ai.
Draga tha se autori është përpjekur për të analizuar shkaqet e pasojat e moszhvillimit të këtij mjedisi, ku popullsia shqiptare vazhdimisht ka bërë përpjekje për të mbijetuar, në rrethana të ndryshme shoqërore.
Autori i librit “Malësia – studime e hulumtime”, Anton Lulgjuraj, duke falënderuar të pranishmit dhe të gjithë donatorët e mbështetësit që kanë mundësuar jetësimin e kësaj vepre monografike, u shpreh se këtë libër ia kushton vendlindjes së tij, e cila është gjeneza dhe vendi i atit, gjyshit dhe i stërgjyshërve të tij, të cilëve, siç tha, u është grabitur fëmijëria në luftë për mbijetesë, në kushte dhe rrethana të pabesueshme.
“Malësia është vendlindja ime e shkelur, sot e braktisur ndoshta edhe nga nëna e vet. E megjithëkëtë, Malësia është vend i besës, besëtytnisë, bujarisë, qëndresës dhe trimërisë që e bëjnë studimin e saj sa mister aq edhe të frikshëm, për këdo që dëshiron të futet në labirintet e këtij ‘kozmosi’ të pafund, atje ku koha është e përthyer dhe inekzistente”, u shpreh Lulgjuraj.
Ai më tej tha se historia e këtij vendi është e lashtë, aq e lashtë sa shkenca ka ndrojtje të futet në studimet e këtyre anëve.
Lulgjuraj u shpreh, ndër të tjera, se periudha më e errët e historisë së Malësisë, në veçanti, është periudha e sundimit osman, por po aq e tmerrshme, tha ai, ishte edhe periudha e komunizmit, ku në Malësi filloi vrasja e burrave të pafajshëm (pushkatimi pa gjyq).
Ai, duke analizuar situatën në të cilën gjendemi sot dhe qindra problemet me të cilat, sipas tij, përballet Malësia, veçoi tri prej tyre si më kryesoret: rënien e natalitetit, mungesën e investimeve në arsim dhe shitjen e tokave të Malësisë.
“Për të ecë para një komb, e ka të domosdoshme shtimin e natalitetit. Sa djem e vajza sot në Malësi janë të pamartuar? Me qindra e me qindra. Si do të përparojë Malësia? Nuk mund të flasim për atdhedashuri kur sa shtëpi nesër rrezikojnë mbylljen përgjithmonë”, tha autori.
Sipas tij, nëse nuk investohet në arsim rrezikojmë të prodhojmë humanoidë të verbër që ecin si gjela pa kokë e që kanë në dorë fatin e të ardhmen e Malësisë.
“Shikoni shkollat tona, shikoni gjimnazin. Janë bërë institucione gati qesharake. Me politikën që do të fusë hundët vend e pa vend, e që e dëmton pavarësinë në arsim e në këtë mënyrë edhe të ardhmen e shqiptarëve në këto troje”, vlerësoi ai.
Ndërkaq, ajo që e shqetëson autorin më tepër është problemi i shitjes së tokave të Malësisë.
“Shitja e tokave tona, nuk është gjë tjetër vetëm kontribut direkt në asimilimin përfundimtar të Malësisë. Si malësorët katolikë, si myslimanë, duhet të qëndrojmë të bashkuar. Dhe ju lutem qëndroni gjithmonë të bashkuar. Ky është amanet brezash. Kjo është Malësia jonë, e nëse ne nuk i dalim zot për çfarëdo lloj problemi, e ardhmja jonë është e zymtë”, theksoi autori i librit Anton Lulgjuraj.
Ai bëri thirrje për ta dashur Malësinë, pa pasur nevojë të rreshtohesh përkrah askujt.
“Partitë ndryshojnë, shuhen, formohen, por Malësia duhet të jetë mbi çdo lloj interesi personal. Kemi luftuar shumë të krijohen institucionet vendore si komuna, që 30-40 vjet betejë për komunën, tani duhet ta ruajmë e të kujdesemi për të. Këto janë kambana alarmi. Ato kambana bien për ne”, tha ai.
Ky është aktiviteti i dytë me radhë në Malësi i organizuar nga Instituti Shqiptaro-Amerikan, ndërsa është vepra e parë e autorit Anton Lulgjuraj.
T. Ujkaj
