Arti i Malësisë në kryeqytetin e Kosovës

Përmes veprave të saj, Dushaj sjell një rrëfim artistik të lidhur ngushtë me vendlindjen, kujtesën kolektive dhe trashëgiminë e Malësisë. Ngjyrat, motivet dhe emocionet e përcjella në telajo e bëjnë ekspozitën një udhëtim përmes një identiteti që vazhdon të jetojë e të përcillet brez pas brezi

Në Galerinë “Flori” në Prishtinë, më 2 shtator 2026, është hapur ekspozita e artistes nga Tuzi, Arlinda Dushaj, me titullin domethënës “Malet e nalta më shtrënguan fort, m’dhanë frymë me dhanë besë”, një ekspozitë që sjell në qendër identitetin, kujtesën dhe shpirtin e Malësisë përmes gjuhës së artit.
Ekspozita është organizuar nën kujdesin e Ambasadës së Malit të Zi në Republikën e Kosovës, në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të ripërtëritjes së pavarësisë së Malit të Zi, duke i dhënë kësaj ngjarjeje një dimension të veçantë kulturor dhe simbolik.
Përmes veprave të saj, Dushaj sjell një rrëfim artistik të lidhur ngushtë me vendlindjen, kujtesën kolektive dhe trashëgiminë e Malësisë. Ngjyrat, motivet dhe emocionet e përcjella në telajo e bëjnë ekspozitën një udhëtim përmes një identiteti që vazhdon të jetojë e të përcillet brez pas brezi.
Në konceptimin dhe prezantimin e ekspozitës një rol të rëndësishëm ka pasur kuratorja dhe historiania e artit nga Mali i Zi, Nela Gligoreviq.
Në hapjen e ekspozitës nderuan me praninë e tyre ambasadori i Malit të Zi në Republikën e Kosovës, Bernard Çobaj, si dhe shefja e kabinetit të ministres së Kulturës së Republikës së Kosovës, Shkurte Aliu – Gashi. Në këtë ngjarje morën pjesë gjithashtu artistë, përfaqësues institucionalë dhe artdashës.
Në fjalën e tij, ambasadori Çobaj u shpreh se “pëlhurat e Arlindës na përkujtojnë trashëgiminë e një mjeshtri të madh nga Malësia, sidomos Gjelosh Gjokajt të fazës së parë të krijimtarisë së tij sentimentale dhe sociale, i cili është një prej urave kryesore kulturore mes Malit të Zi dhe Kosovës”.
Mbrëmja dëshmoi edhe një herë se arti mund të shërbejë si urë lidhëse mes kulturës, historisë dhe identitetit, duke sjellë më pranë publikut rrëfime që burojnë nga kujtesa dhe përvoja e një komuniteti. Një ekspozitë që nuk rrëfen vetëm për Malësinë, por e sjell atë përmes artit, kujtesës dhe emocionit.

Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat