
“Kultura është kujtesa e një populli”, shkruante Milan Kundera. Pikërisht në këtë kujtesë ruhen ngjarjet historike, identiteti, traditat dhe mënyrat përmes të cilave komunitetet e kuptojnë veten dhe tjetrin. Në Ballkan, ku historia ka qenë shpesh e shoqëruar me konflikte, kujtesa historike mbetet një element fundamental në marrëdhëniet ndërmjet popujve. Kështu, kultura ka dëshmuar se mund të shërbejë si urë komunikimi dhe mirëkuptimi. Në këtë kontekst shtrohet pyetja: Përtej historisë së konflikteve, a mund të ndërtohet një bashkëjetesë e qëndrueshme mbi kujtimet e së kaluarës?
Kjo pyetje vazhdon të mbetet aktuale në shumë vende të Ballkanit, ku historia nuk është vetëm pjesë e së kaluarës, por edhe shkëndijë e debatit të përditshëm politik dhe kulturor.
Marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe malazezëve, ndërmjet identitetit, historisë dhe sfidave të bashkëjetesës, ofrojnë një mundësi për të reflektuar mbi këtë dilemë dhe për të kuptuar rolin që luan kultura në ndërtimin e një shoqërie të emancipuar dhe më të ndërgjegjshme për vlerat e bashkëjetesës.
Në një kohë kur Mali i Zi paraqitet si një mozaik etnik e kulturor ku bashkëjetojnë komunitete të ndryshme dhe kandidat për integrimin evropian, marrëdhëniet e shqiptarëve me malazezët duken se kanë hyrë në një fazë më të qetë krahasuar me periudhat e mëparshme historike. Megjithatë, pas kësaj qetësie vazhdojnë të ekzistojnë sfida që lidhen me identitetin, gjuhën, përfaqësimin kulturor dhe zhvillimin ekonomik.
Si studente shqiptare nga Ulqini, një qytet ku komuniteti shqiptar bashkëjeton në të njëjtën hapësirë me malazezët, dhe njëkohësisht si studente e programit Erasmus+ në Universitetin e Palermos, kam pasur mundësinë të reflektoj mbi mënyrën se si shoqëritë moderne përballen me trashëgiminë e konflikteve historike. Kjo përvojë më ka bindur se bashkëjetesa nuk është diçka që premtohet përgjithmonë, por një proces i vazhdueshëm që kërkon dialog, respekt dhe njohje të ndërsjella. Ky artikull synon të analizojë zhvillimin e marrëdhënies së shqiptarëve me malazezët, nga konfliktet historike deri te bashkëjetesa aktuale në Mal të Zi, duke shqyrtuar sfidat kryesore që vazhdojnë të ndikojnë në dialogun e plotë ndërmjet dy komuniteteve.
Marrëdhëniet e shqiptarëve me malazezët në kontekstin historik
Historia e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe malazezëve është e lidhur ngushtë me zhvillimet politike dhe territoriale të Ballkanit. Për shekuj me radhë, popullsia shqiptare dhe ajo sllave kanë jetuar në hapësira kufitare ku kontaktet ekonomike dhe kulturore kanë qenë të vazhdueshme. Megjithatë, proceset e formimit të shteteve kombëtare gjatë shekullit XIX e transformuan këtë bashkëjetesë në një marrëdhënie që ka nxitur vazhdimisht debat.
Një nga momentet më të rëndësishme ishte Kongresi i Berlinit 1878, kur territore të banuara nga shqiptarët iu dhanë Principatës së Malit të Zi. Pas kësaj periudhe, Ulqini, Tivari, Kraja, Ana e Malit, Plava dhe Gucia u shndërruan në zona ku interesat kombëtare shqiptare dhe malazeze u përplasën vazhdimisht.
Në fillim të shekullit shekullit XX, luftërat ballkanike dhe ndryshimet e mëdha gjeopolitike në rajon sollën tensione të reja. Shqiptarët në Malin e Zi u gjenden shpesh në pozitë të vështirë ndërmjet ruajtjes së identitetit të tyre kombëtar dhe integrimit në strukturat shtetërore ekzistuese. Veçanërisht në periudhën e Jugosllavisë, marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve kaluan nëpër faza të ndryshme. Nga njëra anë, sistemi jugosllav promovonte idenë e vëllazërim-bashkimit, ndërsa nga ana tjetër, shqiptarët vazhdonin të përballeshin me kufizime në përdorimin e gjuhës, përfaqësimin institucional dhe ruajtjen e identitetit kulturor.
Megjithatë, historia e marrëdhënieve të shqiptarëve me malazezët nuk është vetëm histori konfliktesh. Përtej përplasjeve politike, shqiptarët dhe malazezët përgjatë shekujve kanë ndarë të njëjtat interesa, të njëjtat rrugë tregtare dhe sfida ekonomike. Kjo bashkëjetesë e përditshme ka krijuar ura komunikimi që shpesh nuk pasqyrohen në narrativat politike dhe historike. Përtej narrativave politike ekziston një histori tjetër, më pak e shkruar, por po aq e rëndësishme: historia e bashkëjetesës. Në shumë qytete të Malit të Zi, shqiptarët dhe malazezët jetojnë me njëri-tjetrin, duke krijuar forma të ndryshme komunikimi kulturor dhe shoqëror. Kultura është gjithnjë ura më e fortë ndërmjet komuniteteve. Në zonat kufitare dhe në qytetet multikulturore, bashkëjetesa ka mundësuar një proces të vazhdueshëm shkëmbimi kulturor që vërehet në mënyrën e jetesës, në traditat familjare, në zakonet e mikpritjes.
