Nga libri tek administrata: shqipja ende përballet me sfida në Mal të Zi

Aktiviteti mblodhi autorë, botues, studiues dhe dashamirë të kulturës shqiptare për të diskutuar mbi pozitën e gjuhës shqipe, sfidat e botimeve dhe rolin e letërsisë shqipe në Mal të Zi

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 20-vjetorit të Pavarësisë së Malit të Zi, në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin, të hënën mbrëma (11 maj 2026) u mbajt tryeza letrare “Fjala shqipe në Mal të Zi – autorë dhe botues në dialog”, organizuar nga Sekretariati për Kulturë dhe Veprimtari Shoqërore i Komunës së Ulqinit dhe Biblioteka Popullore e Ulqinit.
Aktiviteti mblodhi autorë, botues, studiues dhe dashamirë të kulturës shqiptare për të diskutuar mbi pozitën e gjuhës shqipe, sfidat e botimeve dhe rolin e letërsisë shqipe në Mal të Zi.
Mbrëmjen e hapi dhe e moderoi udhëheqësja e Bibliotekës Popullore të Ulqinit, Ardita Rama, e cila theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kulturor dhe rolit të institucioneve kulturore në promovimin e fjalës shqipe.
“Kjo mbrëmje është më shumë se një diskutim letrar. Ajo është një mundësi për të reflektuar mbi rrugën që ka bërë fjala shqipe ndër vite në këto hapësira, mbi përpjekjet e shkrimtarëve, botuesve dhe institucioneve për ta ruajtur dhe zhvilluar kulturën tonë”, u shpreh ajo.
Rama vuri në pah edhe rolin historik të Bibliotekës Popullore të Ulqinit në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.
“Biblioteka jonë nuk është vetëm një vend ku ruhen libra. Ajo është një hapësirë kujtese, dijesh dhe identiteti. Është një shtëpi e fjalës së shkruar shqipe”, tha moderatorja, duke shtuar se biblioteka ka qenë për dekada një vatër e jetës kulturore shqiptare në Ulqin dhe më gjerë.
Në kumtesën e tij, publicisti dhe kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, foli mbi temën “Të jesh botues shqiptar në Malin e Zi”, duke sjellë një reflektim mbi historinë dhe sfidat e botimeve shqipe.
“Duke qenë se shqiptarët në Malin e Zi janë pakicë, atëherë roli i librit shqip dhe i botimeve shqipe është shumë i rëndësishëm në ruajtjen e identitetit të tyre gjuhësor dhe nacional”, theksoi Kallaba.
Ai rikujtoi periudhat e vështira për librin shqip, sidomos gjatë viteve ’80 të shekullit të kaluar, kur botimet në gjuhën shqipe konsideroheshin të padëshiruara nga pushteti i kohës.
“Ishte një kohë kur libri dhe botimet në gjuhën shqipe, sidomos ata të botuar në Shqipëri, konsideroheshin si armiqësorë. Vetëm ata që e kanë përjetuar atë kohë janë dëshmitarë të këtij absurdi”, tha ai.
Kallaba vuri në pah edhe rolin e SHAI “Art Club”, e cila që nga themelimi në vitin 1990 ka botuar rreth 200 libra, duke qenë botuesi më i madh shqiptar në Mal të Zi.
“Për këto 36 vite, ‘Art Club’-i ka botuar rreth 200 libra. Ne nuk funksionojmë mbi bazën e logjikës komerciale, sepse të jetosh nga libri në një treg të vogël si Mali i Zi është shumë e vështirë, bile e pamundur”, u shpreh ai.
Sipas tij, sot duhet menduar më tepër për cilësinë e botimeve dhe përkthimin e tyre në gjuhën malazeze, në mënyrë që kultura shqiptare të jetë më e pranishme edhe jashtë komunitetit shqiptar.
Ndërkaq, krijuesi Ali Gjeçbritaj trajtoi historikun e fjalës së shkruar shqipe dhe pozitën e gjuhës shqipe në Mal të Zi sot.
Ai theksoi se gjuha shqipe është gjuhë e pakicës shqiptare dhe përdoret zyrtarisht në komunat me popullsi shqiptare, si Ulqini, Tuzi, Gucia, Plava, Rozhaja dhe Tivari (Kraja).
“Pavarësisht sfidave të asimilimit, shqipja sot kultivohet në shkollat fillore e të mesme, në gazetën ‘Koha javore’ dhe në revista të tjera periodike që botohen në Mal të Zi”, tha Gjeçbritaj.
Sipas tij, përdorimi i shqipes në jetën institucionale dhe kulturore është një arritje e rëndësishme që duhet shfrytëzuar dhe mbrojtur.
“Nëse ne si shqiptarë nuk e shfrytëzojmë këtë të arritur, nuk kemi të drejtë aspak të fajësojmë dikë tjetër”, u shpreh ai, duke shtuar se ende hasen raste të moszbatimit të plotë të barazisë gjuhësore në institucionet lokale dhe shtetërore.
Në fjalën e tij, Gjeçbritaj përmendi edhe disa nga emrat më të rëndësishëm të letërsisë shqipe nga Mali i Zi, si Ali Llunji, Mehmet Kraja, Basri Çapriqi dhe Hajro Ulqinaku, duke vlerësuar kontributin e tyre në zhvillimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Për shkrimtarin Mehmet Kraja, ai tha se është “ndër penat më të spikatura të publicistikës dhe prozës shqiptare”, ndërsa për poetin Basri Çapriqi theksoi se “paraqet një nga emrat më të njohur të poezisë bashkëkohore shqipe”.
Një tjetër kumtesë me interes ishte ajo e shkrimtarit dhe botuesit Gazmend Çitaku, i cili foli për marrëdhënien mes autorit dhe botuesit dhe sfidat e botimit të librit shqip në Mal të Zi.
“Kur flasim për dialogun mes autorit dhe botuesit në kontekstin e shqiptarëve në Malin e Zi, nuk jemi thjesht duke diskutuar për një proces teknik. Ne po diskutojmë për mbijetesën e një kulture”, tha Çitaku.
Ai ndau përvojën e tij mbi më shumë se dy dekada punë me “Botimet Ulqini”, duke theksuar se kjo veprimtari nuk ka qenë biznes, por mision kulturor.
“Kam 20 vite që lundroj në këtë det të trazuar. Rrugëtimi im me ‘Botimet Ulqini’ nuk ka qenë një biznes, por një mision”, u shpreh ai.
Çitaku rikujtoi se fillimet e shtëpisë botuese lidhen me botimin e librit “Limani i qetësisë” të Hajro Ulqinakut, të cilin e cilësoi si simbolikë të vetë misionit të botimeve shqipe.
“Ai libër ishte një metaforë për atë që duhej të bëhej shtëpia jonë botuese: një liman ku fjala shqipe mund të ankorohej e sigurt”, tha ai.
Duke folur për sfidat e botuesve shqiptarë, Çitaku kritikoi mungesën e mbështetjes për autorët vendorë dhe gjendjen e shpërndarjes së librit shqip.
“Një librari në Ulqin duhet të jetë pasqyra e botimeve të Ulqinit. Nëse ne nuk e vlerësojmë veten, si presim që të na vlerësojnë të tjerët?”, pyeti ai.
Çitaku bëri thirrje për krijimin e një infrastrukture më serioze kulturore, duke kërkuar mbështetje më të madhe institucionale për librin shqip.
“Pushteti lokal duhet të blejë librin. Nuk mjafton të japësh donacione për evente; duhet të mbështeten autorët lokalë dhe fondi i bibliotekave”, tha ai.
Programi artistik u pasurua edhe me interpretime në piano nga nxënësit e Shkollës së Muzikës dhe Baletit në Ulqin, Drini Kasmi dhe Hesa Gorana, ndërsa në emër të organizatorit të pranishmit i përshëndetit sekretarja për Kulturë dhe Veprimtari Shoqërore e Komunës së Ulqinit, Merita Subashiq – Shabanoviq.
Mbrëmja u përmbyll me një bashkëbisedim të hapur me publikun, ku të pranishmit ngriten çështje që lidhen me mungesën e mbështetjes institucionale për autorët shqiptarë, problemet e shpërndarjes së librit shqip, mungesën e librarive funksionale dhe rënien e kulturës së leximit te të rinjtë.
Në diskutime u fol edhe për përdorimin jo të mjaftueshëm të gjuhës shqipe në administratë dhe institucione publike, pavarësisht faktit se shqipja ka statusin e gjuhës në përdorim zyrtar në komunat me shumicë shqiptare. U theksua se shpesh dokumentet, komunikimi institucional dhe shërbimet administrative nuk ofrohen në mënyrë të barabartë në gjuhën shqipe, duke e bërë zbatimin e të drejtave gjuhësore më shumë formal sesa real.
Të pranishmit vlerësuan se organizime të tilla janë të rëndësishme për ta mbajtur gjallë dialogun kulturor, por njëkohësisht theksuan se fjala shqipe nuk mund të mbijetojë vetëm falë entuziazmit të autorëve, botuesve dhe punonjësve të kulturës. Pa politika serioze kulturore, mbështetje financiare të qëndrueshme dhe respektim të plotë të të drejtave gjuhësore në administratë dhe jetën publike, ekziston rreziku që libri dhe kultura shqiptare në Mal të Zi të mbeten vetëm simbolikë identitare, e jo pjesë aktive dhe e barabartë e jetës institucionale e shoqërore.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat