Hidhen hapa konkretë për hapjen e vendkalimit kufitar Skje-Zogaj

Para disa ditësh është zhvilluar një takim koordinues ndërinstitucional në kuadër të përgatitjeve për hapjen e Pikës së Përbashkët të Kalimit Kufitar Skje-Zogaj, mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Lajmi është bërë i ditur nga Dogana Shqiptare, gjegjësisht Dega Doganore – Shkodër, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Në takim kanë marrë pjesë përfaqësues të administratave doganore të të dy vendeve, strukturave të policisë kufitare, autoriteteve vendore dhe institucioneve përgjegjëse të infrastrukturës, ku është diskutuar mbi ecurinë e grupit të punës, përcaktimin e lokacionit të pikës doganore si dhe elementet teknike për funksionalizimin e saj sa më shpejt brenda këtij sezoni.
Sipas kësaj deklarate, pika e përbashkët do të operojë me modelin e kontrollit me një ndalesë, duke thjeshtuar procedurat kufitare dhe duke rritur efikasitetin e kalimit.
Pjesëmarrësit në takim kanë vlerësuar se hapja e kësaj pike të re kufitare do të lehtësojë lëvizjen ndërkufitare për qytetarët, do të afrojë komunitetet në të dyja anët e kufirit dhe do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik e turistik të zonës.
Pavarësisht këtij premtimi nga institucionet shtetërore, hapja e pikës kufitare Skje-Zogaj gjatë këtij sezoni turistik duket vështirë e realizueshme duke ditur situatën në terren. Po ashtu, problem tjetër paraqet mospërfundimi i rikonstruksionit të plotë, gjegjësisht zgjerimit të rrugës në pjesën që i përket Malit të Zi, ku deri tani janë rikonstruktuar vetëm 1.5 kilometra të kësaj rruge, kurse pjesa tjetër është rrugë e ngushtë dhe në gjendje të keqe, që paraqet vështirësi për qarkullimin e automjeteve.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat