
(vijon nga numri i kaluar)
Por siç u cek më lart në këtë punim, ne kemi për objekt studimi dokumentimin e shkollave fillore publike (mektebe) në kazanë e Tuzit ndërmjet viteve 1869-1912 referuar disa dokumenteve të identifikuara në Arkivin Osman në Stamboll.
1.1. Shkolla fillore në Qendër – Tuz
Dëshmitë e para historike për ekzistencën e shkollës fillore (mektebi ibtidai) në Tuz që kemi identifikuar deri më tani i shohim në ditarin personal në osmanisht të inspektorit të arsimit në Vilajetin e Shkodrës, Daut Boriçi. Në këtë ditar ai përmend xhaminë në Tuz, e cila në këtë kohë ishte e vetmja në Tuz, pasi xhamia e dytë e cila njihet si Xhamia e Kapedan Qazim Begut, nga pllaka e saj shihet të jetë ndërtuar në vitin 1909/1910. Ai citon se molla Bajram Pejani figuron si imam i Xhamisë së Vjetër – Nizamëve, por edhe si mësues i shkollës fillore (mektebit) pranë kësaj xhamie. Nuk kemi të dhëna për zanafillën e kësaj shkolle. Sa për ilustrim mund të përmendim shkresën e datës 27 korrik 1286 (rumi) / 08 gusht 1870 në të cilën shohim një ankesë të bërë për imamin në fjalë nga bajraktari i Tuzit, vojvoda e paria e Tuzit dhe e xhamisë në drejtim të inspektorit të arsimit dhe Vilajetit të Shkodrës, ku u kërkohej që imami në fjalë të shkarkohet. Personat e nëshkruar në këtë shkresë janë: Bajram Koçi/Kuçi, Jusuf Elezi, Ahmed Rama, Abdyl Haxhi (Axhi), Bajram Sula, vojvoda, bajraktari i Tuzit (Tafil Kurti), Haxhi Shaba, Abdyl Rama, Rexh Mui (Muji) dhe Ali Rama. (Ali Bardhi, Müfettiş Davut Boriçi’nin Günlüğünde İşkodra Vilayeti’nde Eğitim 1870- 1877, f. 174, 182) Nuk dihet si ka vijuar më tej fati i imamit/mësuesit të Tuzit, molla Bajram Pejanit, porse nga hulumtimi ynë për gurvarret e ndodhura në hapësirën e kësaj xhamie shohim se gurvarri nr. 40, i renditur në librin tonë, e shohim të varrosur në anën e poshtme të xhamisë, në drejtim të mihrabit, (vdiq në vitin 1293 h./1876). (Ali Bardhi, Behlul Kanaqi, Varrezat e Xhamisë së Nizamëve dhe Varreza e Vjetër e Tuzit, Horizonti, 2020, f. 21, 137) Po kështu nga ditari i Boriçit shohim të shënuar kërkesën e Mustafa Efendi Podgoriçanit, të birit të Halil Haxhi Hasanit, për t’u punësuar në këtë shkollë si mësues. Po sipas një shënimi të datës 6 shkurt 1288 rumi /18 shkurt 1873 gregorian, në këtë ditar shohim se paga e mësuesit të kësaj shkolle (Tuz) si edhe të shkollave tjera në Grudë (Dinoshë), Spuzh dhe Podgoricë mbuloheshin nga drejtoria e financave e Kazasë së Podgoricës. (Ali Bardhi, Müfettiş Davut Boriçi’nin Günlüğünde İşkodra Vilayeti’nde Eğitim 1870- 1877, f. 174, 208)
Referuar praktikës së vendeve të tjera që pranë xhamive të kenë vazhduar edhe mekebet klasike, në të cilat mësohej shkrim-leximi, mësimbesimi, nuk e përjashton mundësinë që edhe në Xhaminë e Vjetër – Nizamëve të ketë pasur një të tillë para shkollës për të cilën flet D. Boriçi. Kjo lloj shkolle quhej sibjan mektebi, ku mësimi ishte klasik dhe zgjati deri në Reformën e madhe arsimore të Perandorisë Osmane të vitit 1869. Por vënia në zbatim e kësaj reforme diku gjeti zbatim të menjëhershëm, por në disa vende, sidomos në ato vende ku ndihej kërcënimi i huaj, mungonte infrastuktura e re për zbatimin e reformës arsimore. Për rrjedhojë u bënë zgjidhje të përkohshme ku u shfrytëzuan ambientet e mëparshme pranë xhamive dhe duke gjetur zbatim programi i ri arsimor me lëndët: Shkrim-lexim, Gjuhë, Matematikë, Bukurshkrim etj.
