Qeveria e Malit të Zi ka miratuar në mbledhjen e mbajtur më 14 maj 2026 Projektligjin e ri mbi vetëqeverisjen lokale, i cili është hartuar nga Ministria e Administratës Publike, qëllimi i të cilit sipas hartuesit është të vendosë rregull, disiplinë më të madhe financiare dhe decentralizim.
Ky projektligj sjell disa risi, ndër të cilat më kryesoret janë futja e statusit të qytetit si njësi e veçantë e vetëqeverisjes vendore, e cila jepet në bazë të parametrave administrativë dhe fiskalë, si dhe disiplina dhe kontrolli fiskal, që parashikon futjen e kritereve të matshme për qëndrueshmërinë e komunave, si dhe rritjen e kontrollit shtetëror mbi vetëqeverisjet vendore.
Menjëherë pas miratimit të projektligjit nga Qeveria e Malit të Zi, në një konferencë për media në prani edhe të zëvendëskryeministrit për Politikë Ekonomike dhe kryetarit të Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, e ka cilësuar këtë si një nga ligjet më të rëndësishëm të reformës në fushën e administratës publike dhe decentralizimit në Malin e Zi modern.
“Pas më shumë se tre vitesh dialogu të vazhdueshëm, kemi arritur në tekstin e Ligjit, i cili është gati për shqyrtim në Parlamentin e Malit të Zi. Ne kemi përgatitur një ligj që është i harmonizuar me standardet evropiane të decentralizimit dhe kemi krijuar një model që korrespondon me nevojat dhe situatën reale në Mal të Zi”, ka thënë ai.
Ministri Dukaj ka theksuar se thelbi i reformës është i qartë, që shteti duhet të jetë më afër qytetarëve, dhe vetëqeverisja lokale më efikase, e përgjegjshme dhe funksionale.
“Kjo nuk është vetëm një reformë administrative. Kjo është politika e re e zhvillimit të Malit të Zi, në të cilën komunat marrin një rol më të fortë për të përmirësuar komunitetet e tyre, për të zhvilluar potencialet lokale dhe për të qenë drejtpërdrejt përgjegjëse ndaj qytetarëve për rezultatet që arrijnë”, ka thënë ai.
Sipas ministrit Dukaj, “Ligji është përgatitur bazuar në analiza të hollësishme të sistemit ekzistues të vetëqeverisjes lokale, të cilat treguan se dekada të centralizimit, kapacitetet e pabarabarta të komunave, koordinimi i pamjaftueshëm midis nivelit shtetëror dhe atij lokal, janë pengesa serioze për zhvillimin e barabartë të shtetit”.
Ai po ashtu ka thënë se projektligji i ri për vetëqeverisjen lokale është plotësisht në përputhje me prioritetet e Malit të Zi në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian, veçanërisht në fushat e decentralizimit, profesionalizimit të administratës publike, digjitalizimit dhe forcimit të transparencës së institucioneve.
Megjithatë, projektligji i ri për vetëqeverisjen lokale ka shkaktuar reagime dhe debate në mesin e vetë partive shqiptare.
Në një tekst autorial, deputeti i Aleancës Shqiptare, Dr. Ilir Çapuni, i cili vjen nga radhët e Forcës së Re Demokratike, ka kritikuar zgjidhjet e propozuara me këtë projektligj që lidhen me kriteret për fitimin e statusit të qytetit, duke iu referuar pikërisht qytetit të Ulqinit, me një histori të bujshme mijëvjeçare.
“Në fakt, në propozimin e ligjit të ri për vetëqeverisjen lokale, statusi i qytetit përcaktohet si një lloj i veçantë i njësisë së vetëqeverisjes lokale që përfaqëson një qendër urbane, ekonomike, administrative, kulturore, turistike, arsimore ose shëndetësore dhe që ka më shumë se 10.000 banorë. Edhe pse Ulqini i përmbush të gjitha këto kritere, sipas projektligjit të ri, këtij qyteti nuk i takon ky status për shkak të kritereve dhe procedurës për fitimin e statusit të qytetit”, ka shkruar ai.
Sipas Çapunit, “është paradoksale që sot, në shekullin XXI, Projektligji i ri për vetëqeverisjen lokale vë në pikëpyetje pikërisht identitetin historik, urban dhe qytetërues të Ulqinit”, duke shprehur drojën se në bazë të kritereve të propozuara, qendra historike dhe urbane si Ulqini ose Kotorri mund të mbeten pa statusin e qytetit, ndërsa komuna si Tivati ose Petnjica mund ta fitojnë atë status vetëm mbi bazën e parametrave administrativë dhe fiskalë.
