
Shpesh themi se pa art, bota do të ishte ndryshe. Dhe kjo është e vërtetë. Por ndonjëherë pyes veten: sa e ndryshme do të ishte bota jonë nëse do të dinim ta dëgjonim më shumë natyrën?
Po shkruaj për vendin ku jetoj, jo sepse besoj se kam zbuluar diçka që të tjerët nuk e dinë për natyrën. Të gjithë e dimë se ajo është e bukur. Të gjithë e dimë se na qetëson dhe se është e rëndësishme për jetën tonë. Por ndonjëherë, edhe atë që dimë, harrojmë ta praktikojmë.
Prandaj po shkruaj.
Po shkruaj për të na kujtuar diçka që në të vërtetë e dimë, por që jo gjithmonë e jetojmë.
Dua të tregoj se çfarë mund t’i bëjë natyra një njeriu kur nuk shkon tek ajo vetëm për disa orë – për ta parë, për ta fotografuar dhe pastaj për t’u kthyer në jetën e zakonshme. Unë zgjodha të jetoj në mal dhe të punoj aty, dhe kjo më ka mësuar ta shoh natyrën ndryshe.
Nuk po flas për natyrën si një eksperte. Po flas për atë që ndodh kur nuk mjaftohemi vetëm duke e parë. Po flas për atë që ndodh kur fillojmë të jetojmë me të, të varemi prej saj dhe të përballemi me sfidat që ajo na sjell.
Natyra nuk është vetëm ajo që shohim. Është edhe ajo që na kërkon. Këtu duhet të shkosh te burimi për të sjellë ujë. Duhet të shkosh në pyll për të mbledhur dru. Duhet të mendosh sa ujë përdor. Duhet të përgatitësh bukën tënde. Duhet të njohësh motin, errësirën, të ftohtin dhe heshtjen. Duhet të mësosh të presësh dhe të kuptosh kufijtë e tu.
Këto gjëra të vogla, që në një jetë tjetër mund të duken të parëndësishme, këtu bëhen pjesë e përditshmërisë. Dhe pikërisht aty fillon të ndryshojë njeriu.
Mendoj se shumë njerëz e duan natyrën, por jo gjithmonë e përjetojnë atë. Sot natyra shpesh është bërë një vend për piknik, për fotografi dhe për disa orë larg zhurmës së qytetit. Dhe kjo është bukur. Por të jetosh brenda natyrës është diçka tjetër.
Natyra nuk të premton gjithmonë rehati. Të vë përballë vetes. Dhe kur njeriu përballet me veten, fillon të zbulojë se sa shumë mund të përballojë, sa shumë mund të japë dhe sa pak në të vërtetë i nevojitet për të vazhduar.
Pikërisht në këtë hapësirë mes natyrës dhe vetes sime kam filluar ta kuptoj më thellë edhe artin tim. Për mua, arti nuk është vetëm ajo që krijoj mbi një sipërfaqe. Është ajo që më ndodh përpara se të filloj të krijoj.
Natyra më ka mësuar të shoh materialin ndryshe. Një copë druri nuk është vetëm dru. Një gur nuk është vetëm gur. Një copë pëlhure e hedhur, një thes kafeje i përdorur, një material i djegur apo një objekt që dikush nuk e konsideron më të vlefshëm mund të mbajë brenda vetes gjurmë të një jete.
Unë nuk dua t’i zhduk ato gjurmë. Dua t’i dëgjoj. Ndoshta kjo është arsyeja pse në punën time materialet kanë një zë. Ato mbajnë kujtime, punë, heshtje, lodhje, histori dhe emocione. Unë përpiqem t’i sjell ato në një marrëdhënie të re me kohën.
Sepse arti, për mua, është një mënyrë për të regjistruar të tashmen duke mos e shkëputur atë nga e kaluara.
Ne jetojmë mes shumë fjalëve të pathëna dhe shumë emocioneve të fshehura. Shpesh pyes veten: Pse kemi kaq shumë gjëra që nuk i themi? Pse i fshehim emocionet? Pse përpiqemi të mbulojmë atë që ka ndodhur, sikur duke e mbuluar mund ta zhdukim?
