Në Vuthaj të komunës së Gucisë, të shtunën, më 1 gusht 2026, u mbajt edicioni i 30-të jubilar i manifestimit tradicional mbarëkombëtar “Mirë se vini në Alpet Shqiptare”.
Dita me mot të bukur ka mundësuar që në nënqiellin e hapur, në hapësirën skaj bregut të djathtë të lumit Gërla, të këtij vendbanimi piktoresk e përballë dhe rrëzë Alpeve Shqiptare, tërësisht i banuar me popullatë shqiptare, të tubohen mijëra qytetarë nga Vuthajt, Gucia e Plava me rrethinë, Malësia e Madhe, Ulqini, Tivari, Rozhaja, nga viset e ndryshme të Kosovës e Shqipërisë dhe nga vise tjera me popullatë shqiptare, si dhe bashkëvendës mërgimtarë në diasporë, të cilët pushimet verore kanë ardhur t’i kalojnë në vendlindje. Me këtë rast, ata përjetuan çaste vërtet të këndshme pushimi, dëfrimi dhe argëtimi, në programin e begatë të këtij manifestimi tradicional, të gërshetuar me pika të larmishme kulturore, artistike, muzikore dhe sportive.
Në kuadër të këtij manifestimi, këtë vit me prezantimin e dy shoqërive kulturore artistike u mbajt Rivista e Folklorit Kombëtar shqiptar “Kënga dhe vallja shqipe na bashkon”, i 9-ti me radhë, e cila nuk kishte karakter garues por vetëm prezantues, reflektues dhe argëtues.
Manifestimi ka filluar në orët e mesditës dhe ka vazhduar deri në orët e buzëmbrëmjes, në atmosferë vërtetë festive.
Me sloganin “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2026”, nën valëvitjen e flamujve kuq e zi me shkabën dykrenore në mes, manifestimin e kanë filluar me interpretimin e këngës përkrye krahut rapsodët Hysni Hoxha dhe Luigj Gjekaj dhe e ka hapur anëtarja e Këshillit organizativ të Shoqatës “Alpet Shqiptare”, vasha simpatike Rilinda Gjonbalaj, e cila edhe e ka udhëhequr programin si dhe ka qenë pjesëmarrëse e pikave muzikore të shoqërisë vendase “Maja e Karanfilit”.
Ajo i ka përshëndetur të gjithë të pranishmit, me theks të veçantë mysafirët pjesëmarrës nga trojet shqiptare: Shqipëria, Kosova e Mali i Zi dhe mërgimtarët e shumënumërt – bashkëvendës dhe bashkëkombës në diasporë, ndër të cilët ka veçuar presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ambasadoren e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto, zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike dhe njëherazi ministrin e Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj etj.
Manifestimin e shpalli të hapur kryetari i Këshillit organizativ, Tahir Gjonbalaj, i cili në fjalën e rastit përshëndeti të pranishmit dhe mysafirëve u uroi mirëseardhje, qëndrim të këndshëm dhe i falënderoi për pjesëmarrjen.
Me duartrokitje frenetike u përcoll fjalimi emocionues i presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili e vlerësoi këtë aktivitet si një urë që bashkon shqiptarët me vendlindjen, ruan identitetin kombëtar dhe forcon lidhjet mes brezave.
“Alpet Shqiptare janë një pjesë e historisë së shqiptarit, e karakterit dhe e mënyrës se si kemi ditur të jetojmë në harmoni me tokën, me familjen dhe me njëri-tjetrin. Në këto male janë ruajtur zakone, këngë, veshje, e mënyra jetese që i japin identitet kulturës sonë kombëtare. Kush vjen këtu, nuk gjen vetëm bukuri, por edhe kujtime dhe një mënyrë jetese që ruan endje lidhjen e ngushtë mes njeriut dhe natyrës, mes traditës dhe së ardhmes”, ka thënë ai.
Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, traditave dhe kulturës shqiptare, duke nënvizuar se komuniteti i Plavës dhe Gucisë ka dhënë një kontribut të çmuar në mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe në zhvillimin e Malit të Zi.
