Përçan koalicionin qeverisës

Partia Demokratike e Socialistëve ka inicuar shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, njëherësh kryetar i Demokracisë së Re Serbe, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës.
Shkak për këtë është bërë deklarata e tij pas vdekjes së komandantit të ushtrisë së serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, të dënuar për krime lufte dhe gjenocid gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë.
Me këtë rast, ai i ka shprehur ngushëllime Darko Mlladiqit, djalit të tij.
“Sapo i shpreha ngushëllime Darko Mlladiqit, në emrin tim dhe të Demokracisë së Re Serbe, me rastin e vdekjes së babait të tij, Ratko Mlladiq”, ka bërë të ditur Mandiq.
Kjo është bërë shkak për inicimin e shkarkimit të tij nga Partia Demokratike e Socialistëve në opozitë.
Në iniciativën e PDS-së thuhet se ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Serbe, krimineli dhe i burgosuri i Hagës, Ratko Mlladiq, i cili vdiq në moshën 85 vjeçare, është dënuar në vitin 2021 nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë për gjenocid në Srebrenicë, persekutim të popullsisë civile, shfarosje dhe vrasje, deportim dhe akte çnjerëzore, terrorizëm dhe sulme të paligjshme në Sarajevë dhe marrjen peng të ushtarëve të OKB-së.
“Funksioni i kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi nënkupton një përgjegjësi të veçantë politike dhe institucionale, si dhe detyrimin për të ruajtur reputacionin dhe integritetin e Dhomës së Përfaqësuesve të të gjithë qytetarëve. Megjithatë, gjatë mandatit të tij, Andrija Mandiqi vazhdimisht e përdori autoritetin e atij pozicioni për të promovuar pikëpamje që thellojnë përçarjet shoqërore, ndërsa veprimet e tij njëkohësisht dëmtuan reputacionin e Kuvendit dhe besueshmërinë ndërkombëtare të Malit të Zi. Një veprim i tillë është një arsye e mjaftueshme për të rihapur çështjen e përgjegjësisë së tij politike dhe besimit për kryerjen e mëtejshme të funksionit të kryetarit të Kuvendit para deputetëve”, thuhet në propozimin e PDS-së.
Përpos 16 deputetëve të PDS-së, iniciativa për shkarkimin e Mandiqit është mbështetur edhe nga partitë tjera opozitare dhe deputetët që veprojnë si të pavarur në Kuvendin e Malit të Zi.
Por ajo është mbështetur edhe nga Partia Boshnjake dhe Forumi Shqiptar, që janë pjesë e koalicionit qeverisës, duke përçarë kështu koalicionin qeverisës edhe ashtu të brishtë.
Kryesia e Partisë Boshnjake ka vendosur njëzëri që deputetët e saj të votojnë për shkarkimin e Andrija Mandiqit.
Në deklaratën e kësaj partie thuhet se kryesia e Partisë Boshnjake beson se ky vendim është në përputhje me parimet e saj programore, si dhe me vlerat, përgjegjësitë dhe parimet mbi të cilat duhet të mbështetet një Mal i Zi demokratik dhe evropian.
“Ratko Mlladiq nuk ishte një ‘udhëheqës ushtarak’, as një ‘hero’, as një njeri për të cilin mund të tregohet ndonjë respekt, por një kriminel lufte i dënuar ligjërisht, i cili u dënua me burgim të përjetshëm para institucioneve gjyqësore ndërkombëtare për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Partisë Boshnjake.
Megjithëse inciativa e ka përçarë koalicionin qeverisës, pasi që dy partitë më të mëdha të popujve pakicë janë shprehur se do të mbështesin propozimin e PDS-së, zor se mund të pritet që inciativa të fitojë shumicën, pasi që kjo do të thoshte edhe prishje të koalicionit qeverisës.

(Kohapress)

Si do të votojnë deputetët shqiptarë?

Çështja që shtrohet është se si do të votojnë deputetët shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi ndaj inciativës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq.
Forumi Shqiptar tashmë e ka bërë të ditur qëndrimin e tij, të marrë njëzëri në mbledhjen e kryesisë, të mbajtur më 7 shtator 2026. Nga kjo parti kanë bërë të ditur se shefi i Klubit Parlamentar të Forumit Shqiptar do ta nënshkruajë nismën për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ndërsa deputetët e Forumit Shqiptar do të votojnë për shkarkimin e tij.
“Sa i përket nismës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, kryesia vlerësoi se kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me votimin pro ose kundër një zyrtari të caktuar dhe as nuk përfaqëson mbështetje për propozuesin e nismës. Çështja thelbësore është nëse Mali i Zi e pranon glorifikimin e kriminelëve të luftës apo qëndron në anën e drejtësisë ndërkombëtare, viktimave dhe vlerave evropiane. Ratko Mlladiq është kriminel lufte, i dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga një gjykatë ndërkombëtare. Çdo përpjekje për glorifikimin e tij është e papranueshme, antievropiane dhe në kundërshtim me të ardhmen që kanë zgjedhur qytetarët e Malit të Zi”, thuhet në deklaratën për shtyp të Forumit Shqiptar.
Më herët, deputeti i Forumit Shqiptar, njëherësh nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, ka deklaruar se nuk do të votojë për iniciativën e PDS-së për shkarkimin e Mandiqit, pasi që ajo vjen nga një parti e cila gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar ka mbështetur dhe ndihmuar kriminelët e luftës në hapësirën e ish-Jugosllavisë.
Ndërkohë akoma nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i Aleancës Shqiptare lidhur me këtë iniciativë, pasi që deri tani (momentin e shkuarjes së gazetës në shtyp) nuk janë deklaruar publikisht.
Lidhur me këtë çështje kanë reaguar edhe nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi, që është pjesë e koalicionit Aleanca Shqiptare, duke nënvizuar që qëndrimi i tyre dihet dhe se ata kanë qenë prej fillimit kundër zgjedhjes së Andrija Mandiqit kryetar i Kuvendit të Malit të Zi.
“Për LD në MZ është e papranueshme që në krye të institucionit më të lartë përfaqësues të qytetarëve të Malit të Zi të jetë një person që me deklaratat dhe veprimet e tij publike nderon apo glorifikon një person të dënuar për krime të rënda lufte”, thuhet ndër të tjera në deklaratën për media të kësaj partie.

Të fundit

më të lexuarat