Pas shtatë vitesh, përfundon projekti 5 milionë eurosh

Investimi, me vlerë rreth 5 milionë euro, është realizuar me financimin nga kredia e Bankës Evropiane për Investime (BEI) dhe synon përmirësimin e infrastrukturës komunale, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e cilësisë së jetës së banorëve

Pas shtatë vitesh nga nisja e punimeve, ka përfunduar projekti për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në lagjet Kodra, Mali i Bardhë, Totosh dhe Bratica e Poshtme në Ulqin. Investimi, me vlerë rreth 5 milionë euro, është realizuar me financimin nga kredia e Bankës Evropiane për Investime (BEI) dhe synon përmirësimin e infrastrukturës komunale, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e cilësisë së jetës së banorëve.
Punimet në rrjetin e kanalizimit për këto katër lagje kanë nisur në vitin 2019. Edhe pse gjatë realizimit janë tejkaluar të gjitha afatet e parashikuara, punimet dhe dokumentacioni teknik kanë përfunduar në maj të këtij viti.
Në kuadër të projektit janë ndërtuar rreth 14.45 kilometra rrjet kanalizimi, duke krijuar një sistem më funksional për menaxhimin e ujërave të zeza. Kontraktues i punimeve ishte kompania italiane SPIGA SRL, ndërsa projekti është realizuar në kuadër të investimeve për përmirësimin e infrastrukturës komunale në Ulqin.
Në ceremoninë e pranimit dhe dorëzimit të punimeve, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, e vlerësoi projektin si një investim me rëndësi të madhe për qytetin.
“Realizimi i këtij projekti paraqet një hap të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës komunale dhe të kushteve të jetesës për banorët e këtyre lagjeve”, tha ai.
Me përfundimin e punimeve, banorët e katër lagjeve do të kenë qasje në një infrastrukturë më të mirë të kanalizimit, ndërsa investimi pritet të ndikojë edhe në mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.
Drejtori i Ndërmarrjes “Ujësjellës dhe Kanalizim”, Ajet Zaga, bëri të ditur se periudha e paraqitjes së defekteve do të zgjasë deri në maj të vitit 2027. Kjo periudhë parashikon mundësinë e ndërhyrjes në rast të evidentimit të problemeve teknike pas përfundimit të punimeve.
Në ceremoninë e përfundimit të projektit mori pjesë edhe Davor Kunc, shef i Përfaqësisë së Bankës Evropiane për Investime në Mal të Zi.
Ai e vlerësoi rëndësinë e investimit në Ulqin, duke theksuar se projekte të tilla kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në zhvillimin e komuniteteve lokale.
Kunc theksoi gjithashtu se Banka Evropiane për Investime do të vazhdojë ta mbështesë Malin e Zi në procesin e integrimit evropian përmes financimit të projekteve që lidhen me infrastrukturën, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Rëndësinë e projektit dhe të investimeve evropiane në infrastrukturën lokale e theksoi edhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Ekologjisë, Zoran Dabetiq.
“Ky projekt përfaqëson një hap kyç drejt shndërrimit të Ulqinit në një qytet modern, të zhvilluar dhe evropian. Integrimi evropian nuk mund të konsiderohet i plotë përderisa vetëqeverisjet tona lokale nuk arrijnë standardet e Bashkimit Evropian. Pikërisht nisma të tilla u mundësojnë komunave në Malin e Zi të mbajnë me meritë epitetin e qyteteve të zhvilluara evropiane. Ministria dhe Qeveria e Malit të Zi mbeten partnerë të besueshëm në realizimin e projekteve të infrastrukturës komunale, ndërsa bashkëpunimi i shkëlqyer me Komunën e Ulqinit dhe Bankën Evropiane për Investime është dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët”, deklaroi ai.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat