Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq ka thënë se “Qeveria e Malit të Zi është e angazhuar që, në koordinim me palën shqiptare dhe përmes mekanizmave të bashkëpunimit dypalësh tashmë të vendosur, të përputhë dinamikën e hapjes së vendkalimit kufitar me progresin në zbatimin e infrastrukturës rrugore”.
Ai është përgjigjur kështu gjatë orës së kryeministrit në seancën e Kuvendit të Malit të Zi, në pyetjen e deputetit të Forumit Shqiptar, njëherazi nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, i cili e ka pyetur se duke pasur parasysh që projekti i lidhjes së komunave Plavë dhe Tropojë përmes Qafë Vranicës tanimë është duke u realizuar në territorin e Shqipërisë, kurse në anën e Malit të Zi më herët është paralajmëruar hartimi i projektit për këtë aks rrugor, deri ku është arritur me realizimin e këtij projekti në pjesën e Malit të Zi dhe kur mund të pritet fillimi i punëve konkrete?
Camaj ka pyetur po ashtu se a planifikon Qeveria e Malit të Zi hapjen e vendkalimit kufitar në këtë pjesë të rrugës dhe kur mund të pritet realizimi i tij?
Kryeministri Spajiq është përgjigjur se Qeveria e Malit të Zi e njeh plotësisht rëndësinë strategjike të lidhjes së komunave kufitare me vendet e rajonit me rrugë rrugore, duke përfshirë lidhjen e komunave të Plavës dhe Tropojës nëpërmjet rrugës Qafë Vranicë.
“Kjo, para së gjithash, për shkak të zhvillimit rajonal të barabartë të Malit të Zi por edhe nga aspekti i forcimit të bashkëpunimit ndërkufitar, valorizimit turistik të potencialeve të Bjeshkëve të Nemuna dhe lidhjes së parqeve kombëtare ‘Bjeshkët e Nemuna’ dhe ‘Valbona’”, thuhet në përgjigjen me shkrim.
Lidhur me statusin e projektit, kryeministri Spajiq thekson se Ministria e Punëve Publike po bashkëpunon me Komunën e Plavës, e cila po bën përgatitjen e dokumentacionit të projektit.
“Pasi Komuna e Plavës të përfundojë aktivitetet e nisura në këtë drejtim, Qeveria, përmes Ministrisë së Punëve Publike, do të ofrojë mbështetje të plotë institucionale në aspektin e zbatimit të projektit përmes buxhetit kapital”, thuhet në përgjigje.
Ndërsa kur bëhet fjalë për hapjen e një pike kufitare në këtë rrugë, në përgjigje theksohet se është i nevojshëm koordinimi me institucionet e Republikës së Shqipërisë, si dhe përmbushja e kushteve teknike dhe të sigurisë në të dyja anët e kufirit.
“Kjo çështje kërkon koordinim paralel me institucionet kompetente të Republikës së Shqipërisë, si dhe përmbushjen e parakushteve teknike, infrastrukturore dhe të sigurisë në të dyja anët e kufirit”, thuhet në përgjigje.
Së këndejmi, sipas kryeministrit Millojko Spajiq, Ministria e Punëve të Brendshme do të monitorojë dinamikën e realizimit të këtij projekti dhe në kohën e duhur, me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me Ligjin për kontrollin kufitar dhe Ligjin për lidhjen dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare do të ndërmarrë aktivitetet për firmosjen e marrëveshjes për hapjen e vendkalimit të ardhshëm kufitar në këtë aks rrugor.
(Kohapress)