Me sa shihet objekti i shkollës fillore pranë kësaj xhamie është shfrytëzuar deri në ndërtimin e shkollës së re në qendër të Tuzit. Këtë fakt e shohim nga një dokument arkivor i datës 29 muharrem 1312/ 22 korrik 1895, ku bëhet zhvendosja e shkollës/mektebit nga Xhamia e Vjetër – Nizamëve në një vend tjetër në qendër të Tuzit, pasi shkak u bë zgjerimi i kësaj xhamie dhe ndërtimit të minares prej druri duke e dëmtuar hapësirën e mektebit. Njëherit, prania e varreve (kabristanit) në të katër anët e xhamisë dhe pamundësia për të rregulluar shkollën/mektebin u bë akoma më tepër shkak për zhvendosjen e saj në një vend tjetër. (BOA, MF. MKT, 274/61) Kjo situatë bëri që brenda kasabasë (qendrës) së Tuzit të mbesë vetëm një shkollë/mekteb fillore publike.
Nga dokumentacioni mësojmë për disa nga mësuesit/muallimët në shkollën fillore të vjetër (sibjan) si edhe në të renë. Sipas një dokumenti të arkivit osman të datës 18.04.1307 h./ 12.12.1889 në shkollën fillore (sibjan) në lagjen e Tuzit shohim caktimin e një pensioni për familjen e ish-mësuesit, Mustafa Sabri Efendiun (BOA, ŞD.895/66), çka jep të kuptojmë që mësuesi/muallimi në fjalë të ketë dhënë mësim në shkollën fillore të vjetër (sibjan) pranë Xhamisë së Vjetër – Nizamëve dhe të ketë indicie që të jetë po i njëjti person për të cilin flet më lart inspektori i arsimit të Vilajetit të Shkodrës, Daut Boriçi.
Nuk kemi të dhëna për emërimin e mësuesit/muallimit më pas. Por sipas biografisë së Haxhi Osman Efendi Zade Mehmed Efendiut, të identifikuar në Arkivin e Meshihatit të Lartë në Stamboll, shohim se personi në fjalë, më 20.01.1313 h./ 13 korrik 1895 u emërua mësues/muallim në shkollën fillore (sibjan) në Tuz, i cili punoi deri më 06.08.1323 rumi / 19 gusht 1908 kur dha dorëheqje dhe pas një kohe do të emërohet si mësues/muallim i Medresesë së Tuzit. (MŞH.SAİD. (Arkivi i Meshihatit – Stamboll), 240/10, f. 1)
Në ndërkohë do të shohim emërimin e një mësuesi/muallimi tjetër. Sipas datës së dokumentit në vijim, 18.12.1326 h. / 11.01.1909 shohim që në këtë shkollë për disa vite të ketë qenë mësues/muallim Mehmed Efendiu, pasi dokumenti na tregon për dorëheqjen e tij nga shkolla fillore në Kazanë e Tuzit për shkak të pamundësisë për t’u përshtatur me mjedisin/ambientin lokal. (BOA, MF.MKT, 1091/57) Po kështu, nga një dokument tjetër i datës 28.05.1329 h. / 27.05.1911 shohim caktimin e një pensioni për zonjën Safije, të bijën e të ndjerit Mehmed Efendiut, i cili kishte shërbyer si mësues filloreje në Tuz, sanxhaku i Shkodrës. (BOA, MF.İBT., 325/65)
1.2. Shkolla fillore publike (ibtidai) në fshatin Dinoshë – Tuz
Sa i përket shkollës/mektebit të dytë në Kazanë e Tuzit, në bazë të dokumentacionit arkivor shohim të ketë ekzistuar ajo në Dinoshë (Grudë). Për momentin nuk kemi të dhëna për vjetërsinë e kësaj shkolle, por duke iu referuar pllakës origjinale me mbishkrim arabo-osman në Xhaminë e Dinoshës, të ndërtuar në vitin 1770, na çon në mendimin që arsimi sipas periudhës klasike osmane të ketë filluar në ambientet e kësaj xhamie.
