Kryengritja e Malësisë, një kapitull i rëndësishëm i Pavarësisë

Historiania Elena Kocaqi theksoi se, për të, figura e Dedë Gjon Lulit është një nga figurat më të pastra kombëtare të historisë së Shqipërisë, duke thënë se veprimtaria e tij nuk ka filluar vetëm në kryengritjen e 1911-s, por që nga Lidhja e Prizrenit, ku ai ka qenë aktiv duke luftuar që krahina e Hotit dhe Grudës të mos i kalojë Malit të Zi

Instituti Shqiptaro-Amerikan organizoi të martën mbrëma, më 25 gusht 2026, në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz ligjëratën me temë “Kryengritja e Malësisë së Madhe nën udhëheqjen e Dedë Gjon Lulit dhe roli i saj në Pavarësinë e Shqipërisë”, mbi të cilën foli Dr. Elena Kocaqi, historiane, ndërsa aktivitetin e moderoi Dr. Nail Draga.
Në prani të një numri të konsiderueshëm të publikut, fillimisht, në cilësinë e koordinatorit të këtij instituti, përshëndeti Kolë Ivanaj, i cili falënderoi të gjithë të pranishmit, duke thënë se ky është një aktivitet i rëndësishëm kulturor që trajton Kryengritjen e Malësisë dhe rolin e saj në pavarësinë e shtetit shqiptar.
Ai, duke i uruar znj. Kocaqi mirëseardhjen, theksoi se Malësia është vendi i shqiponjave, pavarësisht se ka mbetur jashtë kufirit administrativ të Shqipërisë, dhe se me fanatizëm e ka ruajtur identitetin kombëtar.
Moderatori i mbrëmjes, Dr. Nail Draga, nënvizoi se nuk ishte e lehtë të luftosh ndaj një perandorie e cila, ndonëse në vitet e fundit të pushtetit të saj, “dëshironte të sillej në mënyrë të vrazhdë ndaj shqiptarëve, ndaj identitetit të tyre, ndaj shqiptarëve katolikë të Shqipërisë Veriore por dhe të gjithë të tjerëve të cilët ishin në mbrojtje të identitetit dhe entitetit shqiptar në përgjithësi”.
Historiania Elena Kocaqi, në këtë ligjëratë fillimisht shpalosi disa informacione të vlefshme mbi rolin dhe pozitën e shqiptarëve, formimin dhe pavarësimin e shtetit shqiptar, rolin e rëndësishëm të Austro-Hungarisë në themelimin dhe mbrojtjen e shtetit shqiptar, për të kaluar më pas te Kryengritja e Malësisë, Dedë Gjon Luli dhe malësorët e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të vitit 1911.
Ajo theksoi se, për të, figura e Dedë Gjon Lulit është një nga figurat më të pastra kombëtare të historisë së Shqipërisë, duke thënë se veprimtaria e tij nuk ka filluar vetëm në kryengritjen e 1911-s, por që nga Lidhja e Prizrenit, ku ai ka qenë aktiv duke luftuar që krahina e Hotit dhe Grudës të mos i kalojë Malit të Zi.
“Dedë Gjon Luli vazhdoi pastaj me kryengritjen e 1911-s, ku ai arriti kulmin. Por këtë kryengritje, përveç Dedë Gjon Lulit e bënë edhe krerët e viseve të tjera nga gjithë Malësia, por ai ishte drejtuesi i saj”, u shpreh mes tjerash Kocaqi.
Ngritja e flamurit, shtoi ajo, është një nga veprat e tij më të mëdha të asaj kryengritjeje, pasi flamuri simbolizonte kombin dhe lirinë.
Kocaqi tha se flamuri mendohet se ishte porositur nga Kastriotët që jetonin në atë kohë, përkatësisht nga një pinjoll i Kastriotëve nga Spanja, i cili kishte porositur që të vijnë tre flamuj në Malësi, dhe siç mendohet, shtoi ajo, njëri nga ata ka qenë ai i ngritur në Bratilë.
“Ky flamur është fotografuar në atë kohë nga Marubi, të cilin e kemi edhe sot si dëshmi”, tha Kocaqi.
Lidhur me vendimet e marra në Memorandumin e Greçës, Kocaqi tha se Dedë Gjon Luli u ka qëndruar besnikërisht atyre vendimeve, duke thënë se ai nuk njohu as nuk pranoi copëtimin e vetë Shqipërisë më 1913, sikurse nuk e ka njohur as Sokol Baci.
Kocaqi u shpreh se Dedë Gjon Luli është një nga heronjtë shqiptarë të Shqipërisë të dekoruar dhe një figurë e jashtëzakonshme e historisë moderne të Shqipërisë.
