Forumi Shqiptar ka reaguar ndaj informacioneve në media se do të kushtëzojë qëndrimin në Qeverinë e Malit të Zi, por megjithatë ka pranuar se janë të pakënaqur me disa pika të realizimit të marrëveshjes për formimin e Qeverisë.
Kryetari në detyrë i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook se kryesia e këtij subjekti, në mbledhjen e mbajtur më 7 shtator 2026, ka miratuar një përfundim duke e ngarkuar atë që të njoftojë kryeministrin e Malit të Zi me disa kërkesa dhe të propozojë afate konkrete për realizimin e tyre.
Ai ka thënë se nuk është mirë që për çështje kaq të rëndësishme të spekulohet mbi bazën e informacioneve jozyrtare.
“Shkresa ende nuk është dërguar zyrtarisht, prandaj është e përgjegjshme të pritet harmonizimi përfundimtar i dokumentit dhe vendimi zyrtar. Paragjykimi i vendimeve dhe paraqitja e tyre si ‘kushtëzim’ nuk është gjuha me të cilën komunikoj me partnerët. Marrëveshja për formimin e Qeverisë së 44-t ishte rezultat i një marrëveshjeje partneriteti, ndaj në të njëjtën mënyrë duhet të bisedojmë edhe për realizimin e saj të mëtejshme”, ka shkruar ai.
Gjeloshaj ka thënë se synimi i Forumit Shqiptar është që ta forcojë edhe më tej partneritetin dhe të përcaktojnë bashkërisht dinamikën e realizimit të të gjitha pjesëve të marrëveshjes së nënshkruar për formimin e Qeverisë së 44-t.
“Secila prej tyre duhet të ketë një plan dhe një afat të qartë realizimi”, ka nënvizuar ai, duke shtuar se kur dokumenti të harmonizohet dhe t’i dorëzohet kryeministrit, publiku do të njoftohet me kohë dhe në mënyrë të saktë për përmbajtjen e tij.
Përndryshe, në mbledhjen e kryesisë është vlerësuar se marrëdhëniet brenda shumicës parlamentare nuk janë gjithmonë në nivelin e partneritetit dhe përgjegjësisë së përbashkët të nevojshme, si dhe se qasja e një pjese të partive të shumicës ndaj Forumit Shqiptar dhe kërkesave legjitime të shqiptarëve duhet të përmirësohet ndjeshëm.
Sa i përket nismës për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, për shkak të deklaratës së tij pas vdekjes së kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, kryesia e Forumit Shqiptar ka marrë vendim që shefi i Klubit Parlamentar të Forumit Shqiptar ta nënshkruajë nismën për shkarkimin e Mandiqit si dhe që deputetët e këtij koalicioni të votojnë për shkarkimin e tij.
Forumi Shqiptar ka bërë po ashtu të ditur se në mbledhjen e kryesisë është vendosur që kongresi i kësaj partie politike të mbahet më 31 tetor 2026, duke theksuar se ai “do të përfaqësojë një hap të ri në bashkimin, forcimin dhe organizimin politik të shqiptarëve në Mal të Zi”.
(Kohapress)
