
Vdekja e kriminelit serb Ratko Mlladiq, të dënuar për gjenocid dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, ka nxjerrë edhe një herë në pah fytyrën e vërtetë të Serbisë.
Ajo nuk ka ndryshuar, por ka mbetur e njëjta në mendësi dhe veprime – një shtet që përkrah dhe financon krimin, gjenocidin, aktet terroriste ndaj popujve të tjerë të rajonit, jo vetëm gjatë luftës së viteve ’90 në Ballkan, por edhe në kohën e sotme, siç është rasti me sulmet e grupit të udhëhequr nga Millan Radojiçiqi në veri të Republikës së Kosovës. Këtyre veprimeve të Serbisë u shkon përshtat thënia e urtë popullore se “ujki qimen e ndërron, por zakonin (ose vesin) s’e harron”.
Në këtë kontekst, të gjitha përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për demokratizimin e Serbisë dhe ndryshimin e politikës së saj të jashtme, duke u munduar të ndryshojë orientimin e saj drejt Perëndimit, kanë shkuar bosh. Bashkësia ndërkombëtare ka investuar shumë në Serbi, por tashmë duket qartazi se të gjitha ato investime kanë qenë të kota! Ajo ka bërë shpesh syqorrin në përpjekjet e saj për ta larguar Serbinë nga ndikimet ruse. Për vite të tëra bashkësia ndërkombëtare, në veçanti Bashkimi Evropian, ka bërë kompromise me Serbinë, duke e trajtuar atë me statusin e të privilegjuarit në raport me shtetet tjera të rajonit. Megjithatë, Serbia ka mbetur vend që nuk përfaqëson vlerat evropiane.
Rasti i varrimit të Ratko Mlladiqit e ka dëshmuar edhe një herë katërcipërisht këtë. Ai u përcoll në varr me ceremoni ushtarake dhe shtetërore, me nderimet më të mëdha që i bëhen një zyrtari të lartë shtetëror. Edhe pse ato nuk u organizuan zyrtarisht nga qeveria serbe, pjesëmarrja e ministrave të Qeverisë së Serbisë, pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë dhe kreut të Kishës Ortodokse Serbe, përgënjeshtrojnë deklaratat zyrtare.
Edhe në rastin e ceremonisë së varrimit të Mlladiqit, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, luajti lojën e dyfishtë. Ai nuk mori pjesë në mbledhjen komemorative dhe ceremoninë e varrimit, por ofroi të gjithë logjistikën shtetërore dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt ishin pjesëmarrës në këto ceremoni. Në këtë mënyrë, Aleksandar Vuçiqi, kur i duhet, në sytë e opinionit serb, është nacionalist, kurse në sytë e të huajve paraqitet si evropian.
Në anën tjetër, mbështetja e Mlladiqit nga politikanët serbë në Malin e Zi është e natyrshme, sepse ata angazhohen dhe luftojnë për të njëjtën kauzë – krijimin e Serbisë së Madhe, të riemërtuar për qëllime propagandistike si Bota Serbe. Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, vojvoda i çetnikëve Andrija Mandiqi, është ithtar i kësaj politike. Për këtë arsye, ngushëllimet dhe deklaratat e tij për Mlladiqin nuk kanë pse çudisin askënd! Ajo që duhet të na çudisë është ajo pjesë e politikës shqiptare dhe e politikanëve shqiptarë në Malin e Zi që mbështet dhe bashkëpunon me Mandiqin, sepse në këtë mënyrë tërthorazi mbështet edhe krimet e Mlladiqit në Bosnjë, krimet serbe të kryera në Kosovë, iniciativat për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi etj. Në këtë kontekst, edhe përafrimi i Shqipërisë me Serbinë në politikat e jashtme, që lidhen kryesisht me Ballkanin dhe iniciativat e ndryshme rajonale, raportet dypalëshe, nxisin me të drejtë dyshime në opinionin publik.