Ndërkaq shkolla fillore publike (ibtidai) sipas reformës së re arsimore të vitit 1869, na çon të mendojmë që të jetë ndërtuar pas këtij viti. Sipas të dhënës që jep inspektori i arsimit të Vilajetit të Shkodrës, Daut Boriçi (1870-1877) në ditarin e tij, shohim se më 18 shtator 1288 rumi / 30 shtator 1872 gregorian, në shkollën fillore të Grudës (Dinoshë) si mësues/muallim të ketë qenë Osman Efendiu. (Ali Bardhi, Müfettiş Davut Boriçi’nin Günlüğünde İşkodra Vilayeti’nde Eğitim 1870- 1877, f. 176) Po sipas një shënimi të datës 6 shkurt 1288 rumi / 18 shkurt 1873 gregorian, në këtë ditar shohim se paga e mësuesit të kësaj shkolle si edhe disa shkollave të tjera mbulohej nga drejtoria e financave të Kazasë së Podgoricës. (Ali Bardhi, Müfettiş Davut Boriçi’nin Günlüğünde İşkodra Vilayeti’nde Eğitim 1870- 1877, f. 208)
Nga hulumtimet tona në Arkivin Osman në Stamboll në lidhje me këtë shkollë kemi identifikuar disa dosje që u përkasin disa viteve më pas.
Sipas një dokumenti të datës 14.11.1310 h. / 29.06.1893, shohim prezencën e shkollës (mektebit) në fshatin Grudë (Dinoshë) dhe emërimin e Osman Efendiut si mësues në këtë shkollë pas vdekjes së mësuesit/muallimit të mëparshëm, Mustafa Efendiut. Në këtë shkresë të dërguar Vilajetit të Shkodrës ceket se mësuesi i ri, më 17 shaban 1310 / 6 mars 1893 mori gjysmën e pagës së parë të tij në shumën prej 78 kurushëve. (BOA, MF.MKT, 172/80)
Kurse sipas një dokumenti tjetër të datës 26.09.1315 h. / 18 shkurt 1898 shohim se në këtë shkollë të jetë emëruar mësues/muallim hafëz Sylejman Efendiu. (BOA, MF.MKT. 386/11) Sipas një dokumenti tjetër të datës 22 qershor 1320 rumi / 5 korrik 1904, pas dorëheqjes së mësuesit/muallimit të shkollës fillore ibtidai në Dinoshë, hafëz Sylejmani, në vend të tij u emërua mësuesi/muallimi i shkollës fillore të fshatit Shkrel, Sadri Efendiu. (BOA, MF.MKT, 801/47; Nr. 3243. Në biografinë e Sadri Efendiut shohim të ketë qenë i biri i Adem Agës, i lindur në vitin 1281 në fshatin Shkrel të Shkodrës. Më 1 maj 1316 rumi / 14 maj 1900 u emërua mësues/muallim në këtë fshat. Shih: https://archives.saltresearch.org/, marrë më 02.08.2026)
1.3. Shkolla fillore publike (ibtidai) në fshatin Vranjë – Tuz
Fshati Vránjë është pjesë e komunës së Tuzit. Në këtë fshat lindi nevoja e ndërtimit të një shkolle dhe xhamie. Referuar një dokumenti të datës 11.04.1308 h. / 24.11.1890, në fshatin Vranjë të kazasë së Tuzit citohet të ketë pasur 60 shtëpi, ku shumica e tyre ishin emigrantë (muhaxhirë) dhe nga që më përpara nuk ka pasur ndonjë xhami apo mesxhid për kryerjen e obligimeve fetare të veta është ndier nevoja e ndërtimit të një xhamie dhe një shkolle fillore (mekteb) dhe se vendasit kanë zgjedhur Mehmed Efendiun mësues/muallim, edhe ky emigrant (muhaxhir) dhe i papunë. Me këtë shkresë Ministrisë së Arsimit i kërkohej që mësuesi në fjalë të hyjë në sistemin e kësaj ministrie duke ju lidhur edhe paga. (BOA, MF.MKT, 123/51)
