
Termi diskriminim rrjedh nga gjuha latine discrimino, diskriminare dhe ka kuptimin e ndarjes, dallimit, trajtimit në mënyrë të ndryshme, i kufizimit të të drejtave, ose të vendosjes së pabarazisë. Termi diskriminim është shpjeguar në nenin 1 të Konventës Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial. Sipas tij, termi ”diskriminim racial” në Konventë ”ka të bëjë me çdo dallim, përjashtim, kufizim ose dhënie të përparësive, që është e bazuar në racë, ngjyrë, prejardhje, origjinë kombëtare ose etnike, që ka për qëllim ose për rezultat të shkatërrojë ose të komprometojë njohjen, gëzimin ose ushtrimin, në kushtet e barazisë, të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, në fushat politike, ekonomike, sociale dhe kulturore ose në çfarëdo fushe tjetër të jetës publike”.
Diskriminimi si një ndër format më të vrazhdta të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore është fenomen mjaft i përhapur dhe bazohet në “doktrina” mbi superioritetin ose inferioritetin e racave, të popujve, të gjinive etj., në bazë të të cilave disa raca kanë vlerë më të vogël dhe nevojë të sundohen nga racat më të vlefshme (më të larta).
Manifestimet e diskriminimit të hapur ose të kamufluar i hasim edhe sot në shumë vende të botës, ku bën pjesë edhe Mali i Zi. Kërkesat për një pozitë të veçantë të ndonjë grupi në krahasim me grupin a grupet tjera kanë qenë fenomen mjaft i shpeshtë gjatë historisë. Më së shpeshti kërkesat e tilla mbështeten në teori raciste për arsyetimin e kërkesave për pozitë të privilegjuar.
Idetë e tilla në të kaluarën, por edhe në ditët e sotme, kanë implikime edhe për shqiptarët. Për shembull, Vlladan Gjorgjeviqi, Stojan Protiqi, Nikolla Pashiqi dhe racistë e shovinistë të ndryshëm janë përpjekur që t’i paraqesin shqiptarët si popull i paqytetëruar, i prapambetur, i paedukuar, jo punëtor (përtac), dinak, agresiv, dhunues, i dobët etj. Kualifikimet e këtilla kanë qenë çdoherë në funksion të përpjekjeve për të siguruar pozitë të privilegjuar a dominuese për një popull a për një grup, në dëm të popujve të tjerë a grupeve të ndryshme. Si të këtilla, ato janë në mënyrë shkencore të pabaza dhe moralisht për gjykim. Pikërisht për këtë, intelektuali i njohur Ashraf Pahlavi, përpjeket për të vërtetuar inferioritetin e njerëzve vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës a karakteristikave etnike, i ka çmuar si shenja të “mendjes së luajtur ose devijimit shpirtëror”.
Ekzistenca e të drejtave të natyrshme subjektive e të patjetërsuara të njeriut dhe të qytetarit dhe nevoja që ato të drejta të mbrohen ka qenë themel mbi të cilat është ndërtuar e drejta publike.
Aktet e para më të rëndësishme të aprovuara janë: Kushtetuta e Virxhinias (1776), Deklarata e Pavarësisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1776), Deklarata franceze për të Drejtat e Njeriut e të Qytetarit (1789) dhe Kushtetuta e Montanjarit (1793). Ato kanë vendosur standardet themelore të të drejtave të njeriut dhe janë bërë udhërrëfyese për popuj dhe shtete të tjera, me çka kanë hyrë dhe kanë fituar vend të rëndësishëm në historinë e njerëzimit.
Komuniteti ndërkombëtar që nga gjysma e dytë e shekullit XIX gjithnjë e më tepër angazhohet për të siguruar barazinë e plotë ndërmjet shtetasve, pa marrë parasysh dallimet racore, kombëtare, fetare, gjuhësore etj.
Dispozitat e rëndësishme për ndalimin e diskriminimit hasen në marrëveshjet e paqes që janë lidhur që nga Lufta e Krimesë deri te marrëveshjet që janë lidhur pas Luftës së Dytë Botërore. Kështu, Traktati i Paqes i Parisit, i lidhur më 1856, në nenin 9 e detyronte Portën për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar lirinë e plotë të të gjithë shtetasve të vet, pa marrë parasysh dallimet fetare ose racore.