Edhe pse shqiptarët dhe malazezët kanë ruajtur identitetet e tyre përkatëse, kontaktet e vazhdueshme kanë krijuar një hapësirë të përbashkët kulturore ku dallimet nuk kanë qenë gjithmonë pengesë për komunikim. Ulqini përbën shembullin më domethënës të kësaj ndërthurjeje kulturore. Qyteti ka shtresa të shumta historike, ai është i ndërtuar si një mozaik ku vërehen shenjat që kanë lënë shqiptarët, venedikasit, osmanët dhe sllavët. Në arkitekturën e tij, në traditat dhe në jetën e përditshme mund të vërehen gjurmët e qytetërimeve të ndryshme që kanë kaluar nëpër të. Pikërisht kjo shumëllojshmëri e bën Ulqinin një nga hapësirat më interesante të dialogut kulturor në Mal të Zi.
Nëse historia politike ka prodhuar konflikte, kultura mund të prodhojë vetëm bashkëjetesë, harmoni e emancipim. Kjo nuk do të thotë se marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe malazezëve kanë qenë të tilla. Përkundrazi, ato kanë kaluar nëpër periudha tensioni, mosbesimi dhe përplasjeje. Komuniteti shqiptar është përballur me sfida që lidheshin me përdorimin e gjuhës shqipe, përfaqësimin institucional dhe ruajtjen e identitetit kulturor. Megjithatë, pavarësisht vështirësive, kultura shqiptare në Mal të Zi mbetet një pjesë e rëndësishme e mozaikut kulturor të vendit.
Sfidat kryesore që ndikojnë në dialogun e plotë ndërmjet dy komuniteteve
Sot, Mali i Zi po përjeton një periudhë transformimi dhe rritjeje, me potencial të madh kulturor dhe turistik. Në aspektin ligjor janë bërë hapa të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë. Megjithatë, sfidat nuk kanë përfunduar.
Një nga çështjet më të rëndësishme mbetet përdorimi dhe promovimi i gjuhës shqipe. Gjuha nuk është thjesht mjet komunikimi, ajo është bartëse e kujtesës historike dhe e identitetit. Prandaj, ruajtja dhe zhvillimi i saj mbeteten elemente thelbësore për komunitetetin shqiptar në Mal të Zi.
Kultura dhe arti janë bartëse të kujtesës kolektive, të identitetit dhe të vazhdimësisë së një komuniteti. Një nga sfidat më të rëndësishme mbetet forcimi i jetës kulturore të vendit përmes artit, trashëgimisë kulturore dhe institucioneve që kontribuojnë në ruajtjen e identitetit kulturor. Një tjetër sfidë serioze është emigrimi. Nëse dikur konfliktet politike përbënin kërcënimin kryesor për komunitetet, sot këtë rol po e merr largimi i të rinjve. Nga Ulqini, Kraja, Tuzi, Ana e Malit, Plava e Gucia, shumë të rinj largohen drejt Evropës në kërkim të mundësive më të mira. Kjo nuk ndikon vetëm në ekonominë e vendit, por edhe në jetën kulturore.
Sfida tjetër lidhet me mënyrën se si trajtohet historia. Shqiptarët dhe malazezët shpesh kanë interpretime të ndryshme për të njëjtat ngjarje historike. Problemi lind kur historia keqinterpretohet dhe përdoret për të thelluar ndarjet e jo për të kuptuar njeri-tjetrin. Ajo nuk duhet të mbështetet vetëm në vërtetësinë dhe tolerancën, por në respekt të ndërsjellë, në njohjen e kontributit të secilit komunitet dhe në ruajtjen e diversitetit kulturor si një vlerë e përbashkët.
Si një e re nga Ulqini, e cila sot studion jashtë vendit dhe sheh nga afër modele të ndryshme të bashkëjetesës në Evropë, besoj se e ardhmja e marrëdhënieve të komuniteteve në Mal të Zi nuk varet nga lënia në pluhur e historisë, por nga aftësia për ta kuptuar atë pa mbetur peng i saj. Historia mund të na ndajë kur përdoret si armë, por është kultura ajo që ka fuqinë të na afrojë kur shndërrohet në hapësirë dialogu. Ndoshta pikërisht këtu qëndron mësimi më i rëndësishëm për të ardhmen: popujt nuk i shpëtojnë konfliktet duke harruar historinë, por duke e tejkaluar atë përmes kulturës.
Letërsia dhe arti në përgjithësi kanë aftësinë të bëjnë atë që politika shpesh nuk arrin: të krijojnë mirëkuptim, të zgjojnë ndjeshmëri dhe të rikthejnë humanen te njeriu. Siç shkruante Albert Kamy, “Pa kulturë dhe pa lirinë që ajo sjell, shoqëria, sado e përsosur të jetë, mbetet një xhungël.” Prandaj, e ardhmja e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve në Mal të Zi nuk duhet të kërkuar vetëm në institucione apo dokumente politike, por në mbështetjen e artit, kulturës dhe të dialogut. E zhvillimi i kulturës nuk është vetëm çështje identiteti, por një kusht themelor për të kultivuar vlera dhe për të ndërtuar qytetarë të lirë e të emancipuar. Dhe kur kulturat shkëmbehen me njëra-tjetrën, kanë aftësinë të ndërtojnë ura që zgjasin dhe që e forcojnë dialogun ndërkulturor.