Sipas një dokumenti tjetër, datë 02.04.1313 h. / 22.09.1895, Mehmed Efendiu akoma shihet të ketë qenë mësues/muallim në shkollën e fshatit Vranjë, pasi shohim se dokumenti na jep të kuptojmë për zgjidhjen e paqartësisë lidhur me datën e pagesës së pagës së Mehmed Efendiut. (BOA, MF.MKT., 283/44)
Ndërkaq sipas Salnames së Ministrisë së Arsimit, të publikuar në vitet 1317-1318 rumi / 1899-1900, shohim se në fshatin Vránjë shkolla fillore (mektebi ibtidai) të ketë filluar punë që nga viti 1310 rumi /1895 dhe më shpenzime prej 1548 kurushëve. (Salnâme-i Nezâret-i Maârif-i Umûmiyye – sene 1317 dhe 1318 h. Mabaa-i Âmire, Dersaâdet, ff. 924-925 dhe ff. 1026-1027)
Në njërën anë, referuar dokumentit të arkivit i cili vitin 1890 e jep si vit kur u ndërtua kjo shkollë dhe zgjedhjen e mësuesit/muallimit, si edhe kërkesës së bërë Ministrisë së Arsimit për t’u futur në sistemin e kësaj ministrie, dhe në anën tjetër e dhëna që jep Salnameja (Vjetari) e Ministrisë, e na vërteton se viti 1895 është data e saktë e fillimit të punës në këtë shkollë.
1.4. Shkolla fillore në fshatin Vlladnë – Tuz
Për ekzistencën e shkollës fillore dhe xhamisë në fshatin Vlladnë të Tuzit ka të dhëna të ndryshme. Ndërkaq sipas hulumtimeve tona në arkivin osman kemi identifikuar një dosje në të cilën kjo çështje qartësohet. Ky dokument i përket datës 04.09.1313 h. / 18.02.1896 dhe bën fjalë për mbajtjen e ceremonisë së inaugurimit të mesxhidit (xhamisë) dhe shkollës së ndërtuar në këtë fshat, i cili i përket komunës së Tuzit, në kufirin me Malin e Zi. (BOA. MF.MKT., 305/67)
Po kështu edhe në Salnamet (vjetarët) e Ministrisë së Arsimit të viteve 1317-1318 rumi/ 1889-1900 shohim se në fshatin Vlladnë shkolla fillore të ketë filluar më punë në vitin 1313 rumi / 1896 dhe me shpenzime prej 1548 kurushëve. (Salnâme-i Nezâret-i Maârif-i Umûmiyye – sene 1317 dhe 1318 h. Mabaa-i Âmire, Dersaâdet, ff. 924-925 dhe ff. 1026-1027)
1.5. Shkolla fillore në fshatin Mataguzhë – Tuz
Po kështu edhe për ekzistencën e shkollës fillore dhe xhamisë në fshatin Mataguzhë të Tuzit ka të dhëna të ndryshme. Sipas hulumtimeve, i njëjti dokument i cili cek hapjen e mesxhidit dhe shkollës së fshatit Vlladnë tregon edhe për mesxhidin dhe shkollën e fshatit Mataguzhë. Dokumenti në fjalë tregon për mbajtjen e ceremonisë së inaugurimit për mesxhidin (xhami) dhe shkollën e ndërtuar në vitin 1313 rumi / 1896 në këtë fshat. (BOA. MF.MKT., 305/67)
