Koha javore: Nora, pas shumë vitesh studimi, tashmë jeni zyrtarisht mjeke e diplomuar. Si nisi rrugëtimi juaj drejt mjekësisë dhe çfarë ndikoi që ky të bëhej profesioni juaj?
N. Gjoni: Rrugëtimi im drejt mjekësisë nisi falë mbështetjes dhe frymëzimit që mora nga familja ime. Si nga ana e babait, ashtu edhe nga ana e nënës, kam pasur mjekë në rrethin tim familjar, të cilët me përkushtimin e tyre më motivuan të ndjek këtë shembull.
Përveç kësaj, më ka shtyrë edhe dëshira për të ndihmuar njerëzit dhe për të pasur një ndikim pozitiv në jetën e tyre. Ajo që më tërheq më shumë te mjekësia është se, është një profesion ku nuk ndalon kurrë së mësuari. Edhe pas përfundimit të fakultetit, procesi i të nxënit vazhdon gjatë gjithë jetës, sepse çdo ditë zbulohen njohuri të reja, zhvillohen teknologji të reja dhe shkenca përparon vazhdimisht. Kjo më motivon të vazhdoj të mësoj dhe të zhvillohem gjatë gjithë karrierës sime, në mënyrë që t’u ofroj pacientëve kujdesin më të mirë të mundshëm.
Koha javore: Studimet në Fakultetin e Mjekësisë njihen si një nga degët më kërkuese universitare. Cilat kanë qenë vështirësitë me të cilat jeni përballur dhe çfarë ju kanë mësuar ato?
N. Gjoni: Studimet në Fakultetin e Mjekësisë kanë qenë ndër sfidat më të mëdha të jetës sime. Vetë rrugëtimi im nisi me një provim pranues shumë konkurrues në Universitetin e Prishtinës. Në atë kohë, nga Mali i Zi pranohej vetëm një student, çka e bënte konkurrencën jashtëzakonisht të fortë. Pikërisht kjo sfidë më shtyu të përkushtohesha maksimalisht për ta fituar atë mundësi.
Ndryshe nga shumica e kandidatëve nga Kosova, të cilët kishin mundësi të ndiqnin kurse përgatitore, unë nuk pata një përgatitje të tillë. Në fakt, përgatitja ime kishte nisur shumë më herët, gjatë gjithë shkollimit tim. Një rol të veçantë në këtë rrugëtim e ka pasur profesori im i kimisë në shkollën fillore, Lubo Llukiq. Falë mënyrës së tij të mësimdhënies, krijova baza shumë të forta në kimi. Pas vendit të parë në garën shkollore, ai më përgatiti edhe për garat në nivel shtetëror, përvojë që më mësoi të punoja me disiplinë, të përballoja konkurrencën dhe të besoja në aftësitë e mia.
Po aq e rëndësishme ka qenë edhe mbështetja e pakushtëzuar e familjes sime. Ata kanë besuar gjithmonë tek unë, më kanë inkurajuar në çdo hap dhe kanë qenë forca ime në momentet më të vështira.
Edhe pas pranimit, sfidat nuk munguan. Ritmi i studimeve ishte intensiv, me shumë orë mësimi, praktikë klinike dhe provime që kërkonin përgatitje të vazhdueshme disamujore. Ka pasur momente lodhjeje dhe sakrificash, por çdo sfidë më ka bërë më të fortë.
Koha javore: Studimet në Prishtinë nënkuptonin një përvojë të re, një mjedis tjetër dhe një ritëm të ri akademik e profesional. Si e përjetuat këtë periudhë dhe sa ndikoi kjo përvojë në formimin tuaj si mjeke e ardhshme?
N. Gjoni: Duke qenë më e vogla e familjes, isha mësuar të isha gjithmonë e rrethuar me dashuri, kujdes dhe vëmendje nga të gjithë. Për këtë arsye, largimi nga familja për të nisur studimet ishte ndoshta prova më e madhe me të cilën u përballa në fillim.
Të jetoja për herë të parë larg njerëzve më të afërt kërkonte pavarësi, përgjegjësi dhe aftësi për t’u përshtatur me një mënyrë krejtësisht të re jetese. Studimet në Prishtinë më vendosën përballë një mjedisi të ri akademik, me kërkesa më të larta dhe ritëm më intensiv, gjë që më ndihmoi të zhvilloja disiplinën, këmbënguljen dhe aftësinë për të përballuar sfidat. Kjo periudhë ndikoi thellësisht në formimin tim, jo vetëm si mjeke e ardhshme, por edhe si njeri, duke më mësuar të jem më e pavarur, më e fortë dhe më e përkushtuar ndaj profesionit që kisha zgjedhur.
Prishtina për mua është bërë shtëpia ime e dytë. Kam krijuar kujtime, miqësi dhe kam kaluar vitet më formuese të një kapitulli të paharrueshëm. Një nga gjërat që kam vlerësuar më shumë ka qenë niveli i lartë i kërkesës në studime. Kriteret ishin të forta dhe kërkonin shumë punë, por besoj se pikërisht kështu duhet të jetë formimi i një mjeku.
Koha javore: Në temën e diplomës keni trajtuar karcinomën e ezofagut, diagnozën dhe trajtimin e saj. Çfarë ju shtyu të zgjidhni pikërisht këtë temë dhe cilat janë disa nga mesazhet kryesore që mendoni se duhet t’i përcillen publikut për këtë sëmundje?
N. Gjoni: Temën e diplomës e kisha për karcinomën e ezofagut, sepse edhe pse është një sëmundje relativisht e rrallë, ajo është shumë e rëndë dhe shpesh diagnostikohet në faza të avancuara. Pikërisht kjo më shtyu të merrem më në thellësi me këtë sëmundje.
Tema ime nuk ishte vetëm një rishikim i literaturës, por një hulumtim shkencor, i cili përfshiu mbledhjen dhe analizimin e të gjitha rasteve të karcinomës së ezofagut të trajtuara në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale. Ky lloj punimi ishte më sfidues, pasi kërkonte analizë të të dhënave reale klinike dhe nxjerrjen e përfundimeve mbi diagnostikimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje.
Karcinoma e ezofagut është veçanërisht e rrezikshme sepse simptomat, si vështirësia në gëlltitje, zakonisht shfaqen vetëm pasi ezofagu është ngushtuar rreth 50-60 për qind, çka do të thotë se sëmundja shpesh është tashmë në një fazë të avancuar. Për më tepër, kjo është një sëmundje me prirje për metastazim të hershëm dhe në momentin e diagnostikimit metastazat janë të pranishme në rreth 30- 40 për qind të pacientëve.
Një nga mesazhet më të rëndësishme që do të doja t’i përcillej publikut është rëndësia e diagnostikimit dhe skriningut të hershëm te grupet e rrezikuara. Këtu përfshihen personat me refluks gastroezofageal kronik dhe ezofag Barrett, duhanpirësit, konsumuesit e rregullt të alkoolit, obeziteti, si dhe ata me histori familjare të kësaj sëmundjeje, ose me sëmundje të caktuara të ezofagut.
Prandaj, ndërgjegjësimi i popullatës, identifikimi i personave me rrezik të lartë dhe kryerja e kontrolleve në kohë janë vendimtare. Sa më herët të zbulohet sëmundja, aq më të mëdha janë mundësitë për trajtim efektiv dhe përmirësim të mbijetesës së pacientëve.
Koha javore: Pas përfundimit të studimeve, nis një fazë e re – ajo e përballjes me përgjegjësitë që sjell puna në sistemin shëndetësor. Në këtë fillim të rrugëtimit tuaj profesional, cilat mendoni se janë parimet më të rëndësishme që duhet ta udhëheqin një mjek të ri?
N. Gjoni: Përpara se çdo njohuri shkencore apo aftësi profesionale të vihet në praktikë, besoj se parimi më i rëndësishëm që duhet ta udhëheqë një mjek të ri është primum non nocere – së pari, të mos bëj dëm. Ky parim, i mishëruar në frymën e Betimit të Hipokratit, na kujton se mirëqenia dhe siguria e pacientit duhet të jenë gjithmonë prioriteti ynë. Krahas tij, ndershmëria, empatia, respekti për dinjitetin e pacientit, ruajtja e konfidencialitetit dhe angazhimi për të mësuar vazhdimisht janë vlera thelbësore që duhet të na udhëheqin në çdo vendim.
Koha javore: Sot flitet gjithnjë e më shumë për parandalimin e sëmundjeve dhe kujdesin ndaj shëndetit. Nga këndvështrimi juaj si mjeke e re, sa e rëndësishme është që qytetarët të krijojnë kulturën e kontrolleve të rregullta dhe kujdesit ndaj shëndetit?
N. Gjoni: Mendoj se shoqëria jonë duhet të vetëdijesohet shumë më tepër për rëndësinë e kontrolleve të rregullta shëndetësore, pasi kjo kulturë ende mungon në vendin tonë. Shumë sëmundje mund të zbulohen në fazat e hershme, kur trajtimi është më i suksesshëm, ose edhe të parandalohen plotësisht. Prandaj, shprehja “më mirë të parandalosh sesa të mjekosh” duhet të jetë një parim që na udhëheq të gjithëve.
Po aq i rëndësishëm është edhe promovimi i një stili të shëndetshëm jetese. Aktiviteti i rregullt fizik, një dietë e ekuilibruar, shmangia e duhanit dhe konsumit të tepërt të alkoolit, si dhe kujdesi për shëndetin mendor, janë faktorë kyçë për një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme.
Si mjekë, nuk kemi vetëm detyrën të trajtojmë sëmundjet por edhe t’i edukojmë dhe t’i inkurajojmë qytetarët që të kujdesen për shëndetin e tyre përmes parandalimit.
Koha javore: Duke qenë se jeni në fillim të një rrugëtimi të gjatë profesional, cilat janë synimet tuaja për të ardhmen dhe a e shihni zhvillimin e karrierës suaj në vendlindje apo jashtë saj?
N. Gjoni: Synimi im kryesor për të ardhmen është të vazhdoj specializimin dhe të formësohem sa më shumë profesionalisht, në mënyrë që të bëhem një mjeke sa më e aftë dhe më e përgatitur. Dëshira ime është që njohuritë dhe përvojën që do të fitoj t’i vë në shërbim të vendlindjes sime. E shoh të ardhmen time profesionale duke dhënë kontribut aty ku kam lindur e jam rritur, duke ofruar kujdes cilësor për pacientët dhe duke qenë pjesë e zhvillimit të sistemit shëndetësor në komunitetin tim.
Nëse do të kem mundësi të ndjek trajnime apo specializime jashtë vendit, do t’i konsideroj si një mundësi për t’u zhvilluar më tej, me synimin që përvojën e fituar ta rikthej dhe ta vendos në shërbim të vendit tim.
Bisedoi: Toni Ujkaj
