
Ka disa kufij që i kanë vendosur shtetet, por që njerëzit nuk i kanë pranuar kurrë si kufij mes tyre. Marrëdhënia mes Ulqinit dhe Shkodrës është një prej tyre. Ka një Shkodër që shumë ulqinakë e mbajnë në kujtesë, jo thjesht si qytet fqinj por si pjesë të historisë së tyre personale. Është Shkodra e viteve kur të rinjtë nga Ulqini niseshin për të vazhduar shkollimin, për të studiuar, për të fituar dije dhe, më pas, për t’u kthyer në vendlindje si mësues, profesorë, intelektualë e profesionistë.
Për breza të tërë, Shkodra ka qenë një nga qendrat më të rëndësishme arsimore dhe kulturore për shqiptarët e Ulqinit dhe të trevave përreth. Kjo nuk është vetëm çështje nostalgjie. Është pjesë e historisë së arsimit dhe e lidhjeve shoqërore mes dy qyteteve.
Vetë Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” e ka zanafillën në vitin 1957, kur u themelua Instituti i Lartë Pedagogjik. Me kalimin e viteve, ai u shndërrua në universitet dhe përgatiti breza mësuesish, historianësh, gjuhëtarësh, studiuesish dhe profesionistësh të fushave të ndryshme.
Për Ulqinin, kjo lidhje ka pasur një rëndësi të veçantë. Mjafton të kujtojmë historinë e arsimit shqip në këtë qytet. Në vitet 1941-1944, kur Ulqini ishte pjesë administrative e nënprefekturës së Shkodrës, në qytet u hap shkolla shqipe “Skënderbeu”. Një pjesë e kuadrit arsimor vinte nga Shkodra; drejtori i saj, Jahja Domnori, ishte shkodran.
Pra, lidhja Ulqin-Shkodër nuk është një ide e krijuar sot. Ajo ka kaluar nëpër shkolla, universitete, libra, familje dhe breza. Dhe pikërisht këtu lind pyetja: a po e vazhdojmë këtë traditë apo po e lëmë të mbetet vetëm një kujtim i brezave të kaluar?
Sot mundësitë janë shumë më të mëdha. Një i ri nga Ulqini mund të studiojë në Shkodër, Tiranë, Prishtinë, Podgoricë apo në universitetet e Evropës. Por kjo nuk e bën Shkodrën më pak të rëndësishme. Përkundrazi, ajo mund të jetë pjesë e një hapësire të përbashkët arsimore, kulturore dhe intelektuale.
Në vitin 2025, Universiteti i Shkodrës zhvilloi në Ulqin takim me maturantët e Gjimnazit “Vëllazërim-Bashkim”, ku u prezantuan mundësitë për studime universitare. Po atë vit, nxënës nga Ulqini prezantuan 35 punime artistike në Shkodër. Janë shembuj që tregojnë se ura ende ekziston. Por ajo mund të jetë shumë më e fortë.
Pse të mos ketë shkëmbime të rregullta mes shkollave të Ulqinit dhe Shkodrës? Pse të mos organizohen konferenca studentore, konkurse letrare, ekspozita, festivale, debate dhe projekte të përbashkëta kërkimore?! Pse një student i historisë në Shkodër të mos studiojë historinë e Ulqinit dhe një student nga Ulqini të mos hulumtojë në arkivat e Shkodrës?!
Kemi një pasuri të madhe të përbashkët: gjuhën, letërsinë, historinë, folklorin, muzikën, traditat, kujtesën dhe lidhjet familjare.
Edhe kur flasim për bashkëpunimin mes dy qyteteve, diskutimi shpesh përqendrohet te turizmi. Sigurisht, turizmi është i rëndësishëm, por një marrëdhënie e qëndrueshme nuk ndërtohet vetëm me turistë. Ajo ndërtohet me studentë, profesorë, libra, artistë, kërkime dhe të rinj. Turisti vjen dhe ikën. Studenti krijon lidhje. Profesori krijon ura. Një libër mbetet. Një miqësi e krijuar në universitet mund të zgjasë gjithë jetën.
Prandaj, ndoshta ka ardhur koha që Shkodrën ta shohim përsëri si pjesë të natyrshme të hapësirës arsimore dhe kulturore të Ulqinit. Jo për nostalgji, por për të ardhmen.
Buna vazhdon të rrjedhë mes Ulqinit dhe Shkodrës. Kufiri është aty. Por dijen, kulturën dhe miqësinë nuk ka pse t’i ndalojë asnjë kufi.