Ndërkaq në Salnamen e Ministrisë së Arsimit të vitit 1317 dhe 1318 / 1899-1900 shohim se në fshatin Mataguzhë shkolla fillore të ketë filluar punë në vitin 1311 rumi / 1896 dhe me shpenzime prej 1548 kurushëve. (Salnâme-i Nezâret-i Maârif-i Umûmiyye – sene 1317 dhe 1318 h. Mabaa-i Âmire, Dersaâdet, ff. 924-925 dhe ff. 1026-1027)
Në biografinë e Jusuf Efendiut shohim që më 15 temmuz 1317 në shkollën fillore publike në fshatin Matagushë të Kazasë së Tuzit të jetë emëruar mësues/muallim. (Nr. 3465. Jusuf Efendiu, i biri i Mahmud Agës, i lindur në vitin 1287 rumi / 1871 në kasaban e ? . Ka marrë mësimet deri në ciklin “Molla Haxhija” nga muderrisi hafëz Halid Begu në lagjën e Perashit Poshtë. Më 15 korrik 1317 rumi / 28 korrik 1901 u emërua si mësues/muallim në shkollën fillore në fshatin Matagushë të kazasë së Tuzit. Shih https://archives.saltresearch.org/ , marrë më 02.08.2026)
Përfundim
Studimi mbi historinë e arsimit në kazanë e Tuzit, hapësirë e malësisë së Grudës me dy bajraqe – Dinoshë dhe Tuz – dëshmon se procesi arsimor ka qenë i lidhur ngushtë me jetën fetare dhe shoqërore të vendit. Dokumentimi i inspektorit të arsimit të Vilajetit të Shkodrës, Daut Boriçi, pas reformës arsimore të vitit 1869, na jep dëshmi të qarta për funksionimin e shkollave pranë xhamive të Dinoshës dhe Tuzit, shpenzimet e të cilave janë mbuluar nga kazaja e Podgoricës deri në vitin 1879, kur Tuzi nga një fshat u shndërrua në komunë/kaza.
Me zgjerimin e Xhamisë së Vjetër – Nizamëve dhe varrezave përreth saj në vitin 1895, u krijua nevoja për një shkollë të re në qendër të kazase së Tuzit, duke shënuar një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arsimit lokal. Po ashtu, dokumentacioni arkivor dëshmon hapjen e tri shkollave fillore në fshatrat Vránjë (1310 h.), Vlladnë dhe Mataguzhë (1311 h.), duke treguar përhapjen e arsimit në zonat rurale të kazasë dhe duke e çuar numrin në pesë.
Këto pesë shkolla – Tuz, Dinoshë, Vranjë, Vlladnë dhe Mataguzhë – përbëjnë bazën e zhvillimit arsimor në Malësinë e Tuzit, secila me kuadrin e vet pedagogjik dhe me rolin e saj në formimin e gjeneratave të para të nxënësve.
Në të ardhmen, hulumtimet duhet të thellohen më tej, duke paraqitur lëndët mësimore, numrin e nxënësve dhe rezultatet e tyre, infrastrukturën mësimore etj. në mënyrë që të kemi një panoramë më të plotë të historisë së arsimit në kazanë e Tuzit (1869-1912).
(Fund)
