Në një realitet ku arti shpesh përballet me kufizime infrastrukturore dhe sfida të vazhdueshme, shfaqja “Buongiorno” e Teatrit “Teuta” nga Ulqini dëshmon se pasioni dhe përkushtimi mund të tejkalojnë çdo pengesë. Me një tur që përfshiu disa prej skenave më të rëndësishme në Kosovë dhe Shqipëri, kjo shfaqje nuk ishte vetëm një prezantim artistik, por një rrugëtim i mbushur me emocione, rikthime domethënëse dhe lidhje të reja me publikun rajonal.
Në qendër të këtij rrugëtimi qëndron regjisorja Edina Mustafiq – Avdiu, e cila, në një bisedë për “Koha javore” ndan emocionet, sfidat dhe rëndësinë e këtij projekti për të dhe trupën teatrale. Për të, “Buongiorno” nuk është thjesht një shfaqje, por një histori e përbashkët që mishëron vite pune, përkushtimi dhe pasioni, duke marrë kuptime të reja në çdo skenë ku prezantohet dhe përpara çdo publiku që e përjeton.
“Për mua si regjisore, por edhe për të gjithë trupën, ka qenë një nder i veçantë që ta prezantojmë këtë shfaqje përpara publikut rajonal. Ky ishte një hap i rëndësishëm në aspektin artistik dhe profesional”, shprehet ajo.
Turi i shfaqjes, pas Ulqinit, nisi nga Prishtina, një qytet me peshë të veçantë emocionale për regjisoren dhe bashkëpunëtorët e saj të afërt, Bashkimin dhe Jetmirën, me të cilët ndajnë fillimet e tyre në art.
Rikthimi në skenën ku hodhën hapat e parë si studentë, tashmë si profesionistë, përbënte një përvojë të dyfishtë: sfidë dhe emocion.
“Ishte një përballje me rrënjët tona artistike dhe një mundësi për të reflektuar mbi rrugëtimin që kemi bërë ndër vite”, thekson Avdiu.
Sipas saj, një nga momentet më të rëndësishme ishte prezantimi i punës përpara mentorëve dhe kolegëve që kanë qenë pjesë e formimit të tyre, një përjetim që i dha këtij rrugëtimi një dimension edhe më personal.
“Prania e figurave të rëndësishme institucionale i dha këtij momenti një peshë të veçantë. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, si dhe ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj – njëherësh edhe mbështetës i rëndësishëm i kësaj pjesëmarrjeje, me praninë e tyre dëshmuan mbështetjen për projekte të tilla që forcojnë lidhjet kulturore në rajon”, shprehet ajo.
Pas Prishtinës, “Buongiorno” vijoi rrugëtimin në Shqipëri, ku u prezantua në Shkodër dhe Tiranë, duke u mirëpritur ngrohtësisht nga publiku. Regjisorja e përshkruan këtë përvojë si jashtëzakonisht domethënëse.
“Publiku e përcolli me vëmendje të veçantë çdo detaj dhe çdo mesazh që synonim të komunikonim. Kjo na dha një ndjesi të fortë vlerësimi dhe një lidhje të drejtpërdrejtë me ta”, shprehet Mustafiq – Avdiu.
Sipas saj, ky tur nuk ishte vetëm një seri shfaqjesh, por një proces i rëndësishëm rritjeje artistike për të gjithë trupën.
“Reagimi i publikut dhe mbështetja e marrë në çdo qytet u kthyen në një shtysë të fuqishme për të vazhduar më tej. Kjo përvojë na dha edhe më shumë motivim për të vazhduar rrugëtimin tonë me përkushtim dhe guxim, duke besuar në fuqinë që arti ka për të bashkuar njerëzit përtej kufijve”, shprehet regjisorja Mustafiq – Avdiu.
Tutje ajo shprehet se në thelb, “Buongiorno” mbetet më shumë se një projekt artistik, është një histori e përbashkët që rritet dhe transformohet në çdo takim me publikun. Ndërsa për trupën e Teatrit “Teuta”, çdo skenë e re është një mundësi për të ndarë këtë histori dhe për të ndërtuar ura të reja komunikimi.
Turi i kësaj shfaqjeje përfshiu disa ndalesa të rëndësishme: më 21 prill 2026 në Qendrën për Kulturë në Ulqin, më 23 prill në Teatrin “Dodona” në Prishtinë, më 27 prill në Teatrin “Migjeni” në Shkodër dhe më 29 prill në Teatrin “Metropol” në Tiranë.
Në përmbyllje të bisedës, regjisorja shpreh mirënjohjen për çdo mundësi që iu është dhënë për ta ndarë këtë rrugëtim me publikun, duke e parë këtë tur si një fillim premtues drejt një prezence edhe më të gjerë në skenat rajonale dhe më tej.
Në fund, vlen të theksohet edhe një realitet jo fort i zakonshëm për një trupë që po prezantohet me dinjitet në skena rajonale: Ulqini ende nuk ka një teatër të mirëfilltë institucional. Pavarësisht kësaj mungese, Teatri “Teuta” vazhdon të ekzistojë dhe të krijojë falë përkushtimit të një grupi artistësh që punojnë me pasion dhe në mënyrë vullnetare. Trupa përbëhet kryesisht nga aktorë entuziastë, ndërsa i vetmi aktor i diplomuar është Bashkim Alaj. Ky fakt e bën edhe më domethënës suksesin e shfaqjes “Buongiorno” dhe turit të saj, i cili ka ngjallur interes dhe është pritur pozitivisht nga publiku në çdo ndalesë. Në këtë kontekst, arritjet e kësaj trupe marrin një peshë edhe më të madhe, duke dëshmuar se arti mund të lulëzojë edhe përtej kushteve ideale, kur mbështetet në vullnet, dashuri dhe përkushtim të sinqertë.
D. Teliqi
