Koha javore: Z. Ivanaj, pak muaj më parë është themeluar Instituti Shqiptaro-Amerikan me seli në Miçigan, një nismë relativisht e re por që tashmë ka mbledhur figura dhe personalitete të shquara nga fusha të ndryshme. Pse lindi nevoja për krijimin e këtij Instituti dhe cili është vizioni i tij?
K. Ivanaj: Nevoja për të krijuar një organizim të tillë lindi nga dëshira e shumë intelektualëve që veprojnë në diasporën shqiptare në SHBA, që nëpërmjet projekteve afatmesme dhe afatgjata të përpiqemi të krijojmë kushtet për avancimin e të drejtave të shqiptarëve – si në Mal të Zi, ashtu edhe në vende të tjera ku ata banojnë. Shpesh kemi krijuar lidhje me personalitete të ndryshme, por për të çuar një projekt të rëndësishëm në rrugën e duhur kërkon organizim serioz me njerëz të kualifikuar dhe që janë ekspertë në lëmi të ndryshme.
Vizioni i Institutit është që nëpërmjet projekteve serioze, diskutimeve, konsultimeve dhe bashkëpunimit me politikëbërës, të hartojë dhe zbatojë projekte për të drejtat individuale e kolektive të garantuara me konventa ndërkombëtare dhe ligjet themelore të Bashkimit Evropian, për popullin shqiptar autokton në trojet etnike. Instituti bashkon ekspertë dhe intelektualë të fushave të ndryshme shoqërore me qëllim që të kontribuojnë për t’i realizuar këto synime.
Koha javore: Pjesë përbërëse e këtij Instituti janë profesionistë të dëshmuar në fushat e tyre – nga Shtetet e Bashkuara, Malësia dhe trevat e tjera shqiptare. Sa mund të ndikojë bashkimi i përvojave, njohurive dhe ekspertizës së tyre në krijimin e ideve dhe iniciativave që mund t’i shërbejnë zhvillimit të vendlindjes?
K. Ivanaj: Siç e keni parë edhe në web faqen e Institutit, ashtu edhe në rrjetet sociale, rreth kësaj organizate janë bashkuar intelektualë të njohur në SHBA, ekspertë, politologë, historianë, biznesmenë etj. Mund të them me bindje se është organizimi më i madh intelektual për sa i takon shqiptarëve në Mal të Zi në historinë e diasporës tonë. Kemi mbi 12 avokatë të fushave të ndryshme në drejtësi, kemi politikanë që veprojnë në SHBA dhe kanë bërë gara politike deri për Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin e SHBA-së, Senatin amerikan, Senatin e Miçiganit, historianë, gjeografë, ekonomistë, biznesmenë etj.
Sigurisht që për të qenë seriozë dhe për të mundur t’i hapim dyert në Uashington, Bruksel e gjetiu, duhet që të punojmë me projekte të cilat vetëm intelektualët dhe ekspertët janë në gjendje t’i hartojnë. Pa ndihmën e tyre nuk mund të arrihen qëllimet e Institutit Shqiptaro-Amerikan.
Qëllimi i parë është hartimi i projektit strategjik për të garantuar të drejtat individuale e kolektive për popullin shqiptar autokton në Mal të Zi, sipas konventave ndërkombëtare dhe ligjeve të Bashkimit Evropian. Zgjidhja e çështjes shqiptare në Mal të Zi – e rëndësishme është, sepse jemi duke aderuar në BE, e duhet të jemi popull i barabartë me popujt tjerë në Mal të Zi e në Evropë. Kjo perspektivë hap projekte dhe zhvillime tjera të rëndësishme për popullin shqiptar dhe popujt e tjerë të Evropës Juglindore.
Ndër kërkesat tona është edhe barazimi i statusit politik, ekonomik e kulturor të shqiptarëve në Mal të Zi: gjuha shqipe të barazohet me gjuhët tjera në Mal të Zi, investimet ekonomike të bëhen në zonat dhe qytetet ku ka shqiptarë, vendbanimet shqiptare të mos jenë më të pazhvilluarat në Mal të Zi edhe pse nga natyra janë ndër më të pasurat.
Koha javore: Instituti ka përcaktuar si fusha veprimi diskutimet kulturore, sociale, ekonomike dhe politike. Si synoni që këto diskutime të shndërrohen në iniciativa dhe projekte konkrete?
K. Ivanaj: Sapo është themeluar Instituti, ne kemi organizuar mbështetje financiare për anëtarët tanë: Suzana Shkrelin, Robert Lulgjurajn dhe Renis Nushajn, për arsye se ne besojmë se hyrja e shqiptaro-amerikanëve në institucionet kryesore të SHBA-së, ku mund të kenë ndikim të madh, ndihmon jashtëzakonisht shumë në realizimin e qëllimeve tona. Pastaj, kemi mbështetur edhe Ren Nushajn.
Në bashkëpunim me persona këtu nga Malësia, Ulqini dhe trojet tjera në Mal të Zi së shpejti do të fillojmë konsultimet për realizimin e projekteve afatgjata dhe afatmesme që Instituti ia ka vënë qëllim vetes. Për këto projekte do të njoftoheni në detaje me kalimin e kohës. Sigurisht që projekte të tilla kërkojnë kohë të gjatë, por jemi të vendosur që të shkojmë deri në fund. Po ashtu, jemi të hapur ndaj çdo subjekti politik apo shoqate tjetër që të bashkëveprojmë në interes të zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare në Mal të Zi. Vullnet kemi, durimi nuk na mungon.
