Një përvojë e jashtëzakonshme

Ekipi “Ilirët” u përfaqësua me grupmoshën 11-vjeçare, duke treguar përkushtim dhe shpirt të lartë gare. Ai zhvilloi gjithsej katër ndeshje, duke arritur tri fitore dhe pësuar vetëm një humbje. Në fund të garës, nga 24 ekipe pjesëmarrëse në këtë kategori, u rendit në vendin e 11-të

Ekipi i Shkollës së Futbollit “Ilirët” nga Ana e Malit mori pjesë në edicionin e pestë të turneut ndërkombëtar YES CUP, që u mbajt më 2-5 prill 2026 në Milano të Italisë.
Ky ekip u përfaqësua me grupmoshën 11-vjeçare, gjenerata e datëlindjes 2015, duke treguar përkushtim dhe shpirt të lartë gare.
“Ilirët” zhvilluan gjithsej katër ndeshje, duke arritur tri fitore dhe pësuar vetëm një humbje. Në fund të garës, nga 24 ekipe pjesëmarrëse në këtë kategori, u renditën në vendin e 11-të.
Trajneri Agron Tahiri, i cili së bashku me dy trajnerët tjerë të këtij ekipi, Edmir Lika dhe Edmond Kurti, drejtuan ekipin “Ilirët”, shprehet tejet i kënaqur për përvojën e fituar dhe rezultatin e arritur.
“’Ilirët’ patën një eksperiencë të jashtëzakonshme në turneun ndërkombëtar ‘YES CUP’ në Milano të Italisë, ku morën pjesë rreth 250 ekipe nga vende të ndryshme. Qëndrimi ynë zgjati gjashtë ditë, gjatë të cilave skuadra jo vetëm që garoi, por edhe fitoi përvojë të vlefshme në një ambient shumë konkurrues”, thotë ai.
Ndërkaq sa i përket rezultatit të arritur nga ekipi, ai e vlerëson atë shumë pozitiv duke pasur parasysh nivelin e lartë të konkurrencës dhe faktin se “Ilirët” debutonin në këtë turne.
“Një sukses i rëndësishëm për një paraqitje debutuese në këtë turne prestigjioz”, thekson trajneri Tahiri.
Sipas tij, një nga momentet më mbresëlënëse të këtij aktiviteti ishte ceremonia solemne e hapjes, e cila u zhvillua në stadiumin legjendar San Siro, duke i dhënë turneut një madhështi dhe emocion të veçantë për të gjithë pjesëmarrësit.
Krahas kësaj, pjesëmarrja në këtë turne përfaqëson një moment tjetër të rëndësishëm, jo vetëm për ekipin “Ilirët” por edhe për vetë futbollin në Malin e Zi.
“Ky turne shënoi edhe një moment historik, pasi Mali i Zi mori pjesë për herë të parë në YES CUP, i përfaqësuar nga ekipi ‘Ilirët’, duke hapur rrugën për pjesëmarrje të tjera në të ardhmen dhe duke e ngritur nivelin e futbollit të të rinjve në vend”, pohon trajneri Agron Tahiri.
YES CUP është një turne ndërkombëtar në futboll për të rinjtë (djem dhe vajza), i cili mbahet për çdo vit në Milano gjatë festës së Pashkëve, me pjesëmarrjen e më shumë se 25 vendeve të ndryshme.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat