Nisma e re për integrim gradual të rajonit në BE

Në fund të samitit nuk u miratua një deklaratë e përbashkët, por Bashkimi Evropian doli me një komunikatë, në të cilën u tha se liderët evropianë mirëpritën reformat që po vazhdojnë dhe riafirmuan përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit të BE-së, të bazuar në merita

Në samitin Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, nisma e re e propozuar nga Franca dhe Gjermania për integrimin gradual të rajonit në BE ishte temë qendrore, teksa udhëheqësit evropianë përsëritën qëndrimin se e ardhmja e rajonit është në bllok.
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha pas samitit se propozimi i tij i përbashkët me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, ka marrë mbështetje si nga liderët evropianë ashtu edhe nga ata rajonalë.
Duke iu referuar atmosferës gjatë diskutimeve për këtë propozim në samit, ai njoftoi për ndryshime në rregullat e procesit të zgjerimit, i cili deri më tani, sipas tij, ka qenë shumë i ngadalshëm.
“Ne tani po e ndryshojmë këtë dhe do të punojmë më intensivisht në këtë proces. Duhet të merren vendime edhe për këtë, por bisedimet joformale që u zhvilluan këtu sot më japin shpresë se shumë shpejt do të arrijmë te një zgjidhje e duhur”, deklaroi kancelari gjerman në përfundim të samitit BE–Ballkani Perëndimor që u mbajt në Tivat të Malit të Zi.
Ndërkaq, në një konferencë për media pas samitit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e mirëpriti propozimin franko-gjerman, duke vlerësuar se qëllimi i tij është përmirësimi i procesit të zgjerimit.
“Procesi i bazuar në merita mbetet themeli i qasjes sonë dhe ne duam të ecim shpejt dhe me efikasitet”, tha ajo.
Von der Leyen tha se dy temat e samitit ishin Plani i Rritjes dhe zgjerimi.
“Zgjerimi është një imperativ gjeostrategjik për ne dhe një investim afatgjatë për paqen, stabilitetin dhe sigurinë tonë. Do të mbetet proces i bazuar në merita, por duhet të bëhet më dinamik sepse proces i bazuar në merita nuk do të thotë proces i ngadalshëm, ai nënkupton proces të drejtë dhe të parashikueshëm. Me fjalë të tjera, kur reformat bëhet, përparimi drejt BE-së duhet të jetë hapi i radhës”, tha ajo.
Udhëheqësja e KE-së shtoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE dhe ky nuk është premtim i bllokut, por “një zgjedhje strategjike”.
Ndërkaq, kreu i Këshillit Evropian, Antonio Costa, la të kuptohet se propozimi franko-gjerman nuk do të zbatohet në rastin e Malit të Zi – shtetit të rajonit që ka bërë përparimin më të madh drejt BE-së, që pritet të bëhet anëtari më i ri i unionit brenda pak vitesh.
“Për Malin e Zi, kjo nuk është aq e rëndësishme sa për vendet tjera kandidate”, tha Costa në konferencën për media pas samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Edhe mikpritësi i samitit, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se propozimet më të reja nuk do të zbatohen në rastin e shtetit të tij.
“Ne besojmë se rasti i Malit të Zi është deri diku unik, duke pasur parasysh se Mali i Zi është vend kandidat që tashmë ka iniciuar grupin punues për hartimin e traktatit të anëtarësimit. Kështu i kuptojmë idetë e reja, përfshirë edhe këtë dokument franko-gjerman. Si një qasje më e gjerë, kjo është një mënyrë konstruktive për t’i afruar vendet e tjera kandidate drejt qëllimit përfundimtar”, tha Milatoviq.
Në samitin në Tivat, Kosova u përfaqësua nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e cila tha se vendi është i gatshëm të bëjë hapin e rradhës në rrugën evropiane.
“Kosova nuk kërkon rrugë të shkurtra. Kërkojmë një proces të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në merita”, tha Haxhiu në samit, sipas një njoftimi për media të lëshuar nga Presidenca e Kosovës.
Haxhiu përmendi edhe aplikimin e Kosovës të bërë tri vjet më parë, por që ende nuk është shqyrtuar nga Brukseli, duke thënë se është koha që BE-ja të vendosë që t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat e anëtarësimit.
Ajo tha se është e rëndësishme që të ketë bashkëpunim rajonal, zbatim të marrëveshjeve të arritura dhe trajtim të barabartë të të gjitha shteteve në rrugën evropiane, “pa pengesa politike kur standardet e Bashkimit Evropian janë përmbushur”.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor mblodhi në Tivat udhëheqës të gjashtë shteteve të rajonit dhe BE-së.
Në fund të samitit nuk u miratua një deklaratë e përbashkët, por Bashkimi Evropian doli me një komunikatë, në të cilën u tha se liderët evropianë mirëpritën reformat që po vazhdojnë dhe riafirmuan përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit të BE-së, të bazuar në merita.
Në komunikatë u theksua po ashtu se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten thelbësore për përfitimin e të gjitha avantazheve të integrimit më të afërt. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes.
Po ashtu u diskutua për ofertat konkrete të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë “korsitë e gjelbra”, përparimin drejt integrimit në Tregun e Përbashkët të BE-së dhe në sistemin SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro), si dhe investimet në vazhdim për lidhjen digjitale në mbarë rajonin.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi po e kërkojnë anëtarësimin në BE prej shumë vitesh, por ende nuk arritur t’i përmbushin kushtet e nevojshme, sipas bllokut.
Çdo shtet ndodhet në fazë të ndryshme të procesit të anëtarësimit, por Mali i Zi dhe Shqipëria janë shumë më përpara në këtë rrugëtim. Ndërsa Kosova është akoma vendi i vetëm i rajonit që nuk e ka as statusin e vendit kandidat.

(Kohapress/REL)

Të fundit

më të lexuarat