Në turneun prestigjioz World Taekwondo – Paris 2026, Solidarity’s Centre G1/E1, i zhvilluar më 4-5 korrik 2026 në kryqytetin e Francës, kanë marrë pjesë rreth 1000 sportistë nga 77 shtete, duke e bërë këtë një nga garat më të rëndësishme ndërkombëtare të taekwondosë.
Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe garuesja Amella Nuti, përfaqësuesja e vetme nga Klubi i Taekwondosë “Ulqini”, e cila bëri një paraqitje mbresëlënëse gjatë gjithë turneut duke fituar medaljen e bronztë.
Në rrugëtimin e saj drejt medaljes, ajo mposhti fillimisht garuesen nga Bregu i Fildishtë, më pas triumfoi ndaj përfaqësueses së Greqisë, ndërsa në gjysmëfinale, pas një dueli të fortë, humbi nga garuesja e Francës.
Me këtë rezultat, Nuti u ngjit në podium duke fituar medaljen e bronztë, si dhe siguroi pikë të rëndësishme për ranglistën botërore.
Në KT “Ulqini” këtë rezultat e kanë vlerësuar si një sukses të madh për vetë garuesen, këtë klub, por edhe për sportin tonë në përgjithësi.
(Kohapress)
