Tekstet shkollore dhe mbështetja për nxënësit
Një ndihmë e rëndësishme për familjet është sigurimi i teksteve shkollore për nxënësit e arsimit fillor nga Ministria e Arsimit. Ndërsa në arsimin e mesëm, veçanërisht në gjimnaz, familjet përballen me shpenzime më të mëdha për tekstet dhe materialet shkollore. Një mbështetje e veçantë është edhe vendimi i Komunës së Tuzit për t’u dhuruar nga 100 euro fillestarëve. Ky është një gjest që meriton falënderim, sepse i ndihmon familjet në përballimin e shpenzimeve të fillimit të shkollës dhe përcjell një mesazh se fëmijët dhe arsimi janë një investim i përbashkët i familjes dhe i komunitetit.
Arsimi parashkollor në Malësi
Kopshti “Nënë Tereza” në Tuz është një institucion i rëndësishëm për edukimin e hershëm të fëmijëve dhe zhvillon mësimin në gjuhën shqipe dhe në gjuhën zyrtare. Ajo ka edhe njësitë e saj në Dinoshë dhe Triesh.
Në Sukruq funksionon kopshti katolik “Nënë Tereza”, që është një tjetër mundësi e rëndësishme për edukimin parashkollor të fëmijëve të kësaj zone.
Në Tuz vepron edhe kopshti islam.
Në përgjithësi, mund të vërehet një dallim ndërmjet zonave urbane dhe atyre rurale: kopshtet në zonat urbane kanë goxha fëmijë, ndërsa në zonat rurale numri i tyre është dukshëm më i vogël. Rënia e natalitetit dhe ndryshimet demografike ndikojnë drejtpërdrejt edhe në numrin e fëmijëve në bankat shkollore.
Shkollat fillore të Malësisë
Shkolla qendrore fillore e Malësisë është SHF “Mahmut Lekiq” në Tuz, e cila ka mbi 1 000 nxënës dhe mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe në gjuhën zyrtare. Ajo ka edhe paralelet e saj në Vuksanlekaj, Sukruq, Milesh.
SHF “29 Nëntori” në Dinoshë, me paralelet e saj në Priftën, Kshevë.
SHF “Bashkimi” në Hot, me paralelen e saj në Drume të Epërme.
SHF “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Triesh, me paralelet e saj në Rudinë, Cem të Trieshit. Këto shkolla nuk janë vetëm institucione arsimore. Ato janë vatra të dijes, kulturës, gjuhës dhe identitetit të vendbanimeve tona. Sidomos në zonat malore, ku numri i fëmijëve është i vogël, paralelet e shpërndara dhe anekset përballen me sfida të mëdha. Një klasë me pak nxënës mund të duket e vogël në numër, por për një fshat ajo mund të jetë shpresa për të mos mbetur pa shkollë, pa fëmijë dhe pa jetë.
Sfida e ruajtjes së mësimit në gjuhën shqipe
Një ndër sfidat që duhet ta shqetësojë shoqërinë tonë është edhe rënia e numrit të nxënësve që ndjekin mësimin në gjuhën shqipe. Në këtë dukuri ndikojnë disa faktorë demografikë e shoqërorë: rënia e natalitetit, shpërnguljet, por edhe martesat e përziera me persona të kombësive të tjera, të cilat në disa raste ndikojnë në zgjedhjen e gjuhës së mësimit për fëmijët. Ruajtja e mësimit në gjuhën shqipe është një përgjegjësi e përbashkët e familjes, shkollës, institucioneve dhe gjithë komunitetit.
Një sfidë tjetër është sigurimi i kuadrit profesional. Në përgjithësi, shumica e lëndëve janë të mbuluara me kuadër profesional, por nevoja dhe vështirësi paraqiten veçanërisht në Matematikë dhe në lëndët natyrore.
Shkolla e mesme në Tuz
Shkolla e Mesme e Përzier “25 Maji” në Tuz është institucioni kryesor i arsimit të mesëm në komunën e Tuzit. Mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe në gjuhën zyrtare. Shkolla përfshin gjimnazin e përgjithshëm dhe drejtime profesionale. Edhe në arsimin e mesëm mbetet e rëndësishme ruajtja dhe forcimi i mësimit në gjuhën shqipe, si dhe sigurimi i kuadrit profesional për të gjitha lëndët.
Medreseja “Mehmed Fatih”
Medreseja “Mehmed Fatih” në Milesh – Tuz e zhvillon mësimin në gjuhën shqipe dhe në gjuhën zyrtare. Ajo është një shkollë fetare që u ofron nxënësve mundësinë e arsimimit dhe edukimit në përputhje me programin e saj.
Arsimi – investimi më i madh për Malësinë
Fillimi i një viti të ri shkollor është më shumë se një datë në kalendar. Është momenti kur klasat mbushen përsëri me zëra fëmijësh, korridoret me hapa të vegjël e të mëdhenj dhe bankat me ëndrra të reja.
Udhëheqësve të institucioneve arsimore u urojmë punë të mbarë, përgjegjësi dhe vizion, sepse një shkollë e mirë fillon nga një udhëheqje që e vendos nxënësin në qendër. Personelit arsimor – mësuesve, arsimtarëve, profesorëve dhe të gjithë punonjësve të arsimit – u urojmë durim, shëndet dhe suksese. Sepse mësuesi nuk përcjell vetëm dije; ai ndërton karakter, ushqen ëndrra dhe ndez dritën e së ardhmes. Prindërve u urojmë bashkëpunim të mirë me shkollën dhe besim te mësuesit. Ndërsa nxënësve tanë u themi: “Mësoni sot, sepse dija është çelësi që hap dyert e së nesërmes”; “Mos kini frikë nga vështirësitë – çdo gabim është një hap drejt suksesit”; “Ruajeni gjuhën, kulturën dhe traditën tuaj, sepse ato janë pjesë e identitetit që ju përcillet brez pas brezi.”
Dhe mbi të gjitha, ta ruajmë shkollën në çdo vendbanim të Malësisë, sepse aty ku ka shkollë, ka fëmijë; aty ku ka fëmijë, ka shpresë; dhe aty ku ka shpresë, ka të ardhme.
Suksese në vitin e ri shkollor 2026/2027!
Udhëheqësve, mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve – një vit të mbarë, me shumë dije, punë, mirësi dhe rezultate!
Valbona Gojçaj – Gjokaj
