Pas 25 vitesh, Sukubina, një ekip me traditë në futbollin e vogël anamalas dhe ulqinak, ka arritur që të shpallet kampione e Ligës së Anës së Malit në minifutboll, e cila ka përfunduar këtë të shtunë (20 qershor 2026).
E udhëhequr nga lojtari më i mirë i Ligës, Edmond Kurti, ajo ka fituar me meritë në finale ekipin e Brajshës me rezultatin 4:1.
Në fund të Ligës, janë ndarë çmimet për ekipet dhe lojtarët më të mirë të edicionit të sivjetshëm të Ligës së Anës së Malit.
Krahas lojtarit më të mirë Edmond Kurti, portieri më i mirë është zgjedhur Besar Kasneci nga ekipi i Brajshës, ndërsa golshënuesi më i mirë i Ligës Hysen Rama nga ekipi i Klleznës.
Për herë të parë prej kur mbahet Liga e Anës së Malit ka ndodhur që për të tri grupmoshat të takohen në finale të njëjtat ekipe: Brajsha dhe Sukubina. Në finalen për grupmoshën deri në 12 vjeç, Brajsha ka fituar Sukubinën me rezultatin 3:1, kurse për grupmoshën deri në 15 vjeç, Brajsha ka fituar Sukubinën me rezultatin 4:1.
Në programin e natës finale është luajtur edhe ndeshja miqësore ndërmjet artistëve, e cila ka përfunduar në barazim 2:2.
Liga e Anës së Malit në minifutboll ka krijuar një traditë të mirë, duke u shndërruar në një festë, e cila i tejkalon përmasat e një ngjarjeje thjesht sportive.
i. k.
