Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka thënë se gjatë vizitës së tij të martën në shkollat e Ulqinit ka parë atë që duhet të jetë forca më e madhe e Malit të Zi: të rinjtë që kanë njohuri, talent, ide dhe besim në vetvete.
“Varet nga ne t’u hapim hapësirën atyre që të kenë sukses. Një Mal i Zi i fortë fillon në klasë dhe e ndërton të ardhmen e tij përmes suksesit të të rinjve. Detyrimi ynë është t’i ofrojmë çdo fëmije arsim cilësor dhe një shans të barabartë për të pasur sukses”, ka deklaruar ai.
Nga kabineti i Presidentit të Malit të Zi kanë bërë të ditur se gjatë qëndrimit të tij në Ulqin, Millatoviqi ka vizituar shkollat fillore “Boshko Strugar” dhe “Marshall Tito”, si dhe shkollën e mesme të kombinuar “Vëllazërim-Bashkim”, ku ka diskutuar me nxënës, mësues dhe drejtorinë e shkollave rreth arsimit, ideve, planeve dhe mundësive të tyre që të rinjtë presin nga komuniteti lokal dhe shteti.
Në shkollën fillore “Boshko Strugar”, presidenti është pritur nga drejtoresha e kësaj shkolle, Spasa Ashkrabiq – Gjuroviq.
“Gjatë vizitës, ai u njoh me projekte të shumta të nxënësve, punën e seksioneve dhe punëtorive, rezultatet e garave dhe mënyrat se si nxënësit kombinojnë teknologjitë moderne, kreativitetin dhe aftësitë tradicionale. Demonstrimi i punës me robotë tërhoqi vëmendje të veçantë, dhe vizita ishte gjithashtu një mundësi për ndërveprim të drejtpërdrejtë me nxënësit, duke përfshirë një ndeshje pingpongu midis Presidentit Millatoviq dhe njërit prej nxënësve të shkollës”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Ndërkaq, në shkollën fillore “Marshall Tito” Presidenti Jakov Millatoviq është pritur nga drejtoresha e këtij institucioni shkollor, Ferida Hajdinaga.
“Pas takimit me nxënësit e klasës së parë dhe të gjashtë, Millatoviqi bisedoi edhe me nxënësit e klasës së nëntë rreth vazhdimit të shkollimit të tyre, orientimit profesional dhe planeve të tyre për të ardhmen”, sipas kabinetit të Presidentit.
Në shkollën e mesme të përzier “Vëllazërim-Bashkim”, presidenti është takuar me drejtoreshën Snezhana Zhivanoviq, më pas është mbajtur “Ora me presidentin”. Nxënësit e klasës së tretë dhe të katërt patën mundësinë të bisedonin me kreun e shtetit rreth arsimit, shoqërisë, rrugës evropiane të Malit të Zi, pritjeve të tyre dhe mundësive që ofron shteti.
Millatoviqi ka vlerësuar se investimi në arsim duhet të jetë një nga prioritetet më të rëndësishme të politikës shtetërore dhe lokale, sepse në shkolla krijohen njohuritë, vlerat dhe aftësitë mbi të cilat do të mbështetet zhvillimi i ardhshëm i Malit të Zi.
“Ulqini ka të rinj të talentuar dhe ambiciozë që kanë diçka për të treguar dhe që meritojnë mundësinë për t’i shndërruar idetë e tyre në sukses. Nuk mjafton t’u thuash të rinjve të qëndrojnë në Mal të Zi. Duhet t’u ofrojmë atyre një arsye për të qëndruar, arsim cilësor, mundësi të barabarta dhe një shoqëri ku përpjekjet dhe njohuritë e tyre do të vlerësohen”, ka konkluduar ai.
Gjatë vizitës së tij në këto shkolla, Presidenti Jakov Millatoviq është shoqëruar nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu dhe bashkëpunëtorët e tij.
Vizita e Presidentit Jakov Millatoviq vjen në një moment të problemeve që lidhen me zgjedhjen e drejtorëve në disa prej shkollave të Ulqinit, por edhe me protestën që po zhvillohet në shkollën fillore “Marshall Tito” të disa prindërve të cilët kërkojnë që fëmijëve të tyre t’u sigurohet një mësues i arsimuar në gjuhën malazeze/serbe/boshnjake/kroate.
(Kohapress)
