Një manual edukimi dhe frymëzimi përtë gjithë fëmijëtdhe të rinjtë

Sidorela Berishaj

Para vetes kemi një libër me tregime për fëmijë ku ndërthuret bukur historia, arkeologjia legjenda dhe aventura, duke e mbajtur pezull lexuesin deri në fund. Pra, këto rrëfenja na çojnë drejt një udhëtimi magjik që zhvillon grupi i fëmijëve “Ilirët e vegjël”, ku nxirret në pah lashtësia dhe legjendat të cilat gërshetohen natyrshëm në botën plot entuziazëm të adoleshentëve eksplorues.
Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë libër me tregime është mënyra e rrëfimit, me një stil plot emocionalitet, të ngrohtë dhe me frymë identitare. Autori ka përdorur një gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme, por edhe figurative; aty-këtu ka përdorim të shprehjeve frazeologjike të zonës, duke mos munguar edhe terminologjia e kohës së shkuar dhe toponimet antike të qytetit të Ulqinit.
Rrëfehen ngjarje të së kaluarës së ulqinakëve në mënyrë lineare si një tregim historik. Kjo mënyrë e të shkruarit i jep tekstit karakter dokumentues por edhe letrar, sepse historia rrëfehet me plot gjallëri dhe dinamizëm.
Ajo që i jep një rëndësi tjetër veprës është mënyra që autori ka zgjedhur ta paraqesë këtë libër, duke përdorur metodën didaktike ku secili tregim ka në fund të tij pyetjet dhe kjo bën që fëmijët ta provojnë veten sa kanë arritur të kuptojnë apo të mësojnë gjatë leximit, duke mos munguar edhe fjalorthi shpjegues i eksploruesve të vegjël, i cili ka rëndësi që të mos mbetet asgjë pa u kuptuar nga fëmijët gjatë leximit.
E veçanta e kësaj vepre është gërshetimi i figurave historike-reale me ato mitologjike që i japin një dimension tjetër tregimeve duke zgjuar edhe më shumë kureshtjen, dhe secilin tregim që fillon ta lexosh, me patjetër do e çosh deri në fund me një frymë duke u bërë një me personazhet dhe me grupin e “Ilirëve të vegjël”, me udhëheqësin e grupit – Dorartin dhe kapitenin e tij – babanë.
Aq të thella dhe të detajuara janë përshkrimet në vepër sa të jep përshtypjen që edhe ti si lexues po i zbulon muret ciklopike të kalasë së Ulqinit, ku çdo gur ka një histori dhe një rrëfim të veçantë, që valët e detit i kanë ledhatuar e rrahur gjatë gjithë kohës, por nuk kanë arritur t’ua zbulojnë të gjitha sekretet e mijëra viteve.
Gjithashtu të duket sikur po e përjeton gurgullimën e krojeve që mbajnë emra mbretëreshash e zanash, po ashtu të krijohet përshtypja e prekjes së monedhave e vjetra ilire, ose sikur po të paraqiten para syve mbetjet e anijeve të mbytura në Valdanos.
Aventurat dhe shëtitjet mes rrugicave të ullishtave mijëvjeçare të japin përshtypjen se ke hyrë në një botë që nuk dëshiron të dalësh nga aty, ku ullinjtë e vjetër në Valdanos flasin në heshtje nëpërmjet rrënjëve të thella të cilat simbolizojnë jetën dhe kujtesën e gjallë të brezave.
Nëpërmjet përshkrimit të detajuar nga autori, arrin të nuhasësh edhe aromën e detit dhe çdo pjesë e përshkruar që të del para syve të krijohet si një imazh që deti stoik është gjithmonë aty në pritje dhe përcjellje – të piratëve, marinarëve, notuesve dhe eksploruesve të vegjël.
Pra, nga forma e të shkruarit autori na vë përballë një tabloje të gjallë të jetës detare dhe urbane të qytetit të Ulqinit.
Shkrimtari nxjerr në pah gjatë gjithë kohës shëtitjet dhe kureshtjet e grupit të fëmijëve për të eksploruar çdo gjë që kanë dëgjuar nga gojëdhënat e vjetra të stërgjysheve ulqinake dhe çdo rrëfim i tyre bën të besojnë se krijesat mitologjike kane ekzistuar vërtet dhe eksploruesit e vegjël janë vënë në kërkim të zbulimit të fosileve të mbetura. Pra, shkrimtari shkruan në atë mënyrë që të informon, edukon dhe e nderon njëkohësisht trashëgiminë e qytetit ku jeton dhe vepron.
Çdo tregim është i qëndisur me shumë kujdes nga autori dhe me një formë të veçantë rrëfimi nga fillimi deri në fund, që tregon entuziazmin e fëmijëve dhe dëshirën e tyre për të zbuluar të shkuarën, si arkeologë të vegjël, duke gërmuar mes lashtësisë dhe legjendës, së shkuarës dhe së tashmes, realitetit dhe imagjinatës.
Duke na treguar se thesari më i çmuar i popullit është historia antike dhe kthimi herë pas here tek ajo, me dëshirën e cila rrjedh krejtësisht natyrshëm nga ata prindër të cilët e ndiejnë se e kanë detyrim moral që t’ua rrëfejnë fëmijëve kohën e kaluar. Pra, ky udhëtim magjik nëpërmjet tregimeve ka për qëllim të edukojë dhe t’i ndërgjegjësojë brezat e rinj që të jenë të vetëdijshëm dhe krenarë për prejardhjen e tyre, e të qenit pasardhës të një historie dhe trashëgimie mijëvjeçare që vitet vetëm se ia shtojnë vlerën, por pa e lejuar pluhurin e harresës që t’i mbulojë.
Si përfundim, kjo vepër është një manual edukimi dhe frymëzimi për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë.

Të fundit

më të lexuarat