Në ambientet e restorantit “Lamiga” në Anën e Malit, të martën mbrëma (4 gusht 2026) u mbajt manifestimi tradicional “Diaspora në vendlindje”, një aktivitet që tashmë është shndërruar në një takim të rëndësishëm kulturor e festiv që bashkon bashkatdhetarët nga diaspora me vendlindjen.
Manifestimi u organizua me iniciativën e kryetarit të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane në Staten Island – SHBA, Naser Nika, me pjesëmarrjen e një numri të madh të bashkatdhetarëve, personaliteteve publike dhe dashamirëve të kulturës e muzikës shqiptare.
Në këtë mbrëmje festive u ngjitën në skenë këngëtarë të njohur vendas, ndër ta Suad Shaptafa, Valdet Luka, Eliza Markiq, Vesel Pelinku, Samir Veliqi dhe artistë të tjerë, ndërsa atmosferën e veçantë e plotësoi edhe ylli i muzikës shqiptare, Mehdi Përgjegjaj – Meda.
Manifestimi u realizua me mbështetjen e sponsorëve dhe institucioneve, në veçanti të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, duke dëshmuar rëndësinë që ka ruajtja e lidhjeve ndërmjet diasporës dhe vendlindjes.
Në hapje të aktivitetit, fjalën përshëndetëse e mori Fatmir Gjeka, ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, i cili vlerësoi kontributin e diasporës dhe rëndësinë e organizimeve të tilla.
“Diaspora shqiptare ka qenë dhe mbetet një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit dhe e ruajtjes së lidhjeve me vendlindjen. Manifestime të tilla dëshmojnë se largësia nuk e zbeh dashurinë për vendin, kulturën dhe traditat tona”, theksoi ai.
Të pranishmit i përshëndeti edhe Faton Peci, kryetar i Komunës së Mitrovicës, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me diasporën dhe të ruajtjes së lidhjeve të forta me bashkatdhetarët.
“Diaspora është pjesë e pandashme e shoqërisë sonë. Takime të tilla janë dëshmi e lidhjes së fuqishme që ekziston mes mërgimtarëve dhe vendlindjes, por edhe një mundësi për të ruajtur traditën, kulturën dhe identitetin tonë”, theksoi ai.
Në fjalën e tij përshëndetëse, organizatori dhe njëherësh kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, Naser Nika, vuri theksin te rëndësia e vazhdimit të kësaj tradite.
“Është kënaqësi të shohim kaq shumë bashkatdhetarë të mbledhur së bashku. ‘Diaspora në vendlindje’ nuk është vetëm një manifestim kulturor, por një urë që lidh njerëzit tanë kudo që jetojnë me vendin e origjinës”, u shpreh ai.
Nika tha se qëllimi i këtij manifestimi është pikërisht afrimi i diasporës me vendlindjen, ruajtja e traditave shqiptare dhe krijimi i hapësirave ku bashkatdhetarët, pavarësisht se ku jetojnë, të ndihen pjesë e një trungu të përbashkët.
Pas pjesës zyrtare, mbrëmja vazhdoi me muzikë dhe argëtim, ku këngët e artistëve vendas dhe performanca e Medës krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme. Të pranishmit kënduan e vallëzuan deri në orët e vona, duke e kthyer manifestimin në një festë të përbashkët të kulturës, traditës dhe bashkimit shqiptar.
D. Teliqi