Gjatë manifestimit, presidenti Bajram Begaj u nderua me çmimin “Krenaria e Alpeve Shqiptare” si vlerësim për kontributin e tij në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe mbështetjen e shqiptarëve kudo që jetojnë.
Me këtë çmim u nderua edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëherazi komandanti i UÇK-së për rajonin e Deçanit, Ramush Haradinaj. Në mungesë të tij, çmimi iu dorëzua përfaqësuesit të tij.
Të pranishmëve në manifestim me fjalë rasti iu drejtua edhe zëvendëskryministri për Çështje Ekonomike dhe njëherazi ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i cili shpalosi rëndësinë, vlerat dhe efektin e manifestimeve të tilla.
Edhe këtë vit, programi i larmishëm muzikor filloi me paraqitjen e dy shoqërive kulturore-artistike: “Maja e Karanfilit” dhe SHKA “Rapsha” nga Hoti i Malësisë së Madhe, të cilat u paraqitën me programet e veta të gërshetuara me këngë e valle burimore autoktone.
Me admirim dhe duartrokitje frenetike të të pranishmëve u përcollën interpretimet e rapsodëve Hysni Hoxha e Luigj Gjekaj dhe këngëtarit të mirënjohur Toni Ujkaj nga Malësia e Madhe, me performancat e të cilëve edhe përfundoi programi muzikor i cili zgjati më se dy orë.
Manifestimin popullor mbarëkombëtar “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2026” e kanë bërë madhështor edhe pikat e programit sportiv në disa disiplina garuese, ku kanë marrë pjesë shumë të rinj, ndër të cilat janë veçuar hedhja e gjyles me peshë 7,275g nga krahu me hez, ku vendin e parë në mesin e nëntë garuesve edhe këtë vit e zuri i riu nga Vuthajt, Donat Dedushaj, të cilit i është ndarë shpërblimi në të holla dhe kupa kalimtare. Vendin e dytë e zuri Arben Dedushaj dhe të tretin Luan Kukaj, të cilët po ashtu u shpërblyen me sasi modeste të hollash.
Këtë vit gara u zhvillua edhe gara në tërheqjen e litarit, ku morën pjesë dy ekipe dhe ngadhënjyes doli ekipi i vëllazërisë Dedushaj ndaj djelmoshave nga Peja me prejardhje nga fshati Martinaj.
Çaste interesante në këtë manifestim edhe këtë vit paraqiti gara në vrapimin e kuajve (koçisë), në të cilën morën pjesë katër garues me kuajt e vet. Vendin e parë e zuri (koçin e mori) Edon Hysenaj nga fshati Hot i komunës së Plavës, të cilin organizatori i garës e shpërbleu me 300 euro dhe kupë. Vendi i dytë i takoi vashës 17-vjeçare nga Bijello Pola, Ajlla Hot, e cila u shpërblye me 200 euro; vendin e tretë e zuri garuesi Alldis Hot, po ashtu nga Bijello Pola, i cili u shpërblye me 100 euro; dhe vendin e katërt e zuri garuesi Bekim Qosaj nga Vuthajt, i cili u shpërblye me 50 euro.
Në fund të programit sportiv, në stadiumin ku u mbajt manifestimi u zhvillua ndeshja në futboll të vogël, në të cilin ekipi i vëllazërisë Dedushaj nga Vuthajt ngadhënjeu me rezultat 3:1 ndaj ekipit të vëllazërisë Kukaj. Të dy ekipet u shpërblyen me sasi modeste të hollash.
Në përmbyllje të këtij shënimi theksojmë se shumë adhurues të natyrës së nënqiellit të hapur ca çaste i kanë kaluar duke vizituar bukuritë e rralla magjepsëse natyrore me të cilat begaton ky fshat piktoresk dhe ca vende të tjera atraktive e piktoreske rrëzë e përballë Alpeve Shqiptare.
Organizator i këtij manifestimi tradicional është Shoqata “Alpet Shqiptare” nga Vuthajt, e mbështetur materialisht nga disa mërgimtarë vendas në diasporë, kryesisht në SHBA.
Sh. Hasangjekaj