“Me këtë shpërfillet plotësisht dimensioni historik, kulturor dhe qytetërues i qyteteve në Mal të Zi”, ka theksuar ai.
Deputeti Çapuni ka renditur edhe një sërë mangësish të tjera të këtij projektligji.
“Edhe pse ligji formalisht fut parimin e ‘decentralizimit asimetrik’, thelbi i tij tregon diçka krejt tjetër – forcimin e kontrollit të shtetit mbi vetëqeverisjet lokale. Në vend të transferimit real të kompetencave dhe zbatimit të parimit të subsidiaritetit, ligji vendos mekanizma të mbikëqyrjes së shtuar, mundësi ndërhyrjeje të Qeverisë dhe nënshtrim shtesë të komunave ndaj organeve qendrore”, ka theksuar ai.
Një mangësi tjetër e këtij projektligji, sipas tij, është se ai nuk jep përgjigje të qartë për një nga pyetjet kyçe të demokracisë lokale: A e menaxhon vërtet njësia e vetëqeverisjes lokale tërë territorin e komunës së saj?
“Kjo pyetje ka rëndësi vendimtare për Ulqinin dhe të gjitha qytetet bregdetare, veçanërisht në kontekstin e menaxhimit të bregdetit, zonave turistike dhe hapësirave strategjike”, ka shkruar Çapuni.
Ndaj tekstit të deputetit Ilir Çapuni ka reaguar ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, duke i cilësuar si tendencioze pohimet e Çapunit se Ulqini do të humbë statusin që ka me Ligjin e ri për vetëqeverisjen lokale. Sipas tij, e vërteta është krejt ndryshe.
“Ligji ka lënë mundësi për avancim të statusit dhe ngritje të çdo qeverisjeje vendore, por duhet të punohet për të sot në vend që të rikujtohen kujtimet historike”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ministrit Dukaj.
Ai ka kritikuar qeverisjen e dobët të Ulqinit për moszhvillimin e këtij qyteti, duke ofruar mbështetjen e Ministrisë së Administratës Publike.
“Por ne duhet t’u përmbahemi kritereve aktuale për marrjen e statusit të qytetit, të cilat Ulqini me siguri do të jetë në gjendje t’i përmbushë nëse ka një menaxhim të suksesshëm dhe të përgjegjshëm, të cilit nuk do t’i mungojë mbështetja e qeverisë qendrore, konkretisht e Ministrisë së Administratës Publike”, ka thënë ai, duke shtuar se nëse kjo nuk ndodh, “atëherë fajtorët duhet të kërkohen në të njëjtat adresa që janë përgjegjëse për ngecjen e zhvillimit”.
Edhe deputeti i Forumit Shqiptar, Artan Çobi, ka reaguar ndaj deklaratave të kolegut të tij Dr. Ilir Çapuni mbi zgjidhjet që ofron Projektligji i ri për vetëqeverisjen lokale, sidomos në pjesën ku përcaktohet fitimi i statusit të qytetit.
Në reagimin e tij, ai thekson se edhe pse përpiqet të krijohet përshtypja se shteti po pengon sistematikisht zhvillimin e Ulqinit, gjë që në të kaluarën ka ndodhur shpesh, kur flitet për këtë temë e vërteta është shumë më e thjeshtë dhe më e dhimbshme për aktorët politikë vendas.
“Problemet e Ulqinit nuk qëndrojnë në tekstet ligjore të Ministrisë së Administratës Publike, por në pamundësinë kronike të qeverisjes vendore për të menaxhuar burimet e veta”, ka thënë deputeti Çobi.
Për ta ilustruar këtë, ai ka marrë si shembull të mirë Komunën e Tuzit, e cila qeveriset nga Forumi Shqiptar.
“Se problemi nuk është në sistem apo në shtet, e tregon më së miri shembulli i Komunës së Tuzit dhe aktivitetet e Forumit Shqiptar, si në nivel lokal ashtu edhe në qeverisjen shtetërore. Forumi Shqiptar ka dëshmuar, përmes rezultateve konkrete, një qëndrim miqësor ndaj buxhetit dhe një vizion zhvillimi, se një komunë e re mund të transformohet në një qendër ekonomike dhe administrative”, ka thënë Çobi, duke përfunduar se “është paradoksale që Ulqini, i cili ka potencial natyror dhe turistik pakrahasueshëm më të madh se shumica e komunave në Mal të Zi, sot ka frikë nga parametrat fiskalë dhe administrativë”.
Projektligji i ri për vetëqeverisjen lokale është dërguar në Kuvendin e Malit të Zi dhe pritet që së shpejti deputetët ta shqyrtojnë atë.
i. k.