“Për faktin se ai arriti të drejtonte një kryengritje e cila ishte pararendëse e historisë së Shqipërisë, e cila ishte kryengritja e parë që theu zinxhirët e një tiranie pesëqindvjeçare të një pushtuesi që na çoi 1 500 vjet pas. Sepse kur erdhën pushtuesit, ne ishim me universitet, ishim një nga popujt më të vjetër në Evropë dhe kishim qytetërim tri mijë vjeçarë dhe u pushtuam nga pushtues që ishin me çadra, dhe kjo na çoi shumë mbrapa si komb”, u shpreh Kocaqi.
Ajo më tej shtoi se ky pushtues, përveç pushtimit, na hoqi gjuhën dhe identitetin, duke ndikuar kështu në asimilimin e shqiptarëve në vendet fqinje.
Ndërkohë, duke u ndalur te vdekja e Dedë Gjon Lulit, për të ajo mbetet shumë e mistershme, duke thënë se do të duhej të fillonin investigime më të thella se si ai është vrarë dhe kush e vrau, por edhe për heronjtë tjerë.
“Sepse kjo nuk është mirë për ne si komb që të mos nxjerrim në pah se kush i vrau, kur dhe për të mos i kujtuar dhe respektuar. Mendoj se meritojnë një hetim historik, përkatësisht investigativ”, tha Kocaqi.
Ndërkaq, duke folur për vizitën që ajo i ka bërë Shtëpisë Muze të Dedë Gjon Lulit në Bardhaj të Hotit, Kocaqi tha se ai muze duhet të zgjerohet, duke sugjeruar që të merren
informacione nga arkivat për kryengritjen, Memoradumin e Greçës etj. dhe këto materiale të ekspozohen tek ai muze, me synim që ajo shtëpi të bëhet më e vizituar dhe që sipas saj, do ta bënte më të pavdekshme figurën, veprën dhe kontributin e Dedë Gjon Lulit dhe të Kryengritjes së Malësisë.
Moderatori i mbrëmjes, Dr. Nail Draga, bisedoi me historianen Eleni Kocaqi edhe për shumë çështje të tjera të historisë bashkëkohore shqiptare, në veçanti për çështjen pas miratimit të pluralizmit politik, që, siç tha ai, është ajo e politizimit ideologjik të historisë.
“Fatkeqësisht edhe ju në Shqipëri, por dhe ne jashtë Shqipërisë, aq sa kemi pasur mundësi të mësojmë në shkollat fillore dhe të mesme, por dhe në botime të ndryshme, historia është politizuar deri në ekstrem”, theksoi Draga, duke e pyetur historianen nëse është punuar diçka në drejtim të zhveshjes së ideologjisë, për të ardhur deri te faktografia, argumentet dhe të dhënat shkencore.
Duke folur për këtë çështje, Kocaqi tha se zbërthimi i historisë, me të metat dhe atë çfarë ka ndodhur, i shërben realisht kombit.
“Pse? Sepse nëse ne hedhim kokën pas dhe shikojmë çfarë gabimesh kemi bërë, i analizojmë ato dhe vetëkritikohemi, ne do të ecim shumë para. Por në qoftë se ne i mbulojmë gabimet e së shkuarës, pikërisht për ta ideologjizuar, për ta mitizuar, për ta bërë atë që s’është, atëherë ne dëmtojmë të ardhmen e kombit”, tha ajo.
Kocaqi gjatë këtij bashkëbisedimi shprehu kritika ndaj politikanëve shqiptarë, pasi, sipas saj, nëse ne kemi pësuar si komb, e kemi pësuar nga ata që na kanë drejtuar.
“Edhe sot e kësaj dite trojet shqiptare vuajnë vetëm nga politikanët. Janë bërë politikanët shqiptarë pushtues më të tmerrshëm sesa pushtuesit. Sepse janë shumë të dhënë pas karriges dhe nuk shohin interesin tonë kombëtar por shohin interesin personal. Është e tmerrshme që një individ për karrierën e tij personale të vë kombin dhe shtetin në plan të dytë dhe ne kemi shumë të tillë”, tha Kocaqi.
Lidhur me temën në fjalë, historianes iu parashtruan disa pyetje edhe nga publiku i pranishëm.
Ky është organizimi i parë në Malësi i Institutit Shqiptaro-Amerikan, i themeluar në fund të vitit të kaluar në SHBA.

T. Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat