Zëri i heshtur që nuk u dëgjua mjaftueshëm

Sot, kur flasim për barazi, kulturë dhe art, Xhemalja duhet kujtuar si simbol i zërave të heshtur, i grave që kishin lindur për të ndriçuar skenën, por që mbetën në hije me zërin e heshtur. Edhe pse u shua herët, ajo mbetet një zë që nuk u dëgjua kurrë mjaftueshëm, një zë që publiku do të kishte dashur ta dëgjonte më gjatë

Haxhi Zeneli

Në vitet kur kënga shqiptare kishte zëra të rrallë dhe këngët shqipe lindnin nga shpirti, edhe në Anën e Malit jetonin talente që nuk ishin vetëm meshkuj, por në mesin tonë kishte edhe femra. Pikërisht aty lindi një vajzë që do të mahniste këdo që e dëgjonte. Quhej Xhemale Çapriqi – Deda, e lindur më 28 mars 1965, në fshatin Krythë të Anës së Malit, Ulqin, e ndarë nga kjo jetë më 23 tetor 2025, në një moshë relativisht të re.
Për ata që e njohën, Xhemalja mbetet edhe sot një kujtim i gjallë. Edhe pse karriera e saj në rininë e hershme ishte mjaft e shkurtër, ajo la gjurmë të thella në jetën kulturore dhe artistike të Anës së Malit, ku bashkëkohësit e saj e kujtojnë ende me mall dhe respekt.
Si bashkëkohës i saj, e ndiej detyrim që emri i Xhemales të mos mbetet në pluhurin e harresës, por të jetojë nëpërmjet fjalës së shkruar, në mënyrë që brezat e ardhshëm të njohin jetën e vajzave të talentuara, të cilave traditat e kohës ua vështirësuan të çanin rrethin e ngushtë të mentaliteteve.
Xhemalja ishte një vajzë e thjeshtë dhe plot hijeshi por, mbi të gjitha, natyra e kishte bekuar me një zë brilant, të kristaltë si uji i bjeshkës dhe të fuqishëm, të mbushur me shpirt, një zë që ndriçonte skenën. Jam i sigurt se po të kishte lindur në rrethana të tjera, ajo pa dyshim do të ishte sot ndër emrat më të spikatur të muzikës popullore shqiptare.
Me zërin e saj të mrekullueshëm, ajo i dha jetë shumë koncerteve dhe festivaleve të kohës. U shqua fillimisht në Shoqërinë Kulturore-Artistike “Lipoja” në fshatin Krythë, por shumë shpejt u bë pjesë e pothuajse të gjitha shoqërive artistike që vepronin në atë periudhë. Më vonë, ajo u ngjit në disa skena të koncerteve dhe festivaleve të ndryshme, duke përfaqësuar me dinjitet trevën e saj.
Në të vërtetë, Xhemalja ishte një zë që bashkonte dashurinë për këngën, artin dhe shpirtin shqiptar. Edhe pse shumë e re në moshë, ajo me zërin e saj bëri për vete shumë adhurues, ku fitoi respektin e të gjithëve që e donin këngën shqipe.
Në vitet e mbylljes së monizmit, me zërin e saj të pastër ajo sillte më afër njerëzve këngët e përtej kufirit të Shqipërisë së ndaluar. Por, si shumë vajza të tjera të asaj ane, edhe ajo u përball me hijet e një tradite të pamëshirshme që e kufizonte rolin e gruas dhe e mbante të mbyllur brenda kufijve të një mentaliteti të ngurtë. Sipas zakoneve të kohës, “vajza, kur rritet, s’mund të bëhet këngëtare”! Këto norma të padrejta nuk patën mëshirë as për Xhemalen.
Fati i saj mori një kthesë të papritur, talenti u shua nën ndikimin e këtij mentaliteti, ajo u detyrua të braktiste ëndrrën. Fejesat dhe martesat e hershme shiheshin si mbrojtje e femrës, por në të vërtetë ato shpesh shuanin talente dhe ndalonin dritën që natyra vetë kishte krijuar.
E megjithatë, kush e njeh shpirtin e artistit, e di se një artist i lindur nuk e humb kurrë lidhjen me artin. Ai mbetet peng i saj. Prandaj është vështirë të besohet se Xhemalja, edhe pse e larguar herët nga skena, ajo asnjëherë s’e ka braktisur, por e ka ruajtur thellë në shpirt dashurinë dhe mallin për këngën dhe skenën.
Kur ajo u nda nga jeta, shumë prej bashkëkohësve të saj e kujtuan me nostalgji zërin që dikur kumbonte nëpër sallat e koncerteve dhe në festat e kohës. Një zë që sot mungon, por që nuk është harruar.
Historia e Xhemale Çapriqit nuk është vetëm historia e një jete të ndërprerë, por edhe kujtesa e dhimbshme e një brezi vajzash të cilave nuk iu lejua të shprehnin talentin e tyre. Është historia e gonxheve që u thanë para se t’i ngrohte rrezja e diellit.
Sot, kur flasim për barazi, kulturë dhe art, Xhemalja duhet kujtuar si simbol i zërave të heshtur, i grave që kishin lindur për të ndriçuar skenën, por që mbetën në hije me zërin e heshtur. Edhe pse u shua herët, ajo mbetet një zë që nuk u dëgjua kurrë mjaftueshëm, një zë që publiku do të kishte dashur ta dëgjonte më gjatë, sidomos kur interpretonte këngën e preferuar “O seç po fryn një fllad pranvere”.
Sot, me dhimbje dhe respekt të thellë, kujtojmë Xhemalen, një zë të rrallë që la gjurmë në shpirtin e atyre që patën fatin ta dëgjonin. Edhe pse jeta dhe rrethanat ia ndërprenë rrugën artistike, kujtimi i saj do të jetojë përherë në këngën shqipe dhe në memorien kolektive të Anës së Malit.
Zëri i saj le të jehojë përjetësisht atje ku nuk ka kufij, as ndalim, veç dritë dhe liri!

Të fundit

më të lexuarat