Të mos lejohet që një komunitet të vihet në shënjestër

Plava nuk ka nevojë për tensione të reja. Ajo ka nevojë për qartësi. Nëse shteti dëshiron të luftojë armët ilegale, le ta bëjë këtë në mënyrë sistematike, të barabartë dhe transparente. Nëse ka problem me një person konkret, le të trajtohet ai person sipas ligjit. Por mos lejoni që përsëritja e rasteve të krijojë te një komunitet i tërë ndjenjën se po vihet në shënjestër. Sepse atëherë problemi nuk është më vetëm arma, problemi bëhet besimi. Dhe besimi është shumë më i vështirë për t’u rikthyer sesa një armë e konfiskuar

Kaltrina Hoti

Përsëri një kontroll. Përsëri një shtëpi e kontrolluar për armë. Dhe kësaj here në Plavë.
Pas rastit të mëparshëm, kur u kontrollua shtëpia e një intelektuali shqiptar, profesor dhe njeri i njohur në komunitet, kemi përsëri një rast tjetër. Policia njoftoi se në Plavë, gjatë një aksioni të zhvilluar në gjashtë qytete të veriut të Malit të Zi, është kryer kontroll në një banesë dhe janë gjetur armë dhe municion.
Dua të jem shumë e qartë për një gjë: unë nuk mbështes askënd që mban armë pa leje dhe në kundërshtim me ligjin. Por pyetja ime është tjetër: Pse në Plavë po krijohet përshtypja se çdo muaj kemi një person tjetër, një shtëpi tjetër dhe një tjetër kontroll për armë?
Ne e dimë historinë e kësaj treve. E dimë mënyrën se si kanë jetuar njerëzit këtu, e dimë historinë e konflikteve, pasigurive dhe mënyrën se si ka ndikuar jeta e vështirë ekonomike e politike në mentalitetin e njerëzve. Ky nuk është një justifikim për armët ilegale, por është një realitet historik dhe shoqëror që duhet kuptuar.
Nëse qëllimi i shtetit është që në Mal të Zi të mos ketë armë të paligjshme, atëherë le të jetë kjo një politikë për të gjithë qytetarët, me të njëjtat rregulla dhe të njëjtin standard. Pse të mos thuhet hapur: “Ju të cilët keni armë që nuk janë të regjistruara ose nuk i plotësojnë kushtet ligjore, keni një afat të qartë për t’i dorëzuar në mënyrë vullnetare.” Dhe pas përfundimit të këtij afati, të zbatohet ligji në mënyrë të barabartë ndaj të gjithëve. Kjo do të ishte një politikë e qartë.
Por kur shohim muaj pas muaji një person tjetër, një kontroll tjetër dhe një rast tjetër, pyetja natyrshëm lind: a kemi të bëjmë vetëm me zbatimin e ligjit për armët, apo po krijohet një perceptim më i thellë te njerëzit?
Sepse kjo nuk mund të ndahet nga ajo që po ndodh edhe në raste të tjera në Plavë dhe në Mal të Zi, ku simbolet shqiptare dhe mënyra se si shqiptarët e shprehin identitetin e tyre kanë shkaktuar debate dhe incidente. Kur këto gjëra fillojnë të përsëriten, nuk mund t’i shohim më vetëm si raste të ndara pa pyetur se çfarë po ndodh në marrëdhënien mes institucioneve dhe komunitetit shqiptar.
Unë nuk po akuzoj askënd për diçka që duhet provuar me fakte. Por po bëj një pyetje që, sipas meje, duhet të bëhet: A po trajtohen të gjithë qytetarët me të njëjtin standard?
Dhe nëse përgjigjja është po, atëherë transparenca është mënyra më e mirë për ta treguar këtë.
Sepse njerëzit kanë nevojë të dinë se ligji zbatohet për të gjithë njësoj, jo vetëm ta dëgjojnë këtë në deklarata.
Plava nuk ka nevojë për tensione të reja. Ajo ka nevojë për qartësi. Nëse shteti dëshiron të luftojë armët ilegale, le ta bëjë këtë në mënyrë sistematike, të barabartë dhe transparente. Nëse ka një problem me një person konkret, le të trajtohet ai person sipas ligjit. Por mos lejoni që përsëritja e rasteve të krijojë te një komunitet i tërë ndjenjën se po vihet në shënjestër. Sepse atëherë problemi nuk është më vetëm arma, problemi bëhet besimi. Dhe besimi është shumë më i vështirë për t’u rikthyer sesa një armë e konfiskuar.
Prandaj, para se situata të shkojë në një drejtim që askush nuk e dëshiron, mendoj se është koha të ulemi dhe të flasim. Jo me akuza, por duke u ulur në një tavolinë dhe duke thënë qartë: Ku qëndrojmë me njëri-tjetrin? Çfarë kërkon shteti? Çfarë kërkon komuniteti? Cilat janë rregullat?
A vlejnë ato njësoj për të gjithë? Dhe çfarë mund të bëjmë që këto situata të mos përsëriten?
Sepse është shumë më mirë të flasim tani, kur ende mund t’i sqarojmë gjërat me qetësi sesa të presim derisa mosbesimi të bëhet konflikt.
Unë dua një Plavë ku ligji respektohet. Por dua gjithashtu një Plavë ku askush nuk ndihet i shënjestruar për shkak të përkatësisë së tij. Këto dy gjëra nuk janë në kundërshtim. Përkundrazi, shteti i së drejtës dhe barazia para ligjit duhet të jenë baza e bashkëjetesës.

Të fundit

më të lexuarat