Kongresi i Berlinit e ka zgjeruar rrethin e shteteve të detyruara. Sipas nenit 62 të Traktatit të Berlinit, Turqia ishte e detyruar të respektonte lirinë fetare, kurse Serbia, Mali i Zi, Rumania dhe Bullgaria të mbronin pakicat fetare, përkatësisht të garantonin liritë fetare dhe të ndalonin çfarëdo diskriminimi në bazë të fesë, për sa i përket zgjedhjes së vendqëndrimit, ushtrimit të të drejtave politike dhe pranimit në shërbime publike.
Çështja e njohjes dhe e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore për të gjithë, në pikëpamje të racës, gjuhës dhe fesë, ka qenë objekt i rregullimit të shumë kontratave ndërkombëtare të lidhura pas Luftës së Dytë Botërore. Disa prej tyre përmbajnë dispozita të cilat shprehimisht e ndalojnë diskriminimin, në bazë të racës, gjuhës ose fesë.
Karta e Kombeve të Bashkuara, në nenet 1, 13, 55 dhe 76, duke bërë fjalë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, thekson se kjo duhet bërë pa kurrfarë dallimi sa i përket racës, gjinisë, gjuhës apo fesë, që në esencë paraqet ndalim implicit të diskriminimit. Edhe Deklarata e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut parasheh se të drejtat i takojnë çdo njeriu pa kurrfarë dallimi për sa i përket racës, ngjyrës, gjuhës, fesë (besimit), mendimit politik ose mendimit tjetër, origjinës kombëtare ose shoqërore, pasurisë, lindjes ose rrethanave të tjera (neni 2). Deklarata parasheh gjithashtu (nenet 7, 23, 26) se të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit; se çdokush ka të drejtë në punë, shkollim etj.
Bashkësia ndërkombëtare, krahas dokumenteve të përgjithshme ka nxjerrë dhe dokumente të veçanta që duhen të sigurojnë eliminimin e formave të posaçme të diskriminimit. Në këtë drejtim, ka ardhur deri tek aprovimi i dy dokumenteve me rëndësi ndërkombëtare që drejtpërdrejt kanë të bëjnë me diskriminimin racor. Ato janë: Deklarata e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor (1963) dhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor (1965).
Me Kushtetutën e Malit të Zi është përcaktuar: ”Ndalohet çdo diskriminim i drejtpërdrejtë dhe indirekt mbi çfarëdo baze” (neni 8, alineja 1). Mali i Zi e ka aprovuar dhe Ligjin për ndalimin e diskriminimit. Mirëpo, ekzistenca e rregullave për ndalimin e diskriminimit në ndonjë kushtetutë ose ligj nuk mund të merret sikur diskriminimi nuk është i lejuar dhe se nuk ekziston. Krahas përcaktimeve juridike, ajo varet dhe nga klima e përgjithshme shoqërore, kultura politike dhe juridike, vetëdija qytetare demokratike, vullneti politik, si dhe nga ekzistenca e kapaciteteve demokratike dhe resurseve njerëzore të shoqërisë dhe shtetit përkatës, që janë të afta, të vendosura dhe të gatshme që në mënyrë efikase e konsekuente të luftojnë kundër diskriminimit. Mirëpo, mund të konkludohet se në këtë pikëpamje Mali i Zi është në gjendje deficitare. Kështu, vetëm një krahasim i praktikës së vendeve skandinave, kushtetutat e të cilave nuk kanë këso rregullash dhe disa vendeve të tjera, kushtetutat e të cilave përmbajnë shumë rregulla për ndalimin e tij, tregon tërë disproporcionin ekzistues. Aty ku formalisht mund të pritej të ketë diskriminim, fare s’ka; aty ku konsiderohet se është i pamundshëm, aty ekziston. Nga kjo del se krejt varet nga shteti, organet dhe individët, se sa janë të gatshëm dhe të aftë për ta luftuar diskriminimin, për shkak se ka plot shembuj kur ndonjë shtet zhvillon aso politike që ka për qëllim t’u sigurojë pozitë të privilegjuar anëtarëve të një grupi dhe t’i diskriminojë anëtarët e grupit a të grupeve të tjera në ndarjen e pasurisë shoqërore (shfrytëzimi i banesave, kredive të ndryshme, mundësive për punësim, avancim në punë për pozita të ndryshme, shkollim, mjekim etj.), siç është rasti me Malin e Zi.
