
Përgjatë historisë shekullore, Shestani (Ana e Sipërme e Krajës së Shkodrës) është përballur me alternativën historike, ose drejt tkurrjes, qëndresës e mbijetesës ose drejt shuarjes. Historia e këtij rajoni kulmoi me boshatisjen e tij nga shestanasit arbërorë dhe emigrimin e tyre në vende të ndryshme. Dëshmi e hidhur për këtë është edhe mbyllja e shkollës fillore amë në Gjuraç, shkolla e parë (pas asaj në Krricë) dhe e fundit në Shestan.
Shkolla fillore “Bratstvo-Jedinstvo” në Gjuraç, që nga themelimi i saj (1891), ishte shkollë me mësim në gjuhën serbe (nashke). Atë e themeluan pushtuesit malazezë. Shumë kohë më pas u themeluan edhe shkolla të tjera fillore katërklasore (Ljare, Muriq, Pinç), të cilat në vitin shkollor 1962/1963 u integruan (si paralele të ndara) në shkollën fillore tetëvjeçare në Gjuraç. Ndërkohë, pati përpjekje e nisma që gjuhë mësimi në këtë shkollë të jetë gjuha amtare shqipe, gjë që në periudha të caktuara kohore u arrit në shkollën e Muriqit dhe atë të Pinçit, por shkolla fillore tetëvjeçare “Bratstvo-Jedinstvo” në Gjuraç, deri kur u mbyll (2026), ishte dhe mbeti një shkollë e mirëfilltë malazeze (serbe), si nga forma, ashtu edhe nga përmbajtja. Gjatë periudhës 135 vjeçare të veprimtarisë së saj, me ndonjë ndërprerje, ajo luajti rol vendimtar për tjetërsimin kombëtar (sllavizimin) të popullsisë së Shestanit, deri në atë shkallë saqë shumë prej tyre, ndonëse ende flisnin dhe flasin shqip, kanë aversion e qëndrim mohues ndaj çdo vlere kombëtare shqiptare.
Kjo shkollë serbe në troje etnike shqiptare, nuk ekziston më. Në vend se të shndërrohej në shkollë me mësim në gjuhën amtare shqipe, ajo u mbyll përfundimisht, për shkak të migrimit të popullsisë dhe mungesës së nxënësve. Shestani, tanimë vetëm një shprehje e gjeografisë historike, mbeti pa fëmijë e të rinj dhe pa asnjë nxënës!
Dallgët e jetës dhe historisë bënë që ata (shestanasit) të shpërngulen dhe të vendosen në vende të ndryshme (Zarë, Shkodër, Tivar, Ulqin e gjetkë). Interesant është fakti se shestanasit e shpërngulur në Zarë vazhduan ta quajnë veten “arbneshë” (si në vendrrënjën e tyre), ndërkohë që shumë shestanas rezidentë pas Luftës së Dytë Botërore, çuditërisht e mohojnë përkatësinë e tyre etnike shqiptare dhe e deklarojnë veten me mburrje “Crnogorac”!
Në këto rrethana, domosdo kujtojmë se në Shestanin tanimë të shpopulluar e të braktisur, përkatësisht në Brisk, lindi e punoi Gjon Buzuku, autori i veprës monumentale të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Aty lindi edhe Ivo Petani, rektor i Seminarit Ilirik të Loretos në Itali. Rajoni i Shestanit shquhet për klerikë katolikë, disa prej të cilëve ishin edhe argjipeshkvij të Tivarit. Aty lindi edhe Janko Perkola, drejtori i parë i shkollës tetëvjeçare në Ostros, pastaj kleriku, historiani dhe ertnografi dr. Vinçenc Malaj, publicisti e studiuesi Gjokë Dabaj dhe intelektualë të tjerë, duke përfshirë edhe ata që janë me rrënjë (rrënjëshkulur) nga Shestani, si Josip Rela, Shime Deshpali, Rikard Ljarja, prof. dr. Simë Dobreci, dr. Bahri Brisku e shumë të tjerë.
Shpopullimi dhe mbyllja e shkollave në Shestan (Anën e Sipërme) lidhet natyrshëm edhe me Anën e Poshtme të Krajës. Statistikat dhe gjendja faktike tregojnë se edhe në këtë rajon numri i banorëve dhe nxënësve është në rënie drastike dhe të vazhdueshme. Ka kohë që shumë paralele të ndara të shkollës amë “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Ostros janë mbyllur. Aktualisht, ajo ka rreth 50 nxënës. Sivjet, në vitin shkollor 2026/2027 u regjistruan vetëm katër nxënës në klasën e parë të shkollës fillore. Vetëm katër nxënës…! Ndaj, edhe shkolla e Ostrosit shpejt mund të mbyllet, ashtu siç u mbyll edhe shkolla e Gjuraçit.
Mbyllja e këtyre dy shkollave do të thotë se Kraja e Shkodrës mund të shuhet, përfundimisht! Uroj dhe shpresoj që shumica e krajanëve, edhe pse tanimë nuk jetojnë në Krajë, e kanë në shpirt dhe jetojnë me Krajën e tyre, me Krajën tonë, me Krajën e Shkodrës!
