Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka bërë të ditur se Serbia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e përfaqësive konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.
Në një intervistë për “Radio Beogradin”, Gjuriqi ka thënë se është i kënaqur me bisedimet që ka zhvilluar me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha.
“Jam i kënaqur që pata bisedime shumë të mira me ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin arritëm një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc”, deklaroi ai.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka konfirmuar se Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Luginë të Preshevës dhe Serbia nga ana e saj ka kërkuar një të tillë në Shkodër.
“Shqipëria ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës. Serbia, nga ana e saj, ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër. Nëse dhe kur palët të bien dakord për çdo aspekt dhe detaj të këtij procesi, në momentin e duhur do të ndërmerren veprimet përkatëse. Në praktikën e konsoliduar diplomatike, reciprociteti është një parim themelor i marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe një instrument i politikës së jashtme për të avancuar interesat kombëtare”, ka shkruar ai në rrjetin social X.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, e ka cilësuar një vendim të tillë si të gabuar si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë politik për Shqipërinë.
Sipas tij, në planin strategjik, një konsullatë e Serbisë në Shkodër nuk reflekton realitetin historik dhe as peshën e pakicës serbe në atë zonë.
Në rajonin e Luginës së Preshevës, e cila përfshin komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, jeton komuniteti më i madh i shqiptarëve etnikë në Serbi, jashtë Kosovës.
Sipas regjistrimit zyrtar të popullsisë në Serbi të vitit 2022, në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë jetojnë 57.710 shqiptarë me banim të përhershëm, të cilët përbëjnë rreth 71 për qind të popullsisë së këtij rajoni. Megjithatë, përfaqësues politikë dhe organizata shqiptare në Luginë i kanë kundërshtuar këto shifra, duke argumentuar se numri real i shqiptarëve është dukshëm më i lartë, pasi mijëra qytetarëve u janë pasivizuar adresat e banimit.
Ndërkaq, numri i serbëve në Shkodër, sipas rezultateve të regjistrimit të fundit, është vetëm disa dhjetëra.
Lajmi ka ngjallur reagime të shumta tek opinioni shqiptar, ndërsa në Shkodër është organizuar edhe një protestë kundër hapjes së Konsullatës së Serbisë në këtë qytet.
(Kohapress)