Ne si Institut, nëpërmjet avokatit Joseph (Gjokë) Dedvukaj kemi lidhur kontakt me senatorin Gary Peters, i kemi dorëzuar kërkesë në lidhje me situatën e deponisë në Omerbozhaj dhe është vënë në njohuri të plotë rreth kësaj çështjeje me të cilën ballafaqohemi çdo ditë.
Koha javore: Si e vlerësoni zhvillimin e Malësisë në vitet e fundit dhe a mendoni se janë krijuar mekanizma të mjaftueshëm bashkëpunimi me diasporën, jo vetëm për investime por edhe për të përfituar nga përvoja dhe potenciali intelektual i saj?
K. Ivanaj: Ne, çështjen e Malësisë e shohim në këndvështrime të ndryshme. Siç thashë edhe më lart, Instituti ka qëllim që të hartojë projekte në bashkëpunim me faktorë në Mal të Zi, BE dhe SHBA, që të sigurojmë barazinë kushtetuese me popujt tjerë në Mal të Zi. Pa këtë, të tjerat janë vetëm fasada dhe manipulime që rrezikojnë të ardhmen tonë dhe që dita-ditës ballafaqohemi me to. Shtetet serioze të botës, organizatat serioze në botë, punojnë vetëm me projekte dhe këto projekte hartohen nga akademikë, intelektualë dhe ekspertë të ndryshëm të fushave të ndryshme që rregullojnë çështje për të ardhmen – nga 10 vjet, 20 vjet, 50 vjet e kështu me radhë. Instituti ka për qëllim të hartojë projekte për të ruajtur popullin shqiptar autokton në Mal të Zi nëpërmjet mekanizmave kushtetuese.
Koha javore: Diaspora shqiptare në SHBA ka një histori të gjatë organizimi dhe suksesi në fusha të ndryshme. Cili është dimensioni i ri që synon të sjellë Instituti Shqiptaro-Amerikan në organizimin e diasporës shqiptare?
K. Ivanaj: Me mbarimin e Luftës së Kosovës, diaspora shqiptare në SHBA ka mbetur në një udhëkryq nga i cili nuk ka arritur të dalë ende. Kryesisht atje veprojnë shoqata që janë krijuar për të ndihmuar studentët, për të ndihmuar familje në nevojë, për të ndihmuar Malësinë dhe trojet tjera kryesisht në ndërtimin e objekteve të ndryshme kulturore dhe fetare. Ka pasur dhe ka dora të zgjatura nga politikanë të ndryshëm që për qëllime të caktuara janë munduar dhe mundohen t’i përdorin shoqatat në diasporë. Por, ISHA-ja ka qëllim krejtësisht të ndryshëm nga shoqatat aktuale që veprojnë për momentin në SHBA. Pra, bashkimi i intelektualëve, akademikëve, ekspertëve të fushave të ndryshme është qëllimi kryesor në mënyrë që të arrijmë të hartojmë plane dhe projekte që do t’i sigurojnë të ardhmen çështjes shqiptare në Mal të Zi. Diasporës duhet t’i bëhet e qartë që në interesin e Malësisë dhe shqiptarëve, duhet të jemi gjithmonë bashkë dhe të mos lejojmë që ndokush të tentojë të përçajë diasporën tonë.
Koha javore: Instituti është i orientuar edhe drejt bashkëpunimit me politikëbërës dhe institucione të ndryshme. Sa i rëndësishëm është krijimi i urave të bashkëpunimit me institucionet amerikane dhe të BE-së për çështje që lidhen me mirëqenien, zhvillimin dhe interesat e shqiptarëve në vendlindje dhe në diasporë?
K. Ivanaj: Sigurisht se nuk vihet në pikëpyetje rëndësia dhe dobia e bashkëpunimit me institucionet amerikane dhe të Bashkimit Evropian. Bashkëpunimi me to është themelor dhe i domosdoshëm. SHBA-ja dhe BE-ja janë adresat tona kryesore për zgjidhjen e çështjes shqiptare duke respektuar kategorikisht normat juridike-ndërkombëtare. Edhe politikanëve që veprojnë në Mal të Zi, me të cilët besojmë në bashkëpunim vëllazëror, do t’u drejtojmë kërkesa për ndryshimet e duhura kushtetuese në Mal të Zi.
Sigurimi i investitorëve të huaj nga SHBA-ja dhe BE-ja për zhvillimin ekonomik e turistik të vendlindjes, kërkon projekte shumë të rëndësishme nga ana jonë. Ne duam që diaspora të bashkëpunojë ngushtësisht për rritjen e mirëqenies dhe prosperitetin e banorëve me Komunën në Malësi dhe me komunat tjera, sidomos ato në Ulqin, Tivar, Plavë, Guci e Rozhajë.
Çështje tjetër themelore është krijimi i një televizioni të pavarur në Malësi. Kjo është kërkesë e diasporës sonë që sa dekada me radhë. Një televizion i pavarur nënkupton një pasqyrë më të pastër ku rritet transparenca e pushtetit dhe zvogëlohen keqpërdorimet.
Koha javore: Në rastin konkret të Malësisë, cilat janë disa nga çështjet për të cilat një institut si ky mund të japë kontribut?
K. Ivanaj: Kontributi ynë mund të jetë shumëdimensional – nga bashkëpunimi për të cilin folëm më sipër te furnizimi me ekspertiza, trajnime e edukime adekuate për zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen shqiptarët në vendlindje e në diasporë, dhe zhvillimin e avancuar ekonomiko-social të tvre. Po ashtu, do të sjellim personalitete të politikës zyrtare amerikane e të BE-së të vizitojnë vendin tonë për krijimin e urave të bashkëpunimit për të mbështetur këtë zhvillim.
Intervistoi: Toni Ujkaj
