Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Turizmit dhe Sportit të Shqipërisë, organizoi të shtunën mbrëma, më 19 shtator 2026, në ambientet e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Malit të Zi në Podgoricë, ekspozitën personale “My City” (Qyteti im) të piktorit të njohur shqiptar Arben Golemi.
Në prani të admiruesve të artit pamor, të përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme shtetërore, vendase dhe të huaja, ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto, në fjalën përshëndetëse u shpreh se për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, afrimi i artit dhe i kulturës shqiptare me publikun malazez përbën një pjesë të rëndësishme të misionit të saj.
“Kultura ndërton ura mes njerëzve dhe shteteve, derisa arti ka aftësi të veçantë për të komunikuar përtej kufijve të gjuhës dhe gjeografisë. Kjo ekspozitë ka një rëndësi të veçantë, sepse Shqipëria dhe Mali i Zi shënojnë 20 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Gjatë këtyre dy dekadave, marrëdhëniet tona janë zhvilluar përmes fqinjësisë së mirë, respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit gjithnjë e më të ngushtë”, theksoi ajo.
Sot, nënvizoi Peto, na lidh më tej edhe perspektiva e përbashkët evropiane.
“Shqipëria dhe Mali i Zi ndajnë të njëjtin qëllim strategjik – anëtarësimin në Bashkimin Evropian, dhe besojmë se përparimi i cilitdo prej vendeve tona në këtë rrugëtim është nxitje dhe inkurajim për tjetrin. Arti dhe kultura janë shprehje e natyrshme e vlerave evropiane dhe e trashëgimisë së përbashkët, që i afron shtetet tona me njëri-tjetrin”, tha ajo.
Ambasadorja Peto e cilësoi piktorin Golemi si një nga zërat e shquar të artit bashkëkohor shqiptar, i dallueshëm për shprehjen origjinale artistike dhe përdorimin e fuqishëm të ngjyrës.
Krijimtaria e tij, tha ajo, frymëzohet nga arkitektura e Beratit dhe katedralet evropiane, ndërtesat monumentale të Nju-Jorkut, si dhe peizazhet e Shqipërisë.
“Përmes kompozimeve të fuqishme, me një lëvizje energjike të penelit dhe një palete të pasur ngjyrash, ai ka zhvilluar një gjuhë vizuale të dallueshme, e cila është tërësisht e tij. Arsimi i tij në arkitekturë është thelbësor për të kuptuar punën e tij. Ai studioi arkitekturë në Tiranë, e më vonë edhe teorinë e artit në Akademinë e Arteve. Megjithatë, Berati, vendlindja e tij, me kishat e tij bizantine, afresket mesjetare dhe arkitekturën e veçantë, u bë për të një lloj tjetër akademie, ndoshta edhe më e rëndësishmja: akademia e kujtesës pamore”, u shpreh Peto.
Ajo më tej u shpreh se Golemi nuk e lë arkitekturën pas kur bëhet piktor, duke thënë se ai e merr atë më vete në pikturën e tij.
“Pikturat e tij hapin një botë të pasur ngjyrash, emocionesh dhe përvojash. Ato na ftojnë të ndalemi, të shikojmë dhe të ndiejmë. Prandaj, kjo mbrëmje nuk i kushtohet vetëm veprës së një artisti shqiptar. Kjo ekspozitë është njëkohësisht edhe një hapësirë për dialogun kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi”, nënvizoi ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto.
Ajo shpreson se ekspozita “My City“ do të bëhet një vend takimi i artistëve dhe publikut shqiptar dhe malazez, si dhe se kjo mbrëmje do të hapë dyert për projekte të reja, partneritete dhe shkëmbime kulturore ndërmjet dy vendeve tona.
“Vendet tona janë të lidhura nga gjeografia dhe historia, por mbi të gjitha nga njerëzit, miqësia dhe dëshira e përbashkët për t’i afruar edhe më shumë shoqëritë tona. Kultura është një nga mënyrat më të sinqerta dhe më të qëndrueshme për ta arritur këtë”, u shpreh Peto.
Ndërkohë, Lluka Iliq, sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës dhe Medias të Malit të Zi, e konsideroi këtë ngjarje kulturore me simbolikë të veçantë, në një vit kur Mali i Zi dhe Republika e Shqipërisë shënojnë njëzet vjet të marrëdhënieve diplomatike.
“Gjatë kësaj periudhe, marrëdhëniet tona janë zhvilluar në frymën e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe respektit të ndërsjellë, ndërsa kultura ka mbetur një nga urat më të natyrshme dhe më kuptimplotë që lidh dy vendet tona. Veçanërisht vitet e fundit kemi dëshmuar një bashkëpunim intensiv në fushën e artit dhe kulturës, përmes shkëmbimeve të programeve artistike, takimeve të artistëve dhe profesionistëve, si dhe nismave të shumta të përbashkëta”, u shpreh ai.
Ekspozita “My City“, të cilën po e hapim këtë mbrëmje, theksoi më tej Iliq, është një tjetër kontribut i çmuar në këtë dialog.
“Ndërthurja e pasur e peizazheve natyrore të Shqipërisë, së bashku me historinë e saj intriguese, ka qenë një burim i pashtershëm frymëzimi për shumë artistë”, është shprehur ndër të tjera ai.
Ndërkaq, autori i ekspozitës i falënderoi të pranishmit dhe organizatorët për këtë mbrëmje kulturore, duke shprehur mirënjohjen e tij për pjesëmarrjen dhe interesimin për të parë pikturat që sjellin pamje nga qyteti i Beratit.
“Unë kam lindur në qytetin e Beratit dhe pa dyshim ai është shumë i rëndësishëm për formimin tim artistik dhe është laboratori im krijues. Shpresoj se kam sjellë këtu disa fragmente të qytetit dhe ajo që është shumë e rëndësishme për mua është fakti se gjatë gjithë kësaj kohe kemi marrë nga qyteti i Beratit, tani është koha që edhe të japim për qytetin tonë”, u shpreh autori Arben Golemi.
Ai më tej u shpreh se jo gjithmonë krijimtaria artistike duhet të jetë individuale, por, shtoi ai, vjen një moment që duhet t’i shërbejmë vendit tonë dhe qytetit ku kemi lindur.
“Një artist i formuar nuk mund të jetë larg jetës së njerëzve dhe ambientit ku jeton”, theksoi autori i ekspozitës “My City” (Qyteti im), Arben Golemi.
Ekspozita u organizua në kuadër të aktiviteteve me rastin e 20-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi, ndërsa do të qëndrojë e hapur deri më 26 shtator 2026.
T. Ujkaj