Ndoshta natyra më ka mësuar se asgjë nuk zhduket kaq lehtë. Një pemë mund të bjerë, por gjurmët e saj mbeten. Një sipërfaqe mund të digjet, por ajo që ka qenë nuk zhduket domosdoshmërisht. Një material mund të ndryshojë formë, por historia e tij vazhdon të jetojë. Kjo është ajo që kërkoj edhe në artin tim.
Dhe ndoshta këtu arti dhe natyra takohen më thellë brenda meje.
Kur krijoj, ndihem e plotë. Ka momente kur një material më bën të ndalem, ta shikoj dhe të pyes veten se çfarë po më thotë. Në ato momente nuk ndihem sikur jam duke krijuar vetëm një vepër. Ndihem sikur jam duke dëgjuar diçka që ka qenë aty përpara meje.
Kjo mënyrë e të jetuarit më ka bërë të kuptoj se natyra nuk është vetëm një mjedis ku jetoj. Ajo është bërë pjesë e mënyrës se si mendoj, e mënyrës se si ndiej dhe, përfundimisht, e mënyrës se si krijoj.
Ndoshta njeriu nuk e zbulon vërtet veten vetëm kur gjithçka është e lehtë. Ndoshta e zbulon kur përballet me atë që është e vështirë. Dhe kjo është ajo që më ka dhënë natyra: jo vetëm bukurinë e saj, por sfidën e saj.
Përmes këtyre përvojave kam filluar të njoh më thellë veten, njerëzit dhe botën që më rrethon. Kam filluar të kuptoj se shumë prej ndjenjave që mbajmë brenda nesh, shumë prej heshtjeve, kujtimeve dhe pyetjeve tona, mund të marrin një formë tjetër përmes artit.
Nuk po them se të gjithë duhet të vijnë të jetojnë në natyrë. Koha në të cilën jetojmë, teknologjia dhe mënyra moderne e jetës na kanë afruar gjithnjë e më shumë me qytetet dhe me një ritëm tjetër jetese. Dhe ndoshta kjo është pjesë e pandashme e kohës sonë.
Por kur vijmë në natyrë, ndoshta duhet të mësojmë ta shohim pak më ndryshe. Jo domosdoshmërisht me syrin e një artisti. Thjesht me pak më shumë vëmendje.
Kur ecim, të mendojmë për hapat që vendosim mbi tokë. Kur shohim një pemë me një formë të pazakontë, të pyesim veten pse është bërë pikërisht ashtu. Kur ndalojmë për të bërë një fotografi, ndoshta përpara se të shtypim butonin, të marrim një frymë të thellë dhe t’i japim vetes një çast për ta ndier atë që kemi përpara.
Sepse natyra nuk na kërkon gjithmonë të bëjmë diçka. Ndonjëherë na kërkon vetëm të ndalemi.
Dhe ndoshta, në atë frymëmarrje të vogël, në atë formë të pazakontë të një peme, në atë gur që e shkelim pa e vënë re, mund të gjejmë diçka që nuk e dinim se e kishim humbur brenda vetes.
Për mua, pikërisht aty fillon lidhja mes njeriut, natyrës dhe artit.
Të shohësh më thellë do të thotë të ndiesh më thellë. Dhe kur njeriu fillon të ndiejë më thellë, ndoshta fillon edhe ta njohë më mirë veten.
Ndoshta, nëse më shumë njerëz do të gjenin në natyrë një mënyrë për të zbuluar forcën brenda vetes dhe për të kuptuar se çfarë është vërtet e rëndësishme, do të merrnin edhe vendime më të mira për jetën e tyre dhe për jetën e të tjerëve. Sepse njerëzit që marrin vendime për ne, janë gjithashtu njerëz.
Dhe ndoshta, kur njeriu arrin të kuptojë më mirë veten, natyrën dhe atë që ka vërtet rëndësi, mund të fillojë të marrë vendime me më shumë përgjegjësi, ndershmëri dhe kujdes për të tjerët.
Të gjitha këto përvoja, këto ndjenja dhe kjo mënyrë më e thellë e të kuptuarit të botës kanë ardhur tek unë përmes natyrës. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse vazhdoj të krijoj.
Sepse kur krijoj, marr frymë.
